Saturday, September 24, 2016

Prend Buzhala - Kundërrime 84

SHKRIMTARI I SHITUR,
NË ROLIN E RI TË CENSORIT NEO-IDEOLOGJIK
1.
Kam besuar që, në kohët e shembjes së totalitarizmave (komunistë), nuk do të vlejnë më kriteret ideologjike për vlerësimin e letërsisë. Aso kohe shpërbleheshin shkrimtarët e përshtatshëm me regjimin, që kishin privilegje e poste partiake,... Kam besuar se shkrimtari ishte gjithnjë në anën e atdhesisë, lirisë,demokracisë, përparimit etj etj.
E, në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit.
Kam besuar se, në anën tjetër të barrikadës, do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj.
2.
Por dihet, nga ana tjetër, jo rrallë po ky shkrimtar shqiptar, si kudo në botë, ka qenë edhe bashkëpunëtor i Ministrisë së Milicisë shqiptare a sllave, eksponent i regjimit, ekzekutor i Res Publica-s, kalemxhi shpirtshitur, që ka luajtur rolin e censorit ideologjik të vrasjes së vlerave, të përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues.
Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e Të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një Të Vërtete, kurse të tjerat Të Vërteta duhet të heshteshin.
3.
Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdheut, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët.
Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?
4.
Po sot?
Kjo do të thotë që, sot, Letërsia e Politika mund të ecin bashkë, nëse angazhohen për ideale të njëjta, për liri,demokraci, humanizëm e drejtësi, e, mbi të gjitha, për vlera artistike e letrare. Por assesi nuk mund të ecin së bashku në fushën e demagogjisë, në të cilën mund të veprojë vetëm politika "si kompetente e demagogjisë"!
Prapë po na rickliohet e kaluara: "i mirë" e "me vlera" na qenka vetëm krijuesi a studiuesi a njeriu i letrave që i takon partisë a partive në pushtet!!! Të tjerët, duhet të qëndrojnë në margjina!
Duke i margjinalizuar vlerat, në fakt, ata e margjinalizojnë dhe e fusin në qorrsokak të sotmen... Letërsia shndërrohet në neo-ideologji, në prepotencë krijuese e në prepotencë mendimi. Demokracinë e humanizmin i shndërrojnë në leva interesi dhe në autokraci kundër vlerave.
Dhe kjo i hakmerret jo vetëm Republikës së Kosovës, por, në radhë të parë, vetë atyre, që na shpifen si njerëz me vlera e që në të vërtetë mishërojnë pseudo-vlerat...
Dhe këtë e bëjnë për hir të interesit të parasë publike, ku mund të zhvatet pamëshirshëm paraja e tillë!
Fan Noli do të lëshonte thirrmën e tij: "Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,/ Liberator!"

0 comments:

Post a Comment