Saturday, February 17, 2018

Ramiz Kuqi: Cikli Poetik " Tek Gardhi i Shkaut"

FLUTURO SHQIPONJË
Fluturo mi malet e mia
Zbrit të lus sot
Deri në Çamëri
M'i përshendet ato udhë
Konaqe të vjetra
Mbetur si nënë pa fëmijë
Ndalu nëpër oxhaqe të shembura
Oborre mbushur dje me hardhi
Fik e portokaj nëpër oborre
Zërin e ëmbël të bariut
Që thurte këngë për atdhenë
Fluturo
Në çdo pore të tokës
Ka ende lot malli
Shpresë ëndërrime
Se do të zgjohesh një ditë
Ti Kosovë e Shqipëria ime
Atje
Ti shqiponjë të ulesh
Mbi degë ulliri
Zbrit të lus sot
Kur Kosova ka ditë me diell
Merr një mesazh lirie
Dhe endu nëpër atë qiell !

URIME KOSOVË
Mund të ishe më ndryshe se je
Dëshmorët
Ta falën gjakun
Që ti të ecësh kokën lart
Nënat
Lotin nëpër stinë
Të varfërit
Krahun e punës
Por gjithmonë ecëm me Ty
Të zgjohesh nesër
Pa maskarenj
Je ngritur në këmbë
Nga gërmadhat e shtëpive
Rrafsh me tokë
Nga oxhaqet
Varura në qiell
Që asnjë erë
S'i tundi për toke
Mund të ishe ndryshe
Kosovë !

VARGJE LIRIKE
Dëgjova një zhurmë në rrugë
Hapa të lehtë si pulëbardhë deti
Sikur derdhej qumështi në shtrungë
Në ëndërr valuar si loti mbeti
Nuk di a ishte erë a frymëzim
Kur trembur më zgjoi nga gjumi
Mes dritareve e bukur si rrapëllimë
Qiellit u ngrit mes reve si fluturim pëllumbi.

KAM HARRUAR

Ta përfytyroj detin
Kur e takova emrin tim
Në plazh
Cadra të grisura
Shtretër për kurriz
Me kukëza drunjsh
Unë harrova
C’sy pati mëngjesi me diell
C’ fustan
Kishte veshur deti
E pashë
Vetëm kur rrezet perënduan
Kam harruar
Ballin qërpikët lundrat
Atje mbi breg
Ndonjë fluturim pelikani
Sonte
Jam shtrirë mbi kujtime
Në sfond
Rrëshqas largësive
MË GRISET
Sa herë
Kur bie shi
E lag germat në Abetare
Ma grisin nga një germë
Pa dhimbje
E ndjej
Sikur ma heqin
Si me darë
Një copë mish thoi
Janë futur
Në llomin e kohës
Si zhytës nëpër kallmishta
Na ruaj ...
Nga ky i pasoj njeriu
Që na tërheq zvarrë
Nëpër stinë!
Në prag të një date
Ecim këmbëzbathur
Në mes të sheshit
Akrobatizojmë
Ruajmë një shtizë flamuri
Me polic të uniformuar!

KAFSHIMI

Si i gjarpërit mbi plagë
Plagë kufiri
Endesh nëpër kotësinë
E fjetur
Tash je kthyer
Ta kafshosh gjuhën tënde
Nepërkë nën gur
Kafshon mbi trup
Në gjeografinë e hartës
Unë kam folur
Me malet mbrëmë
Fishkëllimë e gjarpërit
Ma tremb fjalën në varg !


NË PËRVJETOR

Me thonj gjaku e bëmë lirinë
Me gjëma nënash
Për bijtë dëshmorë
E Shota Galica
Me pushkën e shekujve
Atë pushkën e gjatë
Që s’u ndal kurrē
Me flamurin e Gjergjit
E pritëm armikun
Të Gardhi i shkaut
Po pse sot ky flamur
Të mos valojë në shtizë
Në sheshin e Prishtinës
Në gjiun tënd Kosovo
Krah për krah me flamurin e yjeve?
Kujt ia vret syrin kjo shqiponjë
Me thonj gjaku me thonj!

MARR
Çdo ditë nga ti o lumë
Një dallgë të trazuar
Dhe pikturoj nga larg ylberin
Që pi
Shiun e ëndrrave
Dhe qep
Këmishën pa pulla
Fllad i detit
Të përqafoj dhimbjen tënde
Nëpër luginë
Marr
E nuk ngopëm
Në sytë e mi
Ti je ëndërr e.bukur
Çdo ditë nga ti o lumë!

TRE SHEKUJ
( Arbëreshëve në Zarë)
Me sy dhe ëndrra
Nga deti
O Arbëri
C’u dogja
Për Shkodrën time
Udhëtoj cdo natë
Si dallëndyshe pa kufinj
Tre shekuj
Mbytur nëpër lot
O Arbëri!

TI KULLË
(Adem Jasharit)
Ke mbetur ende me vrima
Nëpër mure
Nga ato predha
E plumba
Nga gjiu yt sot
Kulla e shekujve
Fluturojnë nëpër qiell lirie
Të bardhë pëllumba
Ti Kullē
Që luftove me një perandori
Nga gjaku i trupit tënd
U linde
Kosovē në liri!


0 comments:

Post a Comment