Monday, October 10, 2016

Prend Buzhala - TIPI I KARAKTERIT TË LËKUNDUR


(Çaste shkrimi: karakteret IV), 6

Ekziston tipi i njeriut të luhatshëm a i karakterit të lëkundur. Bota e njeriut të tillë ka një shqetësim e trazirë të brendshme, dymendjesh, pavendosmëri, kompromis për të jetuar mes dy gjendjesh a situatash të kundërta... Duke qenë në kërkim të paqes së brendshme, ai gjithnjë shtrëngohet të veprojë kundër ndërgjegjes së tij. 
Njeriu i tillë e mbjell në vetvete respektin ndaj tjetrit (të fuqishmit, njeriut në poste etj) për shkak të frikës.
1.
Njeriu i tillë formalisht qenka me të mirën a të vërtetën, përgjërohet dhe betohet për atdhetarizëm, për punë, për të ecur rrugës së drejtë, por zemrën e mban larg këtyre vlerave.
Njeriu jostabil shkon rrugëve pa krye, pikërisht kur e drejtojnë emocionet e luhatshme.
Te poltika: e përqafon një bindje politike kundër ndërgjegjes së vet dhe luhatet në veprime.
Te religjioni: e përqafon, bie fjala, Besimin a Fjalën e Perëndisë, por e tërheq makthi i brendshëm... kundërshtia ndaj klsaj Fjale...
Te dashuria: kur deklarimet e të rinjve shfaqin krizën e luhatjes...
Beteja brenda qenies së njeriut të tillë është e vazhdueshme, sfilitëse, derisa gati të mos shndërrohet në njeri dilemash, ...deri te dilema hamletiane: të jetojë a të mos jetojë.
Në thellësi të qenies së njeriut ekziston dëshira për të jetuar në harmoni me kërkesat dhe bindjet e tij, por i del pengesë një diçka tjetër: një joshje a tundim për ta bërë një veprim kundër bundjeve të vetes, i kërcënuar nga rrethanat e jashtme...
2.
“ Njeriu u përshtatet rrethanave me sjelljen e veprimet e tij. Ata integrohen në shoqëri, se ashtu shtrëngohen. Por bota e tyre e brendshme nuk ndryshon”, shprehet Sandra Brown.
Nuk është e habitshme pse idealet në jetën politike i krijojnë njerëzit pa ideale, kurse marrëdhëniet shoqërore janë të luhatshme, sepse ato i drejtojnë njerëzit pa parime. Nuk është e habitshme, po ashtu, përse në qarqet e tilla kërkohen njerëz të përulur, puthadorë, të dëgjueshëm dhe pa parime e të cilëve u mungon paqja e brendshme, për shkak të brejtjes së ndërgjegjes: ndryshe veprojnë e ndryshe ndiejnë...
Prandaj luhatjeve të brendshme u kundërqëndron kërkesa për harmonizim, për vendosje të paqes së brendshme, për realizim të vetvetes...
Së këndejmi, për ta kapërcyer paqëndrueshmërinë duhet vendosmëri e sakrifica dhe kërkohen njerëz që kanë ideale.

0 comments:

Post a Comment