Thursday, October 13, 2016

Prend Buzhala - Me gjysëmShqipëritë


(Çaste shkrimi IV), 13
Kur politika nxjerr kohë e pa kohë, një sebep a shkak herë të qenë e më shumë të rremë, me prapaskena intrigash, a nuk i dëmton kjo synimet e qëllimet e larta të kombit shqiptar?
1.
Vetëm le të shihen, brenda një viti a dy, se si krijohen ato afera e e prapaskena, dhe e vërteta del në shesh: nga një aferë pronto, shfaqet skena e re e e gjoja krimeve të luftës së UÇK-së; nga këto kurdisje prapaskenash politike, vjen tjetra, ajo e korruptimeve dhe "shitblerjeve të paligjshme"; nga aferat e skenave spektakulare të burgosjeve për "keqpërdorime zyrtare", ringjallen për të satën herë prapaskenat politike për VRASJET e PASLUFTËS... skenat me arrestime të "grupeve terroriste islamiste"... ishin "aktuale" fusnota, pakot ahtisariane, gjykatat ndërkombëtare, gjyqet speciale e ato të UNMIK-ut, EULEX-it, misionet e pseudo-misionet...deri te demarkacioni e Asociacioni serb i komunave... nga skandalet e aferat sportive deri te dehjet "për suksese" dhe te euforitë e dëshpërimet "për humbje".
Kësisoj ndodh edhe në Shqipëri: gërdecët, plehrat, reformat në drejtësi... pafundësisht. Vrasjet e shumta, dhe jeta e njeriut nuk vlen as pesë para, mbasi ato humbin tejet lehtë... Në Maqedoni ndodhi Kumanova, me një ndërthurje enigmatike prapaskenash...
Me rëndësi është të shpiken PRISHËS TË RINJ E PRISHJE TË REJA të këtyre aspiratave... dhe me rëndësi është që të shpiken sa më shumë mbuloja për aferat korruptive... nëpër vite e dekada - si kurdisje fitilash. Tashmë diskutohen "Bashkimi Kombëtar", sporti, shteti dhe krahina: kush pjesë e kujt është...
Bëhen përpjekje të shpiken kombe të reja, thuajse zyrat e shkresurinat burokratike qenkan alkimi për krijimin e identiteteve kombëtare dhe kombeve!!! Ku është parë në botë që zyrat e zyrtarëve të të gjitha tarafeve, të krijojnë kombe? Edhe nëse ka një identitet kosovar, ai është i subordinuar si pjesë e identitetit shqiptar. Identiteti kosvar nuk mund të përfytyrohet i shkëputur nga ai shqiptar... Po nuk pati gjuhë shqipe, shqiptarinë e identitetin shqiptar, nuk ka as Kosovë...
Prandaj JEMI NJË shqiptarët, kudo që janë: me gjuhën, me kulturën, me etninë... Mu ashtu si ishte ajo KREDOJA e vitit 1998 në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë: NJË KOMB, NJË QËNDRIM...
2.
Mandej, gjithnjë, aspirata për liberalizim e integrime europerëndimore, na vjen te pragu i derës e na ikën, si një femër lozonjare... si një fanitje zanash, mbasi përpara na dalin mendësitë e trashëguara të ligësive të së kaluarës me veshjet e dikurshme anadollake, me mashtrimet për përfitime personale...
Dhe, na vjen ajo shprehja "Evropa kurvë". Evropa e tillë, drejt së cilës shpërngulemi, kërkojmë azil, punë, financime... integrime. Kaq shumë shqiptarët të dashuruar në “kurva”? Kaq shumë e përbuzkemi femrën, sa, secila prej tyre, na shfaqet si “kurvë”monedhash për shfryrjen e epsheve tona materiale e të kënaqësive të çastit?
Dhe kemi, sigurisht, lirinë e shfrenuar, ta quajmë "kurvë" Evropën, spe jo!
Preokupohemi dhe shqetësohemi me arsye e me gulçima pseudo-patriotike, me shqipëritë tona, me gjysmëshqipëritë, që na mbesin si lecka të lagura në dorë.
Kadare te romani "Viti i mbrapshtë" thekson vargjet e një kënge popullore:
Për xhenet u nisëm,
sosëm në xhehnem
Shqipëri moj kuçkë
ç’na bëre verem.
500 vjet rehat,
ç’doni more djem
Shqipëri moj kuçkë,
ç’na bëre verem
Thuaji sikterr Europës,
si denbabaden
Shqipëri moj kuçkë,
ç’na bëre verem.
Fishta i zemëruar ende këndon e na bërtet me vargjet e tij:
Shqyptarё, a ndiet? Europa, e mrrutё e ndyt’
Shkёrdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,
Se ciles dreqi ia plasi tё dy syt’
E marren ma se sheh, njitash n’e s’vonit
E bani gjyq, qi t’nipat e Kastriotit
Shkjevet t’Ballkanit urё t’u rrijn mbas sodit.
Po, pёr shqyptarё pleqnue e ka Europa
Qi shi njatyne urё t’u rrijn pёr dhe,
Tё cillat kishat rrenue ua kanё me topa
E n’djep foshnjet e njoma ua kan’pre;
Qi t’ndertat vasha ua kanё korritё perdhuni
E rrugash bam jakan me dekun uni,
E mbas sodit shqyptarёt n’gjuhё t’huej do t’flasin;
E gjaksvet t’vet do t’bajn kta t’u ngjatёt jeta?
Hajnat lapera zotni do t’thrrasin,
E t’pa rodit do t’i apin pagё e t’dheta;
Me armё shqyptare, n’za gjithmonё e n’namё,
Sogje shqyptari shkjaut do t’rrijё sod m’kambё.
Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ketё jetё?
A ka si i bahet kuj ma tepёr dhun’?.....
Ehu! Shka do t’bajn, thue, tash shqyptarёt e shkretё
Ata, qi m’vedi pas e kanё kanun’;
Ata, qi n’dej kanё gjak tё Skanderbegut;
Qi sheklli mbajtё i ka per burra t’dheut?
Shka bajn shqyptarёt?....Han fiq e kastraveca
E pijn’mastikё e qesin petlla n’uej;
E ngrehen rrugёs e fryhen si gjeldeca;
E rrin tue kqyrun udhёs ushtarёt e huej
Në poezitë e Ali Podrimjes hasim po ashtu fjalëfomimin stilitistiko-semantik SHQIPËRITË, stilemë që shpesh merr kuptime të ironisë kritike, kundruall një krenarie për autoktoninë dhe krenarinë shqiptare identitare për lashtësinë:
Na tmerruan shqipëritë
Edhe tej e tej e tej
Varre e nishana pikëlluese
Na bënë pikë e pesë shqipëritë
Nuk dimë ku e bëjmë vdekjen
Vaji na është këngë.
Dhe shqetësimet tona vazhdojnë... Jeta kombëtare shkruan balada të reja, këngëvajtime të reja, dhe na mbështjell ironia e fatit të rëndë historik... Vijnë shqipëritë, dy e tri, na faniten nëpër histori... si ëndërr e rëndë. Pengjet e së kaluarës na shtohen me këto që prodhohen sot... Migjeni do të klithte "Hiqi bragashat".

0 comments:

Post a Comment