Tuesday, February 27, 2018

Prend BUZHALA: SHITORJA PËR SHITJEN E LIRISË


(Tregim me pak fjalë në rrëfimin për Të Anatemuarin e shekullit XXI), 2
Nganjëherë, kur ti ndalon dhe shtron pyetjen: a më e lehtë është të zgjedhësh vullnetarisht, apo të jetosh, duke i duruar dhimbjet, vuajtjet, mjerimet, sfidat? Shumëkush e ka zgjedhur të parën dhe e kishte më të lehtë me përfitime dyfish: kursehej nga dhimbjet dhe i çmohej sakrifica, duke marrë dhe tituj nderi...
Kur personazhi i këtij tregimi zgjodhi këtë të dytën, ai hasi edhe në një sfidë të paparë, në një vullnetarizëm tjetër: njerëzit, ose nga lodhja, ose nga një opium i padukshëm sferik, po hiqnin dorë vullnetarisht nga liria e vet dhe nga atdheu i tyre. Madje, për këtë qëllim, ishin hapur edhe shitore vullnetare për shitjen e lirisë, për shitjen e shtëpisë, për shitjen e familjes dhe për shitjen e atdheut.
Më në fund, u hapën shitore edhe për shitjen e shpresës dhe për shitjen e shpirtit.
Dhe nuk u hapën vetëm shitore, por edhe zyra ambasadash, tempuj fetarë, këshillimore për shitjen e lirisë... Madje, në këshillimore çmimet ishin më të mëdha!
Gjithçka tjetër kishin menduar: si të mos kenë liri e si të heqin dorë vullnetarisht prej saj, dhe prej të gjitha të tjerave, për ta marrë ose botën në sy, ose me ndonjë aventurë tjetër... për përfitime të mëdha! Leverdia ishte e madhe: sa më shumë të hiqje dorë, aq më shumë fiton e përfiton!
Personazhi i këtij tregimi çirrej më kot kundër kësaj gjendjeje: zëri i tij nuk dëgjohej, përbuzej. Madje, e shpallën fajtorin kryesor për gjendjen e krijuar; ia sulmuan familjen, ia përbaltosën emrin, e shpallën të çmendur, njeri që nuk vlen pesë para, njeri të rrezikshëm që vuan nga shumë të këqija e sëmundje.
- Nuk dëgjohet njeriu i tillë, jonormal, - thoshin ata që trashmë kishin krijuar një realitet të tillë shpirtshitjeje, lirishitjeje e atdheshitjeje, familjeshitjeje e shtëpishtjeje.
Tashmë turma e tillë po hiqte dorë edhe nga virtytet njerëzore.
Po e merrte si masë të saj shpifjen, sulmin, pështymjen.
Zërat demoniakë buronin si nga ferri:
- Si nuk mësove nga ne si ta sulmosh nënën tënde? E di që ka përfitime të mëdha nga kjo punë?!
- Si nuk mësove si të pështysh sa më shumë në Atdheun tënd? E sheh si ke mbetur i varfër, për faqe të zezë?!
Por qëndresa e Personazhit tonë apo e Të Anatemuarit të Shekullit XXI, e bëri të veten:
- Është dikush që mendon për ty. Ka shumë kohë që po të vëzhgoj,- i tha një vajzë e bukur.
- Ti je njeri, i lindur për vepra të mëdha,- vazhdoi t'i thurte lavde vajza, i ulej pranë dhe lotonte pranë tij. Zbrazte dhemben e saj pranë tij.
Ai mori fuqi të reja, kur po gjendej në prag të thyerjes. Dhe u martua me të e krijoi familje.
Dikur, e vërejtën se sa larg kishin shkuar me sjelljet çnjerëzore e me shitjen e gjithçkaje.
I luteshin, tash, Njeriu të anatemuar, që, së paku, t'ua tregonte rrugën e kthimit të shpirtit.
Ishte vonë për t'u bërë njeri.
Ishte vonë të bëheshin përsëri miq me Të Anatemuarin e Shekullit XXI!
Kishin humbur lirinë, atdheun, familjet dhe gjithçka tjetër...

0 comments:

Post a Comment