Saturday, February 24, 2018

Namik Selmani: Një festë amerikane që kthehet në ritual jete


Kam patur fatin e madh që ishte dhe një rast i fortlumturuar që në vitin 2016 të isha në breg të oqeanit Atllantik, në Plimuth, ku gati 400 vjet më parë do të ndalonin me anijet e kohës mjaft kolonë anglezë, si i quajtën më vonë, që të ndërtonin më tej jetën në këtë vend.
veç
Ç’thotë historia amerikane për këtë jetë, për këtë ngjarje, festë, për këtë harmoni? Në vitin 1620, dy grupe njerëzish rreth njëqind vetash burra, gra dhe fëmijë u nisën me anijen e vogël “Myflaëer” nga Plymouthi i Anglisë për në Botën e Re. Një grup përbëhej nga njerëz besimtarë që kërkonin të shkëputeshin nga Kisha e Anglisë dhe të kishin Kishën e tyre, besimin, zakonet, doket, etj. Në atë kohë ata i quajtën „Separatistë“. Grupi tjetër ishte i përbërë nga njerëz që i quanin „Strangers“, të cilët e respektonin Kishën angleze por, në këtë udhëtim ishin se kërkonin diçka më të mirë për jetën e tyre. Në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë përmes Atlantikut për 66 ditë ku dhe vdiqën disa njerëz. Të dy grupet bënë një marrëveshje “armëpushimi” ose mirëkuptimi. Sheshuan kontraditat dhe u shkrinë në një grup të vetëm dhe u emërtuan “Pelegrinë”. Grupi zgjodhi me mirëkuptim edhe një prijës.
Kapiteni anijes „Myfloëer“ zgjodhi për të zbarkuar një vend në Massachusett afër Bostonit të sotëm, sepse aty ishte një gji shumë i përshtatshëm dhe vendasit ishin më miqësorë se në bregun e oqeanit tjetër. Këtij vendi ja vunë emrin Plymouth, në kujtim të qytetit të origjinës së tyre.
Është një gjë e bukur se amerikanët modernë, në kujtim të kësaj ngjarjeje të kenë ngritur një anije që është gati e njëllojtë me atë anije të parë .
Anija kishte ngarkuar nё bordin mjete jetese tё ndryshme, madje edhe kafshё shtëpiake. Anija i shpinte ata drejt njё jete tё re, shumё larg prej vendit ku kishin jetuar më parë. Për tre muaj me radhë nё ujërat e Atlantikut, pasagjerët e Evropës jetuan me bukë të thatë, mish të tymosur e peshk, derisa sa arritën në brigjet e Amerikës.
Aty filluan të ndërtojnë fshatin etyre por, shpejt erdhi dimri dhe i gjeti të papërgatitur mirë. Një pjesë mbetën në anije dhe si pasojë shumë vetë vdiqën nga sëmundjet. Me ardhjen e pranverës edhe pjesa tjetër e mbetur në anije u vendosën në breg. Për habinë tyre u erdhi për vizitë një pjesëtar i fiseve vendase me emrin Abenaki, i cili fliste anglisht. Të nesërmen ai sjell dhe një pjesëtar tjetër të këtij fisi që e kishte mësuar anglishten, sepse qe marrë si skllav nga një ekspeditë angleze por, kishte mundur që t’u ikte. Këta dy njerëz pelegrinëve të sëmurë dhe të kequshqyer u mësuan teknikat e kultivimit të drithrave dhe të bimëve të tjera bujqësore, të kapnin peshq si dhe i miqësuan me fiset vendase. Kjo miqësi përmendet një nga shembujt e rrallë të harmonisë midis fiseve të indianëve të Amerikës dhe kolonëve anglezë. Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Nga një Angli ku hanin shumë festonin shumë dhe e dinin se çfarë ishte gëzimi.
Si e tregon dhe piktura e kohës pelegrinët vishshin mire. Burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Një nga arsyet e mirënjohjes ishte dhe se ata kishin shpëtuar mirë edhe mjaft veshje të vendit nga kishin ardhur.
Një cicëron i muzeve në Plimuth na tregoi se diçka kishte ndryshuar edhe në gjirin e ardhjes së këtyre pelegrinëve. Nisën të punonin. Të adhuronin edhe Zotin e tyre duke mos humbur besimin tek Ai tek puna, tek bashkëpunimi që do të bëheshin më vonë çelsat e jetës së tyre të begatë . Festa e Falenderimeve ose siç quhet në gjuhën angleze “Thanksgiving” është një festë popullore laike nga më të rëndësishmet në kontinentin amerikan (SHBA dhe Kanada). Vitet e fundit ka filluar të festohet edhe në shumë vende të tjera në të gjithë botën. Në SHBA festohet të enjten e katërt të muajit nëntor ndërsa, në Kanada festohet të hënën e dytë të muajit tetor. Në këtë ditë çdo familje mblidhet në një darkë ose drekë me miqtë e saj rreth gjelit të detit dhe gatimeve të tjera tradicionale. Njerëzit kudo që ndodhen urojnë njeri-tjetrin “Gëzuar Festën e Falenderimeve” (Happy Thanksgiving).
Ashtu si ndodh zakonisht në Amerikë, e gjithë kjo ngjarje, ose ta themi më saktë “ lindje të Amerikës” e kishte gjetur vendin e tij në muzeume në relike të asaj kohë e në foto madje edhe në atë vend ku ishte ankoruar anija e parë ngrë në kolonët e Anglisë me indianët që ishin vendas të atij kontinenti të madh që sot e quajmë SHBA. Veç disa gjëra ata i dinin që më parë Dhe më tek lanë armët e nisën punën, se donin të jetonin e jeta nuk bëhet vetëm me luftë. Kishin kaluar një stinë të lodhshme, por edhe shumë më të mbarë se ata e mendonin. Kishin mbjellë kunguj, grurë, zarzavate, kishin rritur bagëti në pyjet e atij vendi që dukej shumë të virgjër. E, padyshim me këtë punë do të vinte dhe begatia në këtë vend të madh.
Kungulli në Amerikë, edhe kur nuk ka festë, është simboli i begatisë dhe i thjeshtësisë. Në kushet kur mungonte teknika e regjistrimit të asaj dreke madhështore na vjen në ndihmë
përfytërimi me anë të një pikture që i bën jehonë atyre viteve. Në një tavolinë të madhe të vë në diku në breg të oqeanit mjaft burra gati të gjithë me mustaqe të veshur evopiançe kanë shtruar drekën. Në qendër të saj në burrë i thinjur ngre duart lart drejt qiellit që jep shenjën e lutjes.
Ishin të paktën 90 pelegrinë kolonë dhe mjaft vendas që herë pas here fjalën thonë “ Thank You!”. Ishte fjala më e lakuar, më e pranishme. Po dhe sot është kaq e pranishme kudo. Po bashke me atë urim që ata ia bënin vendasve, ata duhet t’ia bënin dhe perëndisë që i kishte dërguar në këtë tokë të begatë ku mund të prodhonin kaq shumë ku mund të rritnin pa droje fëmijët e fëmijëve… Pak vite më vonë i nderuar Xhorxh Uashingtoni do ta formulonte në formën e një bekimi kolektiv mbarëpopullor ritin ekësaj feste. Të një betimi që do të bashkonte jo vetëm kolonët, indianët, por edhe çdo njeri që do ta lidhte jetë me këtë vend, me këtë shtet, me kushtetutën e tij, që edhe sot është kampion i të gjithë kushtetutave të botës, pasi nuk është ndërrruar asnjë herë falë vizionit të ligjvënësve të atyre viteve. Do kalonin jo pak, por 168 vite e pikërisht më 1621 e me një deklaratë të veçantë paksa personale, Xhorxh Vashingtoni e festoi këtë si festë të veçantë pa e ditur se shumë vite më vonë ajo do të bëhej një nga festat më të dashur të amerikanve dhe të mbarë botës.. E quajtën ndryshe “Dita e Falenderimeve”.
Një festë që ka në thelb besimin ndaj zotit, por edhe ndaj punës, pa të cilën nuk mund të ndërtohet një jetë më e mirë dhe nuk mund të ketë zhvillime të mëdha. në secilën fushë të jetës. Një besim që nuk lidhet me një fe të caktuar, po është gjithëpërfshirëse. Një festë që do të ndërronte në formë në vite, por që nuk do ta humbte kurrë thelbin e nderimit për punën, për shtetin, për fqinjin, për zotin.
Dhe do të vinte koha kur Abraham Linkolni që më 3 tetor 1863 do ta rendiste këtë ditë që, për amerikanët është e enjtja e katërt e muajit nëntor, ta quante përfundimisht DITA KOMBËTARE E FALENDERIMEVE.
Urimi që e bëri paksa në mënyrë personale Xhorxh Uashingtoni duket se do të bëhej refreni i miliona familjeve amerikane dhe të atyre kombeve që kanë pranuar, kanë ëndërruar që të jetonin në këtë vend të begatë, demokratik.
“Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë me të madhe të Madhit Zot dhe udhëheqësit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet e kushtetutës me besnikëri. Që Perëndia të ruajë dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidomos ato që janë mike me ne dhe bekoji të gjithë ata, o Zot, me një qeveri të mirë, Falu, o Perëndi paqë dhe mirëkuptim.”
Kjo festë në Amerikë është një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë. Një ditë kur luhet futboll amerikan. Është dita kur në kuzhinat e familjeve shtojnë sa e sa gatime tradicionale. Në supermarketet e shumta amerikane janë paketuar me qindra e mijëra pako ku vihen ushqime, lule, çokollata, etj Një ditë që ngre të gjithë në këmbë për të ngritur Kultin e Falenderimit. Disa prej nxënësve veshin kapota prej letre, si ato të pelegrinëve që festuan për herë të parë Ditën e Falenderimeve.
Në tryeza zë vendin e nderit gjeli i detit.
Në këtë pikë duket se tradita e gjelit te detit që shqiptarët e përdorin në Vitin e Ri është e përbashkët. Në Amerikë ai gatuhet në mënyrë tradicionale në të gjithë shtetet. Një gjel deti i pjekur siç duhet, me përshesh dhe salcë me lëng mishi, është në këtë ditë në qendër të tryezave të miliona familjeve në gjithë Amerikën për Ditën e Falenderimeve. Bashkë me gjelin e detit në tavolina vihej dhe misri.
Kjo nuk ndodh në Rezervatin e Kafshëve Poplar Spring në Poolesville të shtetit Maryland. Aty këta shpendë janë miqtë e nderit në një drekë me gjelat e detit, në vend që t’i hanë ata. Në Amerikë ka një rregull të tillë . Shtëpia e Bardhë i merr gjelat me ndihmën e Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit. “Që nga koha e Presidentit Truman, çdo vit zhvillohet një ceremoni zyrtare në Shtëpinë e Bardhë për faljen e gjelit të detit”. Gjelat e falur shpesh dërgohen në një kopsht zoologjik. Ndërsa gjeli që gatuhet për vaktin e presidentit, blihet me të ardhurat e tij dhe përgatitet sipas shijeve personale dhe të familjes së tij.
*********
Përtej gjëmimeve, shpesh edhe të padëgjuara të historisë së një fshati, të një krahine, vendi, të një kontinenti që përherë kanë qenë dhe do të jenë burimi mjaft festive përkujtimore, është dhe do të jetë dhe jehona mjaft e madhe e festës ose Ditës së Falenderimeve. Nuk është rastësi që presidentët e Amerikës në këtë Ditë, ftojnë udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota. Nëse amerikanët e krijuan dhe, më vonë, e përshtatën këtë Festë për shtetin e tyre, për mentalitetin e shoqërisë së tyre mjaft optimiste në thelb dhe punëdashëse, më shumë se nderimi për fenë e tyre, më shumë se besimin ndaj Zotit, atë mund ta qujamë ndryshe edhe Festa e Harmonisë së Njerëzve të Kombeve.
Është e vërtetë se festa të ndyshmë e kanë në thelb gëzimin, përkujtimin. Në Shqipëri e në trojet e tjera etnike me shqiptarë, pa përmendur festat fetare të tre besimeve fetare, sot gjen festa të ndryshme. Kujtojmë atë të të Korrave, të Ullirit në Berat e në Vlorë, të Fikut, të Shegës në Ulqin, të Grave, të Plisit, të Diasporës, të Vajzave, të Baballarëve, të Beqarëve, të Fëmijëve, të Gënjeshtrave, të Alfabetit, të Mësuesit, të Diabetikëve, të Auitizmit, të Demokracisë, të Abetares, të Poezisë, të Njerëzve në Nevojë, të te Tetraplegjikëve, të Ditës pa Makina, Nata e Bardhë, të Ditës së Verës, të Shëngjergjit, të Hashures, e Rinisë,
Festa e Falenderimeve mund të quhet ndryshe edhe Ura e Falenderimit, të një urimi të një njeriu për një tjetër, pavarësisht se mund të mos e njohë e mund të mos e ketë takuar kurrë. Të nxënësit për mësuesin dhe anasjelltas, të një burri për gruan kur e sheh se ajo lodhet dhe sakrifikon aq shumë për familjen. Të një fëmije për prindin. Të falenderimit për ata që bëjnë histori nderi për komunitetin, për kombin e për mbarë shoqërinë. Një shoqëri që ka brenda vetes falenderimin e një brezi për tjetrin, të një njeriu të thjeshtë për pushtetarin që e ka zgjedhur, që i ka dhënë votën, besimin për ta drejtuar, është shumë paqësore dhe e denjë për ta jetuar. Të një njeriu të ndershëm që duhet falenderuar e duhet të jetë model e jo një njeri që mendon se si të vjedhë e të abuzojë me të drejtën e të tjerëve.
Festa e Falenderimit është modeli i munguar i një shoqërie, aq më keq për shqiptarët ku shpesh brutaliteti, vulgariteti kërkojnë që të marrin rolin e :”Liderit”; në jetën sociale politike, kulturore të një vendi. Në mbyllje të këtij reflektimi historik, social, edukativ, dhe problemor do kujtoja një rit që e preka dhe vetë. Para pak kohësh u bëra pjesë e një vizite në një familje amerikane. Ishim të ftuar miqësisht për një :”kafe” si i themi ne, shqiptarët , një vizite miqësore. Para se të shtroheshim për darkë, të gjithë si ishim në tryezë në mënyrë simbolike, takuam pëllëmbët e bëra një grusht me njëri-tjetrin. Me zë të ulët të gjithë bekuam bukën, miqësinë, bëmë një falenderim më shumë për jetën tonë. e dhuratave të shumta të mbushura me sa e sa gjëra që gëzojnë çdo brez madje dhe çdo pushtetar i niveleve më të larta. Kemi nevojë për falenderimin në të gjithë ditët e vitit, në të gjithë ditët e jetës.. Jo vetëm në një ditë kur mjaft të ndritshme do të jenë dritat që do ta shoqërojnë këtë festë. Kur do të jenë fort të bukura dhe me ngjyra mjaft të ndezura fjongot që do të lidhin pakot e dhuratave. Se, në fund të fundit, duhet ta falenderojmë nga zemra për atë gjë të mirë e të dobishme që një njeri bën ndaj nesh. Jeta do të ishte shumë më pak e bukur pa falenderimin, më e trishtuar, pa moralin që të jep ajo. Sot dhe nesër. Në Amerikë e kudo ku ka njerëz që punojnë, luajnë, që vargëzojnë, që i bien kitarës dhe violinës, që qeshin, që lindin e rrisin fëmijë, që që lexojnë, që qeshin, që dashurojnë, që festojnë festa e gëzime njerëzish dhe popujsh.

0 comments:

Post a Comment