Saturday, October 22, 2016

Ymer Nurka - KALVARI I QENIT (fabul)


Qen i ati, qen i biri, qen i zoti
Dhe viktima që u shtyp, një qen koti
Qen-policët, që e ndalën te trafiku
E vështruan si të ishte qen-armiku.

Seç e morën qen-shoferin pa këpucë
Dhe e plasën porsi plëndës në birucë
Qen-gardiani mengadalë vrullin mori
Shqelm të tmerrshëm i jep pas, qen-fajtorit.

Ironikë tek qelia, mu në derë
Seç u shfaqën, si fantazma qent-sekserë
"Që të dalësh dhe të falesh , e mos vuash
Dije mirë, or qen bir qeni do paguash!"

Qen-fatziu shet shtëpinë, gjithçka pati
Çka kërkuan qent-sekserë i bën gati
Të shpëtonte dhe të dilte, prej udhëkryqi
Seç u nisën proçedurat, për tek gjyqi.

Qen-hetuesi, e thërriti mu në zyrë
Dhe i plasi dy-tre shpulla në fytyrë
Pa e shpunë tek doktori qen i fortë
Që t'i nxjerrë qen-budallit, një raport.

Dhe një dit’ ashtu të lodhur, gjysëm-gjallë
Seç e futën tek kafazi, mu në sallë
Në emër t’ligjit, me zë lartë, fjalën mori
Qen i tmerrshëm, qen-bulldogu, prokurori.

Lehu bukur dhe përdor’ elokuencë
Më në fund, si qen i ndershëm dha pretencë
Qen-gjyqtarët, në juri, që "s'njihnin hatër"
Si xhonglerë dhe si aktorë , bënë teatër.

Salla mbushur spektatorë, me qen-dingo
Mbaroi gjyqi, brohoritën të gjithë "Bingo!"
Ja e falën më së fundi, qen’ e mjerë
Të raskapitur e braktisën mu në derë.

Koridoresh u hoq tjetri, zvarrë-zvarrë
Si në mjegull, i përgjumur shikon varrë
Se si rrodhën gjithë ngjarjet, shkallë-shkallë
Si e hëngri rrac’ e tija, sa qe gjallë..

0 comments:

Post a Comment