Tuesday, February 13, 2018

Zija Çela: FLORIRI


Kur ndërroi jetë gjyshi im, ndonëse kishte pasur vetëm një djalë, la gjashte nipa. Mes tyre katër ishin të moshës sime, afër dymbëdhjetë vjeç. Por pavarësisht nga mosha, kortezhi na mori me vete të gjithëve. Të zënë dorë për dore, na vunë rreth varrit të hapur, ku ai do të prehej përgjithmonë. Kurse njeriu që mbajti fjalën e Lamtumirës, pasi u gëlltit disa herë me vështrimin nga ne, kushedi përse tha gjithashtu: “Ja, këta fëmijë janë kurora e tij! Dhe s’ka nevojë për lule të tjera.”
Me sa pashë, të pranishmit miratuan duke tundur kokën. Kalamani më i vogël madje u ngashërye. Por përveç meje, asnjëri nuk ishte nipi i tij i vërtetë. Gjyshi i kishte birësuar pak kohë mbasi babai im humbi jetën nga një sëmundje e pashërueshme. Atëherë jetonim në rrethina të qytetit, në një lagje që u popullua shpejt me familje, të cilat kishin ardhur nga fshatrat e thella dhe mezi arrinin të bënin një strehë dosido. Kur i solli në shtëpi për herë të parë, ishte gjithë qejf dhe foli me mua buzagaz. Ai tha se tani e tutje unë do të kisha edhe pesë sivëllezër, të cilët çdo ditë do të hanin drekë në shtëpinë tonë. Mbasdite, me të mbaruar detyrat e shkollës, mund të luanim lirisht në oborr, ndërsa në muzg do të vinin t’i merrnin familjarët e tyre. Ndoshta këtë birësim e bëri për dy shtysa njëherësh, as unë të mos e ndieja vetminë, as ata varfërinë. Megjithëse vetë, në krahasim me xhepin, gjyshi im i shkretë zemrën kishte më të pasur. Por në qytet ishte bërë i njohur, sepse prej shumë e shumë vitesh mbante një dyqan, ku tregtonte mallra ushqimore dhe shumëkush e respektonte për ndershmërinë e tij.
Çfarë kujtoj nga gjyshi tashmë? Të parën do të përmendja një dhuratë të paharrueshme. Ajo ka edhe radhën, sepse dhurata m’u bë kur im atë ishte ende gjallë. Por e lashë rrëfimin aty, ku gjithë sivëllezërit mund të luanim lirisht në oborr. Një ditë, prej reve të ngarkuara me shi, kaq e ulët dukej kubeja e qiellit, sa të thoshte mendja se mbyllej menjëherë në fund të lagjes sonë. Ne këtë po i thoshim njëri-tjetrit, madje me njëfarë bindjeje sikur, po të kishim dëshirë, do të arrinim atje me një vrap pele.
“E pra, ju mund ta prekni me dorë atë vijën përmbyllëse?”, na foli gjyshi, i cili i kishte dëgjuar hamendjet tona. Pastaj, si në një garë të vërtetë sportive, na ftoi të rreshtoheshim krah më krah dhe vazhdoi: “Të shohim se kush do të arrijë i pari. Nisuni tani!”
Dhe s’e përmbajti të qeshurën. Sipas tij, ne kurrë s’do ta arrinim vijën e horizontit. Sapo të niseshim, ajo do të vinte duke u larguar dhe, kur të mbërrinim në kufirin ku na qe dukur se kubeja e qiellit mbyllej, do të shfaqej para nesh një kube tjetër. Në këtë rast, gjyshi përdori një term të ri për hapësirën, një term që s’na e kishte zënë veshi në shkollë.
“Ka metër, ka kilometër dhe milje detare”, tha ai. “Por horizontmetri ua kalon të gjithave. Për atë që kërkon t’i njohë të Tjerët, ata që nuk jetojnë në qytetin e tij apo as në vendin e tij, horizontmetri është masa më e mirë për të zbuluar botën.”
Në mbrëmje, e lodhur nga punët e ditës, Luna u mblodh më herët në dhomën e saj dhe ra për të fjetur. (Mos t’ju duket e çuditshme që, ashtu si babait, në emër i thërrisja edhe mamit qysh në vegjëli. Ata vetë ma kishin lejuar dhe kënaqeshin kur i thërrisja: “O Driti!.. O Luna!) Kur mbeta vetëm me gjyshin, mua ende më rrinte mendja te kubeja e mbyllur që kishim parë në fillim. Si na ishte zhdukur nga sytë tërë ajo pllajë e madhe, e cila niste në fund të lagjes sonë dhe, në mot të kthjellët, na lejonte të shihnim si përvijohej silueta e një kodre përtej?! Kishte qytetarë që herë-herë shkonin më këmbë deri atje dhe, në majë të kodrës, i shtonin pirgut të gurëve një gur më tepër. Edhe gjyshi im kishte vajtur dikur. Madje thuhej se, si njeri i dhënë pas mbishkrimeve të moçme dhe librave të vjetër, shenja e tij përmbante një skalitje. Në gurin që i kishte shtuar obeliskut, ishte gdhendur: “Kur nuk shkon drita te njeriu, shkon njeriu te drita.”
Mirëpo atëherë ende s’e kuptoja mirë domethënien. Madje nuk m’u dha ta pyesja as atë mbrëmje, sepse më kishte rrëmbyer horizontmetri i gjyshit. Ai e ndjeu trazimin tim dhe, duke ma hedhur dorën në sup, më siguroi: “Kurdo që ti të nisesh drejt ndonjë horizonti të ri, gjyshi me ty do të jetë. Mbaje mend, patjetër me ty!”
Këto fjalë më tingëlluan si një betim i rëndë. Ishte njëlloj sikur po thoshte: “Në këtë jetë dhe në atë tjetrën!”
* * *
Pa gjyshin, besoj ta keni marrë me mend, për të birësuarit ndryshuan kushtet. Këta nuk e hanin më drekën në shtëpinë tonë. Tashmë edhe Luna rropatej duke punuar me orar të zgjatur, ndërsa nga gjyshi nuk trashëguam tjetër pasuri, përveç shtëpisë dhe orendive të saj. Por duhen përmendur edhe librat e vjetër, që nisa t’i lexoja me etje.
Sidoqoftë, kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, ende njihesha si vëlla me pesë sivëllezër. Mirëpo një ditë, sapo mësuesi i historisë na pa së bashku, e dëgjuam të thoshte për ne: “Ja edhe gjysma e dymbëdhjetëshes së Jozefit!” Mua më erdhi ca inat, sepse po ia hante hakun njeriut tim, ai mund të kishte thënë më drejtpërdrejt: “Ja edhe gjashtëshja e Jazit!”
Ndoshta pikërisht atë kohë na lindi ideja për të bërë një pelegrinazh në kujtim të gjyshit. Qemë të gjithë në një mendje, do të marshonim drejt kodrës me obelisk. Mirëpo më parë na lipseshin ca pajime, ndonjërit këpucë të përshtatshme, kurse secilit çanta sportive e shpinës. Ku t’i gjenim të hollat? Mblodhëm aq sa mundëm nga kursimet tona, por ishin fare pak. Kështu, shpëtimtare u bë dhurata e gjyshit, ajo e ditëlindjes kur mbusha dhjetë vjeç. Mbasi i shova dhjetë qirinjtë e tortës, duke më varur në qafë një medaljon, gjyshi më uroi: “Njëqind u bëfsh!” Menjëherë më vetëtiu në gjoks shkëlqimi verdhosh i arit. Të dy anët e medaljonit ishin pakëz të fryra dhe perimetri i hollë, ku bashkoheshin në mes, mezi dallohej. Përveç atij urimit për jetë të gjatë, gjyshi shtoi pastaj: “Kur të mblidhemi për njëzetvjetorin tënd, po ta kesh ende, edhe mund ta hapim.”
U krijuan gjasat për të mos e patur në atë moshë. Dhe s’ishte aspak e lehtë për mua, sepse e dija që dhuratat s’është mirë të shiten. Por dija gjithashtu se për misionin që po ndërmerrte gjashtëshja e tij, po të ishte vetë gjallë, gjyshi do të ma falte mëkatin. Me këtë ndjenjë lehtësimi kërkova treg për floririn.
Kur hyra tek argjendari i parë, e mbajti në pëllëmbë të dorës, pastaj vuri në sy monoklin dhe duke përdorur një pincetë, ia ngriti kapakun medaljonit. Ai kishte përballë faqen e brendshme, ndërsa unë të jashtmen që farfurinte nga shkëlqimi. Pasi bëlbëzoi diçka pa zë për veten, mua më foli me zë:
“Nuk po e vë fare në peshore, sepse këtë flori nuk ka kartëmonedha që mund ta paguajnë. Por përderisa ke vendosur ta shesësh, patjetër e ke një hall. E sa parà të duhen?”
Shumën e vërtetë nuk e kisha llogaritur, prandaj ngrita supet. Ai s’më la të heshtja gjatë, ma ktheu medaljonin bashkë me ca kartëmonedha. Sipas tij, po m’i dhuronte vetëm nga kënaqësia që më së pari kisha trokitur tek ai.
Mirëpo unë trokita edhe tjetërkund. Kur po bëhesha gati për t’ia treguar argjendarit të dytë, pa i hedhur qoftë dhe një sy, më tha: “Unë as shes dhe as blej kurrgjë nga fëmijët. Po sikur ta kesh vjedhur atë send?!” Pastaj, si të donte të më vinte në provë, pyeti i penduar se çfarë mbaja në dorë. Duke hapur gishtërinjtë që ta shihte sa më mirë, i thashë se kisha flori dhe doja ta shisja. Kurse ai, si ta kishte pickuar gjarpri, m’u gërmush tërë nerva pas një çasti: “Mua do të ma hedhësh ti, mor çapaçul?! Mashtrues i ndyrë, vagabond, mbathja sa nuk të kam zënë në dru!” Më vërshoi gjaku në fytyrë dhe dola menjëherë i skuqur deri te veshët, si të isha ndonjë superfajtor.
Argjendari i tretë, ku hyra gjithë siklet, më mbajti ca më gjatë. Unë këtej dhe ai nga ana tjetër e banakut. Ku e kisha parë atë fytyrë, mos ndoshta në kortezhin e gjyshit? E kishte hapur medaljonin, veçse s’po i bëhej ta hiqte nga dora. Kurse në vend të monoklit, tashmë po përdorte syzet optike. Pastaj, teksa s’ia ndante vështrimin faqes së brendshme të kapakut, nisi të më fliste ngadalë. “E përse të duhen paratë ty?”, pyeti. “Duam të bëjmë një pelegrinazh në kujtim të gjyshit tim”, thashë. “Sa mirë, Jazi e meriton”, tha ai. E kuptova se e njihte, pasi vazhdoi shpejt: “Gjyshin tënd e kisha mik dhe tek unë e ka bërë dikur këtë medaljon. Vërtet ti je trashëgimtari i tij, por ai ka lënë edhe pesë nipa të tjerë, sivëllezër të tutë. Gjithë bashkë do ta bëni pelegrinazhin?” “Gjithë bashkë”, u përgjigja. Atëherë, si t’i kishte dëgjuar fjalët e argjendarit të parë, ma ktheu medaljonin duke thënë: “Ka flori e flori, por këtë tëndin nuk ka kartëmonedha që ta paguajnë. Prandaj nuk po e vë në peshore. Atij Jazit, ndjesë pastë, i kam patur një borxh dhe meqë nuk ia shleva dot në të gjallë, po shlyhem me trashëgimtarin e tij. Ndihmohet kështu ekipi për pelegrinzhin?”
Shuma e parave u rrit goxha me të hollat që më dha i treti. Dhuratë po e quaj, sepse atë punën e borxhit më duket e stisi. Përveçse për të ma hequr sikletin, e sajoi për të nderuar kujtimin e mikut të tij.
* * *
Dita që kishim caktuar erdhi. Por kaq i ashpër ishte moti, sa prej erës që shungullonte gjithandej, e shtymë marshimin për të dielën tjetër. “Veçse ky nuk është një piknik i zakonshëm, - iu drejtova ekipit, si të isha unë kapiteni. - Ky është pelegrinazh, prandaj shtyrje tjetër mos prisni.” “Nuk presim”, u përgjigjën njëzëri ata.
Në të vërtetë, s’patëm ndonjë fat të mirë. Të shtunën ra borë, madje ra edhe duke u gdhirë e diela. Megjithatë bëmë siç kishim thënë, gjashtëshja e Jazit u nis për rrugë. Kur dolëm përtej lagjes sonë, jo vetëm kodrën atje larg, por as tridhjetë metra para nesh nuk arrinim të shihnim. Tymi i mjegullës e kishte mbushur tërë hapësirën. Në këto kushte, më të voglin u detyruam ta kthenim. Si të kishte qenë i gatshëm nga frika, ai spurdhjaku nuk kundërshtoi. Duke na përshëndetur me dorë, ia dha vrapit drejt shtëpisë.
Por nuk vonoi dhe një tjetër u kthye me vullnetin e tij. Pastaj, pa kaluar shumë kohë, ai që ishte prapa meje u ankua se po i zihej fryma. Për ta çarë borën, unë ecja në krye dhe njëshkolona e vogël shkelte në gjurmët e mia. Mos po ecja shpejt? E ngadalësova hapin. Por si kaloi një copë herë, me ta kthyer kokën, pashë se vetëm tre kishim mbetur. Tashmë kishte nisur të frynte nga perëndimi dhe tymnaja e mjegullës po shtyhej pak nga pak në të kundërt. Papritur, dikush më preku në sup. Kur ktheva kokën, kishim krijuar largësi me marshuesin e fundit, që e kishte ndalur hapin. Sivëllai pranë meje, teksa ngjeshte kapelën deri te veshët dhe shfrynte avull nga goja, po më shihte me ca sy përgjërues, sikur po më lutej: “Të kthehemi të gjithë tashmë, mjaft me kaq! Ne e bëmë tonën, por nuk ia dolëm dot.”
Më pas ishte e kotë të shihja prapa, sepse e ndieja që kisha mbetur vetëm. Ecja duke u përpjekur të ruaja drejtimin më të shkurtër, që do të më çonte te kodra me obelisk. Asgjëkundi s’dëgjohej zë, asgjëkundi gjurmë hapash. Gjithë rrafshina asaj dite ngjante me një shkretëtirë të nemitur, ku vendin e rërës e kishte zënë bora. M’u kujtua se në një nga librat e vjetër të gjyshit kisha lexuar rrëfenjën për Jozefin me dymbëdhjetë djemtë e tij, atë që kishte përmendur mësuesi i historisë. Një ditë, kur u kthyen nga shkretëtira në shtëpi, njëri nga djemtë mungonte. Dhe ishte pikërisht ai, që Jozefi e kishte më për zemër. Babai i pyeti me ankth se ku ishte Jakobi. Ata u përgjigjën, e hëngrën bishat. Atëherë sytë e tharë të plakut u lagën prej lotëve. Nuk jam i sigurt, por ndoshta është njeriu i parë biblik, për të cilin thuhet se ka qarë. Dhe kishte shkaqe të forta, qante nga dhembja për të birin dhe nga tronditja se mos djemtë e tjerë po gënjenin. E vërteta ashtu ishte. Nga marazi që babai e kishte më të përzemërtin, ata ia kishin shitur Jakobin një karvani arab që përshkonte shkretëtirën.
Teksa sillja në mend këtë rrëfenjë, nuk e pyeta veten se ç’do të thoshte gjyshi për sivëllezërit e mi. Vështirë t’i gjykoje, ata kishin dashur të më shoqëronin, por nuk kishin mundur. Kurse unë ende isha i vendosur. Aq më tepër që edhe mjegulla vazhdonte të lehtësohej, duke ma rritur shikimin përpara. Kisha llogaritur që atë rrugë, të cilën në mot të mirë të rriturit e bënin më këmbë për një orë, unë do ta bëja për dy, ose dy e gjysmë. Mbasi të arrija kodrën e të haja diçka, do të pushoja një copë herë. Kthimi bëhej më shpejt, sepse terreni vinte ca i pjerrët në atë anë.
Por ndjeva se tashmë edhe lodhja po e bënte të vetën. Sa kisha ecur? Kur do ta shihja kodrën? Ndodhesha ende larg? Ngaqë muskujt e pulpave dhe të kofshëve po m’i mbërthente një mpirje therëse, këto pyetje s’më shqiteshin. Pak nga pak hapat e mi po ngadalësoheshin, ndërsa frymëmarrja më rëndohej vazhdimisht. Ndoshta ritmin e dihatjes ma shtonte edhe heshtja e shurdhët në gjithë atë territor, ku boshllëku dhe vetmia ndiheshin më tepër. Në çastin kur këmbët po më frenoheshin për t’u ndalur, vetvetiu m’u ngrit një afsh nga brenda dhe, thua se përgjigjen e prisja nga qielli, thirra me kokën lart:
“Gjysh, ku je?”
“Këtu jam, pranë teje”, m’u bë se dëgjova zërin e tij.
Atëherë mora zemër dhe e zgjata hapin. Madje, sa herë e ktheja kokën prapa, shihja në borë katër gjurmë, dy të miat dhe dy të tijat. Mos ishte ndonjë fanitje që m’i gabonte sytë? Kot të më kërkoni shpjegime, unë as që dyshoja ndopak, gjyshi ishte me mua dhe unë me gjyshin. Natyrisht, duke pranuar këtë shoqërim, pohoj edhe përtëritjen që ndjeva.
Veçse forca kishte qenë e përkohshme. Megjithëse marshova më tej, befas, afër kodrës m’u këputën gjunjët. Atëherë tërë trupi më la në baltë dhe desh u rrëzova.
“Gjysh!”, thirra përsëri. “Ku je, përse më braktise?”
“Aty më ke, me ty jam, Kevini im”, ma ktheu ai.
“Po të ishe këtu”, ngulmova unë, “në borë nuk do të shihja dy, por katër gjurmë.”
“Mos u tremb, ti po sheh aq sa janë”, më qetësoi gjithnjë. “Tashmë, duke të ngritur nga bora, po të mbaj në krahët e mi.”
Ç’ishte kjo përgjigje kaq e mistershme? Ah, ata krahët e tij! Ishin dobësuar e flashkur në pleqëri. Mos po e rëndoja me thirrjet e mia mizore, thua se doja ta ngrija nga dheu, duke i kujtuar premtimin që më kishte dhënë?!.. Fërkova sytë dhe e mblodha mendjen. Gjyshit nuk mund t’ia kërkoja ndihmën në këtë mënyrë, përderisa ura jonë e vetme, unë këtej dhe ai andej, ishte gjuha e shpirtit.
Sesi u ngjita deri tek obelisku, zor ta them. Kujtoj vetëm se atëherë mjegulla ishte zhdavaritur krejt. Nga maja matanë kodrës m’u shfaqën hapësira të reja. Unë kisha arritur pikërisht te drita. Në fillim pashë ndërtesat e larta të një qyteti, ku jetonin njerëz që kurrë s’i kisha njohur. Kurse përtej, nën diellin që i binte pingul, kaltëronte deti. Qielli ishte i pastër dhe larg, shumë larg, kubeja e tij dukej sikur bashkohej butë me blunë e ujit, duke e mbyllur pamjen. Kraharori m’u mbush me frymë dhe, pa dashur t’ia dija se isha fillikat, fola me zë disi i habitur:
“Horizontmetri!.. Masa e gjyshit për t’i njohur të Tjerët.”
Pastaj, s’di përse, ia përmenda edhe emrin me zë.
* * *
S’kisha bërë as çerekun e rrugës në kthim, kur pashë Lunën të vinte drejt kodrës. Dhe e dini kush e pasonte? Tre nga sivëllezërit e mi. E ndjeva menjëherë alarmin për mua. U gëzuan që isha shëndoshë e mirë, por nuk mbaroi me kaq. Edhe në shtëpi, prej një shqetësimi tjetër, Lunës i mbetën të ngrysura vetullat.
Meqë ishte e diel dhe mamin do ta gjente në shtëpi, atë ditë kishte trokitur tek ne një njeri, që kishte zbrazur ankime të rënda ndaj meje, duke më quajtur mashtrues e vagabond. Sapo dëgjova këto fjalë, që Luna i përsëriti tërë dëshpërim, më vajti mendja tek argjendari i dytë, ai që më kishte zbuar me tërbim: “Mua do të ma hedhësh ti, mor çapaçul?!”
“Çfarë mynxyre ke bërë, o bir?”, m’u drejtua Luna.
Ia rrëfeva të gjitha, pyetjet e atij dhe përgjigjet që kisha dhënë unë. Më duhen ca të holla për marshimin, i kisha thënë, dhe dua ta shes këtë flori. Pastaj... Por Luna më ndërpreu:
“E çfarë pastaj?! Kot ke broçkollitur pastaj, sepse jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Çdo metal i zakonshëm, kur lahet me flori, merr ngjyrën e tij... Kurse me gjithë bujarinë, gjyshit tënd nuk ia mbante xhepi për dhurata të shtrenjta.”
Pra, sipas mamit, medaljoni im ishte ndonjë metal i zakonshëm dhe ai malukati, duke e dalluar me një vështrim, kishte pandehur se doja ta mashtroja. Po dy mjeshtërit e tjerë përse ishin sjellë krejt ndryshe, madje ishin shprehur se këtë medaljon nuk ka kartëmonedha që mund ta paguajnë?!..
Duke dashur t’i shkoja misterit deri në fund, i kërkova mamit ta hapnim, pa pritur të bëhesha njëzet vjeç. Ajo u rropat pak, derisa në perimetrin e hollë gjeti buzën e vockël, ku futi majën e thikës. Pasoi një kërcitje e lehtë dhe medaljoni u hap. Në faqen e brendshme të kapakut lexuam: “Nipi im është floriri i vërtetë.”
Ndoshta ishte ruajtur prej meje dhe e kishte fshehur mallëngjimin, prandaj s’e kisha dëgjuar më parë. Por atë mbrëmje Luna psherëtiu për Jazin. Aq shumë kishte besuar gjyshi tek unë, sa edhe tani që vazhdoj studimet universitare, atë horizontmetrin e tij nuk e marr vetëm si një masë për hapësirën dhe njohjen. Prandaj, me kokën nga qielli, vazhdoj t’i them nganjëherë: “Gjysh, me mua je, je me Kevinin tënd!”
Dhe s’di pse ndiej një drithmë në gjak.
(Nga libri “Princi i buzëqeshjes”, Tiranë 2016)

0 comments:

Post a Comment