Tuesday, September 6, 2016

Baki Ymeri - Dezinformatorët e Shkupit

Nënë Tereza dhe dezinformatorët e Shkupit
Jo popujt apo fetë i kanë fajet por kungujt e tyre. Informatorët e deridjeshëm të sigurimit janë bërë infraktorët e sotëm të shtypit. Shkuan e mbushën deri në gërditje shtypin e Shkupit me sintagma teroriste kundër një kombi heronjsh. Kur e panë se edhe ne kemi vlera të larta të krishtërimit, shumë më të motshme e më të shenjta se vlerat e tyre, sllavët kurdisën gjithfarë planesh për të na i përvetësuar. Pasi na e morën Shën Naumin, pasi tentuan t’i sllavizojnë shqiptarët e Rekës, deshën edhe Nënë Terezën të na e përvetsojnë. Po qe se analizohen shkencërisht faktet konkrete të antishqiptarizmit, del në shesh e vërteta se fajtorët më të mëdhenj në këtë kontekst, na dalin psikopatët e infektuar nga komplekset e ksenofobisë konfesionale. Edhe pse krishtërimi e konsideron gënjeshtrën si mëkat, del një psikopat i Shkupit dhe hedh i pari gënjeshtrën gjoja se Nënë Tereza na qenka vllahe. Sikur të ishte e tillë, i pari që duhej të gëzohej për këtë fakt, do të ishte autori i këtij shkrimi, pronar i një përkatësie të përzjerë etnike e konfesionale.
Pas një serë shpifjesh shkupjane të kuzhinave pansllaviste, shkon redaksia e revistës bukureshtare Enciclopedia Personalitatilor, dhe boton një portret për Nënë Terezën, duke e përsëritur gënjeshtrën e Shkupit, gjoja se ajo na qenka me prejardhje vllahe. As redaksia, e as Bukureshti, nuk kanë kurrfarë faji. Fajet vijnë nga kungujt e albanofobisë. Edhe Petru Vullkani i Manastirit ishte vllah, por ai na donte më shumë neve se sa sivëllezërit e vet. E botonte këtu, përgjatë Luftës së parë botërore, revistën “Tribuna Albano-Română” (1916). Vllah e kemi edhe Pandi Bellon e Korçës, Robert Çollakun e Tiranës, Elda Kokoneshin dhe Andon Kriston e Elbasanit, mbretëreshën e melosit shqiptar Eli Fara, por për ta është e huaj urrejtja fetare, apo disponimi antishqiptar.
Mos paç punë me fajtorë, infraktorë dhe dezinformatorë! Jo “Bijë e Maqedonisë” është Nënë Tereza, por “Shqiptare e shenjtë me prejardhje nga Maqedonia”. Një sintagmë të këtillë e preferojnë bukureshtarët për monumentin e saj në Romë. Duke bërë fjalë për të parët e saj, ajo shprehet se ka lindur “në Prizren të Shqipërisë, një qytet i lashtë i krahinës së Kosovës, në një familje ku praktikoheshin vlerat fundamentale, ku jetohej me mëshirë, me njerëzishmëri dhe me kujdes ndaj të afërmit". Në kuadrin e 143 faqeve të monografisë së gazetarit italian Renzo Allegri “Tereza dei poveri” (A colloquio con la Madre di Calcuta), Editrice Ancora Milano, 1992, autori kishte njohje personale me Nënë Terezën, e cila nuk i rrëfehej gjithëkujt. Libri u botua në të gjallë të saj dhe qarkulloi në Itali e shumë vende të botës. Por në libër figurojnë mendimet e shumë figurave të njohura të kulturës si ato të regjizorit Franco Zeffireli, poetit Enzio Fabiani-t, piktorit Aligi Sasso, violinistit Utto Unghi, ish ministres së arsimit, Rosa Russo Jurvelino e cila pohon: “ Nënë Tereza, kur ishte vetëm Anjezë Bojaxhiu të afërmit e shtëpisë e thërrisni Gonxhe, që në gjuhën shqipe do të thotë “gonxhe” si dhe të gjithë këto personalitete theksojnë në kontekste të ndryshme origjinën shqiptare të Nënë Terezës. Autori dëshmon se është një njohës i mirë i historisë së Europës juglindore, ku shkruan: “Më 1913 Shqipëria fitoi pavarësinë (është fjala për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë, shpallur më 28 nëntor 1912, nga Konferenca e Ambasadorëve, Londër 1913) dhe familja Bojaxhiu e ka festuar këtë ngjarje të madhe. Por menjëherë mbas shpërbërjes, kur zona e Kosovës u përfshi në kufijtë e Jugosllavisë, autoritetet sllave filluan persekutimin e Nikollë Bojaxhiut, e rrahën, e poshtëruan, por ai nuk u dorëzua dhe së fundi, duke e cilësuar si rebel vendosën eliminimin e tij fizik. Më pas, deri më 1934, familja e Nënë Terezës vazhdoi të jetojë në Shkup, ndërsa më vonë u transferua në Tiranë. Edhe pas vdekjes së nënës e motrës së saj, Nënë Tereza vazhdoi të mos pronuncohet për fatin e familjes së saj. Shqipëria ishte atdheu i saj dhe ajo priste çmimin kur do të vihej në shërbim të tij.”
Gënjeshtarëve të Shkupit s’u shkon më kungulli mbi ujë, ngase me rastin e shenjtërimit të Saj, krejt bota është duke e kuptuar të vërtetën se kemi të bëjmë me një Nënë të Shenjtë Shqiptare. Këtë e konfirmoi para ca vitesh edhe televizioni i Bukureshtit “Realitatea TV”. Duke përmbyllur portretin prej gjashtë faqesh për Gonxhe Bojaxhiun, periodiku bukureshtar Enciclopedia personalitatilor (nr.31), jep vargjet e Terezës së shenjtë, që ta përkujtojnë shenjtërinë e krishterë të stërgjysheve tona: “Përmes gjakut dhe prejardhjes, jam shqiptare./ Nënshtetësia ime është indiane./ Jam një murgeshë katolike/ Përmes thirrjes sime, i përkas krejt botës/ Por përnga zemra, i përkas Jezu Krishtit”. (Baki Ymeri)

0 comments:

Post a Comment