Tuesday, September 27, 2016

Prend Buzhala - Homazh për dr. Dom Gjergj - Gashin



(Pas shkuarjes së tij në amshim)
Që në fillimvitet '90, kur në Stubëll filluan manifestimet Letrare e Kulturore TAKIMET E DOM MIKELIT (që u priu dr. prof Engjëll Sedaj), krijues e vizitorë të shumtë, ndër të tjera, kishin parë dhe muzeun, që e kishte themeluar dom Gjergj Gashi diku kah viti 1973. Porse, gjatë atyre viteve, prej 1990 e deri më 1999, ai shërbeu si meshtar në Shqipëri. Kësaj radhe, në këto MANIFESTIME, erdhi lajmi se ai një ditë më parë kishte shkuar në përjetësi.
1.
Shqiptarët këndej kufirit, në Kosovë, gjatë atyre viteve do ta kenë parë meshtarin në ekranin televiz të RTSH, kur Akademia e Shkencave e Shqipërisë ia pati promovuar veprat e tij, i përcillnin intervistat e tij që reflektonin intelekt të thellë, elokuencë të mahnitshme, me një të folur të pastër sipas normave drejtshqiptimore, një atdhetarizëm në frymë rilindase...
I lindur më 1 maj të vitit 1948 në Stubëll të Komunës së Vitisë (Kosovë), ky prift kishte arritur të doktoronte në vitin 1987 në Romë, ku mbrojti disertacionin e doktoratës me temë: "Martirët shqiptarë të Karadakut gjatë viteve 1846-1848", që botohet në Ferizaj, Drita, 1994 (Universitas Urbaniana, 1988. Parte 1a, 73 f. doktoraturë e mbrojtur në Universitetin Urbaniana). Shkoi në përjetësi më 23 shtator 2016 dhe u varros më 25 shtator, në Stubëll.
Mbahet mend gjatë viteve '90, si meshtar, mik dhe shoqërues i Nënë Terezës gjatë udhëtimeve të saj në Shqipëri.
Lexuesit të kujdesshëm të veprave të tij, i bien në sy qëmtimet e dokumenteve të historisë së shqiptarëve nëpër arkiva të Romës, Vatikanit, Vjenës, Raguzës e në sa e sa të tjera.
Veprat e tij i botoi gjatë viteve '90, janë:
1. Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848. Ferizaj, Drita, 1994.
2. De martyribus albanensibus anno 1846 in odium fidei damnati, tesi di laurea, Roma, 1981. 3. Albanski mučenici u Razdoblju 1846.-1849. (Skopska Crnagora u skopsko-prizrenskoj biskupiji tijekom XIX. stoljeća), doktorska disertacija. Prvi dio, Separat – dijelovi disertacije. Peć, Rkt Župni, Zagreb, OOUR Tiskara, Zagreb, 1988.
3. Nënë Tereza dhe martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848. Botime historike. Zagreb, Drita, 1994.
4. Dardania-Kosova, altari i Arbërisë, 1910-1941, në tre vëllime:
- Vol.1. Dokumenti 1-27: At Mati- Luigji Sopaj-Paliq, OFM-Martir. Onufri, 1997.
- Vol.2: Dokumenti 1-39: Imzot Lazer Mjeda 1869-1935, “Martir i gjallë” dhe Arbëria në kohën e tij. Onufri, 1997.
- Vol. 3. Dokumenti 1-38. Eurorilindja, 1996.
5. Vatikani dhe Arbëria 1700-1922. Vëll. XVI/I-II: (Acta albaniae Vaticana): 1700 (1622) -1922: Vëll I-XVI; XVI/I-II. Dokumente për historinë e Arbërisë : Dok.nr.1-1531: Vëll. XVI-I. Treguesi i materialeve (index materiae): Vëll. XVI-II; Dok.nr.50; 67 (487). Tiranë, Onufri, 1998, me 500 faqe.
Në regjistrimet e gjetura të Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë, gjenden këto të dhëna:
1. Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu : 1405-1468 : [përkth.] / Athanas Gegaj; Gjergj Gj. Gashi
2. Acta Albaniae Vaticana [dorëshkrim] : index materiae :1669-1914 / Gjergj Gj. Gashi
3. De martyribus albanensibus anno 1846 in odium fidei damnati : tesi di laurea : Roma, 1981 / Gjergj Gj. Gashi
4. Organizim i përkoshëm i shkollavet shqipe [dorëshkrim] / Gjergj Gj. Gashi
5. Vatikani dhe Arbëria : 1700-1922 : Vëll.XVI/I-II : (Acta albaniae Vaticana) : 1700 (1622) -1922 : Vëll I-XVI; XVI/I-II. Dokumente për historinë e Arbërisë : Dok.nr.1-1531 :Vëll.XVI-I. Treguesi i materialeve (index materiae) : Vëll. XVI-II; Dok.nr.50; 67 (487) / Gjergj Gj. Gashi
6. Mençuria iliro-shqiptare nëpër botë / Sinan Gashi; Gjergj Gj. Gashi; Muhamet Shatri
7. Ujëvarë drite në zemër : katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agnes Bojaxhiut-Nënës Tereze / Anton N. Berisha; Gjergj Gj. Gashi
8. Doracak për Nënën Tereze / Anton N. Berisha; Gjergj Gj. Gashi
9. Dardania-Kosova, altari i Arbërisë : 1910-1941 / Gjergj Gj. Gashi
10. Nënë Tereza dhe martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848 / Gjergj Gj. Gashi
11. Gjërat e bukura janë të rralla : [Mbi stemat dhe flamujt e principatave arbërore] / Gjergj Gj. Gashi
12. Albanski mucenici u razdoblju : 1846-1848 : (Skopska Crnagora u skopsko-prizrenskoj biskupiji tijekom XIX stoljeca : separat-dijelovi disertacije / Gjergj Gj. Gashi
2.
Pas luftës erdhi në Kosovë. U vendos meshtar në Kishën katolike të Gllaviçicës (Pejë). Ndonëse vinte nganjëherë në Klinë te ndonjë mik i rrallë, kthehej shpejt në zyrën e tij famullitare. Një ditë, diku kah viti 2002, shkuam ta vizitojmë me dr. Ukë Berishën dhe t'i kërkojmë ndihmë në materiale. Sado që kishte vendosur një regjim të rreptë vizitash (ngjante në një eremit e mistik antik, i tërhequr në vetminë e tij të thellë), biseda zgjati disa orë. Me shumë pasion na i tregonte dhe shkoqiste qëmtimet e tij, simbolet e shumta antike në ndërlidhje me ato kombëtare, dokumentet... Kishte një informacion e dije të zhdërvjelltë, të thellë, për ta shtjelluar tematikën dhe lëndën dokumentare. Të tre vëllimet (Dardania-Kosova, altari i Arbërisë, 1910-1941) që m'i kishte premtuar, më vonë i kishte fotokopjuar dhe mi kishte sjellë në Klinë, me shënime të tjera. Me përmirësimet e dokumenteve të botuara...
Sado që janë shkruar dhe nga të tjerë autorë studime e monografi për martirët e Karadakut, vepra e këtij autori mbetet më e plota dhe më seriozja. Madje, tek studimet e tij lexuesi e vëren akribinë e rreptë shkencore në mbarështrimin e shtjellimin e lëndës së trajtuar.
Më pas kishte ndonjë paraqitje të rrallë në Manifestimet Letrare e Kulturore TAKIMET E DOM MIKELIT a nëpër kocelebrime meshash.
Ndërkaq, publiku i gjerë e njeh dhe për atdhetarizmin e tij të flaktë... për personalitetin e tij aspak konformist...

0 comments:

Post a Comment