Tuesday, February 13, 2018

Namik SELMANI: URIM PER DITELINDJEN TUAJ


Një ditë e bukur për ju, por edhe për miqtë tuaj në Shqipëri e në të gjithë botën. Gëzuar ditëlindjen! Gëzofsh jetën nganjëherë edhe si të vijë. Ke në dorë motivin, për të cilin jeton. Ke fjalen që shkruan dhe lexon. Ke në dorë durimin. Mos qofshi vetëm nostalgjikë ku të fut pa dashur kjo ditë e vecantë për atë që keni bërë po më shumë largpamës për atë që do të bën qoftë edhe si fitimtarë sfidash. Shëndeti qoftë prijatari i ditëve të mbushura me urime. Me shumë mirënjohje, gëzim dhe respekt Namik Selmani Boston, 12 shkurt 2018
Një buqetë vargjesh për ditëlindjen
Kështu qënka jeta!
Kështu qenka jeta,
Të bëhet qielli si gardh i kullës atje larg, në Ylberin e Pakthimit
Të bëhet livadh
si çarçafët e nënës që i ndërronte netëve
Të bëhet
si duar që ngrihen mes lotit në udhë e nisur të mërgimit
Të bëhet
Si lule që vyshket dhe me ujë mes fletëve
Kështu qënka jeta,
Të mësojmë mes barotit alfabetët e botës me shkronja e shifra
Të gdhijmë netët
në tastiera ku përcillet malli si të ishte krahë pëllumbi.
Kur fshehim sytë
mes lotëve si shufra të thara ndër lisa
Kur prekim parqet
e zëri na ftohet ose na bëhet si prushi.
Kështu qenka jeta
të lësh amanetet e tokës edhe kur varri nuk të është hapur
Të bëhesh lulishtar
e nipërve dhe mbesave t’u vësh në flokë lule me dritë
Është mpakur bota
Shumë herë është ftohur dhe guri i pragut
Është kallkanosur zemra
E dashka prapë një kordele magjike lumturie
Kështu qënka jeta, mike
na bëri miq të shkronjëshqipes në shtigje të pasosur
Na bëri
kumtar i një kombi në shtete ku dielli e hëna mbyten nga drita
Ecëm
e hapat në ferra e semaforë u bënë si të Odisesë së palodhur
E u bëmë
tellallë me brirë që thërrasin për të tjera sfida
Kështu qënka jeta,
si të ishte një beden që do të tjerë gurë të rëndë
Kërkon
një këngë që t’ua vërë në buzë brezave në tokën tonë
E heshtja
të mos na vërë pranga në buzë, në zemër, në dhëmbë
E dasmat
t;i shtojmë më tepër në vjeshta mes drurëve verdhëllorë
Kështu qënka jeta
na ka bërë ajzberg mes dhimbjes dhe shpresës
Na dha
një brazdë ugari ku fara na ikën pa dashur nga dora
Litarët e shiut
u bashkuan me përrenjtë e lotëve faqes së rreshkur
Fëmijët
na u rritën më tej e dashurive iu ka ikur aroma
Na vuri në garë
me Ujëvarën e Niagarës a me maja Himalajesh
Na bëri
urtakë të bindur, bujq që mbjellin dhe në borë
Po nesër
do na shohë sërish mes pllakash të ftohta varresh
Vargut më të ri
t’i gëzojmë si lehonë a si mbreti me kurorë
Kështu qënka jeta…

0 comments:

Post a Comment