Wednesday, February 14, 2018

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

NDONJË DITË
Fjala
Merr mbi supe
Zemrimin e detit
E nuk fle
Në gjiun e valëve
Ndonjë natë
Vjen
Si prush
Përcëllon
Deri në kockë
Nëpër kujtime
Të shpi
Sikur era të rrëmben
Po bregun me diell
S’e heq
Nga ëndrra e bukur
Se do vij
Deri të ura me harqe
Ndonjë ditë
E ditë
E javë e muaj ?

E MARTË
Dita na zuri për Valentin në Alnabry
Larg diellit në Jugun e trazuar
Po shoh përtej perdeve ngjyrë hiri
Dielli nga andej nuk na paska harruar
Grua
Ti na dhurove paqe e dashuri
Për vite të tëra ashtu si je
E padjallëzuar
Nga trungu yt kanë celur lule
Trëndafila syzgjuar
Zgjohu të ikim sot
Përtej dhimbjeve të ditëve
Agimeve me erë të ftohtë
Të zbresim në thellësinë
E netëve pa gjumë
Kur kundronim hënën me yje plot
E martë...
Unë vargje dashurie
Sot të fali
Në kujtim të Valentinit trazuar nga malli!

MBAJ MEND
( Për herë të parë në Durrës viti 2000,)
Bunkerët buzë detit
E ca fëmijë që nxirrnin shufra hekuri
Nga betoni i derdhur
Një shtëpi të vogël në plazh
Dhe syrin tim të përlotur
Njerëzit që luanin letra bixhozi
E ngritnin nga një gotë verë
Elidën e vogël rreshkur nga dielli
Që mbante një libër në dorë
Sytë e saj shpërndanin rreze dielli
Mbaj mend kur dallgët
Ranë mbi vargje poezie
Këngët buçitëse
Rrugët pa dritë neoni
Netët e gjata pa pëshpërimë
E askund nuk të gjeta
Si në fletushka
Që vinin vjedhurazi
Në konviktet studentore
As nëpër ato valë të Radio Tiranës
Dhe këngët për Enver Hoxhën
E Shqipërinë e fortë si graniti
Që s'mund ta thente asnjë armik
Mbaj mend ...

E DIEL
Të ftohtit ka hyrë
Nëpër damarë të fjalës
O ti ishull pa zhurmë deti
Që emrin e ke vetmi!
Ik më o dimër ik
Të zbres një ditë sheshit
Të plepi i vjetër në Prishtinë
Vetëm portreti ka mbetur
Në fotografinë e vjetër
O sa herë e kam mbështetur
Faqen për trupin tënd të carë
Pritje jam bërë!

0 comments:

Post a Comment