Kujtim Stojku - Poezi Për Nënë Terezën
NËNA E MADHE E GLOBIT
Lart nga qielli në një vegim,
Me krahë të ndritshëm safiri,
Ç’e ngazëllove shpirtin tim
Me më të ëmblin përqafim.
Ne për ty asgjë nuk dinim
Mësuam vetëm kur bëre jehon’
Se ishe nënë e gjithë globit,
Ishe gjak, prej gjakut tonë.
Nuk e njohëm me kohë punën tënde
Që shkëlqente magjishëm si ylberi
Me puthje fëmijve u fshije lotët,
U qetsoje shpirtin si me rreze dielli.
Ti u nise nga vendlindja Iliriane,
Si stërmbesë e perëndive
Dashuri të buronte nga zemra
T’u bëheshe strehë e miljona fëmijve.
Ata s’kishin as plang e as shtëpi
Mbetur rrugëve të pa shpresë,
Ti të gjithëve u fale dashuri,
Dashuri nëne që kurrë nuk vdes.
T’u bëheshe nënë varfanjakët s’e dinin,
I ngjaje detit që ushqehej nga rrëketë,
Ti ishe shpresa e dërguar nga qielli,
Se të dërgoi me mision Zoti vetë.
Dashurinë dhurove pa dhimbje,
pa kursim Dashuria jote sot rrjedh në gjithë botën,
Ku gjen mbështetje e ngushëllim çdo jetim
Kur nëna e madhe botërore u fshin lotët.
Ti u bëre për ta mjeku, mësuesi, shkolla
Ti u bëre një engjëll me krahë të praruar.
Si zanë e maleve shqiptare s’njihje vështërsi
Nina-nana ditë e natë rrije duke kënduar.
Shpëtove me miljona jetë engjëllore,
Me dashurinë tënde i bëre njerëz të lirë,
Ndaj nga toka dhe qielli u falënderove,
Bekuar qofsh përjetësisht,moj Nënë e mirë.
Pena ime gërvish mbi letrën e kohës,
Duke ju lutur zotit gjithmonë për ty,
Të mbetesh shenjtore e të gjithë botës,
Një nënë e madhe nga nëna Shqipëri...
0 comments:
Post a Comment