Friday, February 23, 2018

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

KOHË MARROQE
Guri im
Ke mbetur mes letrave
Si flutur nëpër qiell
Të bartin
Nëpër kuota të panjohura
Si ajo dritë e vogëlth
Nëpër pyllin e Ekos
Rrugën ma pret
Një ulkonjë me shumë sy
Që ec
Pa e vërejtur syri yt
I urti
Populli im
T’i kanë varur ëndrrat
Në gozhdë muri
Ah kjo grindje pari
Që bie e ik
Te guri!

SOSUR
Janë fjalët
Ëndrrat po digjen
Ngadalë
Qiriun e Naimit
Po ma fikin
Dritë
Në asnjë varg
Sosur
Janë stinët
Që m'i vodhën hajnisht
O , si nuk e kam..
Si nuk e kam
Atë grushtin e Migjenit
Ta çajë gurin në mes
E nga syri i gurit
Të shpërthejë një lot
Kokërmadh
Sa një lumë
T'i heq këto ashkla
Përtej ishujve t'i shpie
Sosur
Shpresë , ende shpresë?

ENDEN
Nëpër kurrizin tënd
Kosovë
Me harta Ballkani
Harta Evrope
Harta Azie
Hartën e Kosovën
E kanë futur nëpër skuta
Labirinte të pafund
Zaptuesit e fjalës
E inatçorë
Rrahagjoksit “atdhetarë”
Në sëcilën shkronjë
Ka një hije të fshehur
Nëpër kurrizin tënd
Enden kuaj të Trojës!

ERA
Mos iu gëzo aq shumë mëngjesit
Kur në horozon tè qiellit sheh mjegullnajë
Se shiu mund të bie e zogjtë i tremb
Era
Lulet e mbjella me thonj në kopsht
Mund t’i këput dora e plëngprishësit
Të bukurën e tokës mund ta mbyllin
Si fjalën e bilbilin që do cicërimë të re
Matanë grilave shpirti dhemb
Bashkë me bonjakun nëpër këto udhë
Me leqe të ngatërruara mbi samarin
Që bartin mbi supe të lodhura këmbë
Që tërhiqen zvarrë nëpër sheshe të hirta
Ku rrinë njerëz me kapelë të grisur në kokë
Mos iu gëzo aq shumë mëngjesit
Pa nxjerr dielli kokën në horizont
Pa i larë rrezja sytë të kroi i vashës
Që rri mejtuar pranë oxhakut të shtëpisë
Duke pritur një fjalë për vëllanë e tretur
Që një natë ia morën nënës nga gjiri i tokës
Barbarët e Karpatëve
Që ëndërrojnë Veriun e tokës së përgjakur
Deri në kërthizë të Kosovës
O sa larg kanë ikur ëndrrat e mia për një Varg
Pa rimë
Si një pikturë varur në hyrje të një kulle
Ku koha grindet me vetveten
Era m’i bart ngjyrat nëpër kryqëzime stinësh
Dekoratën lë ta marrin ata
Që ma vodhën buzëqeshjen
Në agimin e parë të lirisë së brishtë
Era...

MOS SHKRUAJ
Pa të djegur fjala në fyt
Pa t’u derdhur loti
Përvëlim nëpër mallë
Kur të takohesh
Ballë për ballë me ylberin
Lërë të pi
Në shtratin e lumit
Qielli të mbushet dallëndyshe
Nëpër damarët e tokës
Të lind
Një këngë e re
Si melodi
Të na i mbush vargjet
Me lirikë
Pa të djegur fjala në fyt!

KUR IK NGA DHEU
Mos mallko
Si hije loti të përcjell
I heshtur
Që s’del nga syri
Të ndrydh koha
Të ndjek një zë
Që s’e ndjen
A nuk e dëgjon
Malli
Të shtrydh
Kur ik nga dheu
Mos thuaj :lamtumirë!

E DI
Se diellin ta kanë zënë
Shpirtin ta kanë grisur
Zogjtë t’i kanë trembur
Ta kanë vrarë
Ëndrrën e lirisë
Udhët e mërgimit
Ah sa të rënda janë
Bie
E zgjohesh trembur
Hapëron
Nëpër udhë të panjohura
E di!
O SA BUKUR BIE
Tingulli i çiftëlisë
Kjo këngë për Ty Kosovë
Ti dole nga gëzhoja e tokës
Rëndë rrëzuar për dhe
Me shekuj
Si rob
Në tokën tënde
U ngrite
Si njjë lule
Që shpërndan aromë
Në Ballkanin anembanë
E dridh
Çerpikët e Vardarit
Lëkund
Degën e ndarë në Çamëri
O sa bukur bie
Ti gërnetë
Në këtë qiell të pafund
O SA BUKU BIE!

ORA E RITA ORËS
Tik-tak ora ra shqip
Vallëzoi shqip
Si një shqiponjë
E solli FLAMURIN E GJERGJIT
Në skenën e lirisë
Asnjë polic
Nuk ngriti kërbaçin
Grimcuan thonjtë paria
Në shtizën te Rrethi
U ngrite në qiell një brohorimë
Ritë
Ti na i mbushe ëndrrat
Me zogj e shqiponja !
Ora e Rita Orës
Ra Shqip !

O FLAMURI IM
" ..O mos thuj..."
Se ti rron
Në shpirtin e vegjëlisë
Që nuk e rrëzoi asnjë fërfëllizë
Dimra të egër kapërcyen mbi tokën tënde
O Flamuri im
Ti u valëvite nëpër netët e trazuara
Nëpër kulla burrash
Me Ty u rrit kënga betejave
Me Ty u ngrit në qiell shqiponja
"..O...mos thuj.."
Ti je ëndrra e mbjellë në vargje poetësh
Si fara e grurit në arat ku shqip
I thonë bukës e lirisë
E nuk të ndal asnjë Pari
Që shpirtin e kanë mbështjellë
Me djallëzi
Bien në gjunj e puthin
Këpucët nëpër udhë
Për një kolltuk
" ..O mos thuj .."

THONË
(Nënave )
Se nga loti i saj
U nda
Zemra e malit
E malli
Për birin e pagjetur
U shndërrua në bubullimë
Shkreptimë
Cdo natë
Në dritaren e hapur
Ajo u bë sogjim qielli
Sy e kokë nē dritare
Si nëpër ëndrra
Atje pa njē yll
Që i duk zog
E nga zogu portret
Rrënkoi si ulërimë
Si shi
Litar i pakëputur
Mbi varrin e saj
Shtatë lule
Mbinë në mars
Në shtatë thupra
E shtatë lumenj
Grishi diellin

TI KULLË
(Adem Jasharit)
Ke mbetur ende me vrima
Nëpër mure
Nga ato predha
E plumba
Nga gjiu yt sot
Kulla e shekujve
Fluturojnë nëpër qiell lirie
Të bardhë pëllumba
Ti Kullē
Që luftove me një perandori
Nga gjaku i trupit tënd
U linde
Kosovē në liri!

0 comments:

Post a Comment