Tuesday, September 27, 2016

Prend Buzhala - Nijh Vetveten


PËRTEJ NJË KONFLIKTI MENDËSISH, ADHUROHET MENDËSIA SHQIPTARE
(Kundrime III), 86
1. Sipas traditës sokratiane “Njih vetveten”, edhe vetë Aristoteli e përmend fjalën TAUTOTES (të jesh vetvetja), ndërkohë që latinët kishin për këtë gjë fjalën IDENTITAS. Së këndejmi, edhe tradita e veçantë e etosit shqiptar të urtisë e trashëgimisë sonë, përbën vetveten tonë, pra, e paraqet atë jetën autentike shqiptare të vetërregulluar e të vetorganizuar. Piter Berger do të thoshte se strukturat shoqërore specifike, si dhe strukturat e tilla historike, i krijojnë tipat e identitetit, të cilët do të mund të përveçoheshin e të njiheshin në shumësinë e në përdallimet e këtyre strukturave.
Duke e parë ende të papranuar së jashtmi e së brendshmi çështjen tonë, atëherë vjen edhe ftesa e kohës sonë: për mendësi shqiptare e për mendimin shqip. E për ngritjen e kësaj mendësie, kjo ftesë porosit njohjen, vetënjohjen, që janë kusht i ndërtimit të identiteti individual, nacional e besimit të lirë.

2.
Intelektualët e mirëfilltë artikulojnë gjakimet e shqiptarëve, pa dallimet fetare, ideologjike a botëkuptimore, “se në këtë trung të përbashkët e kemi djepin e identitetit kombëtar, kulturor dhe civilizues.” Ata e duan shqiptarin sa më të përsosur; një qenie të lirë e jo të skllavëruar, të bashkuar e jo të ndarë në disa shtete apo të shkapërderdhur nëpër Perëndim a Lindje; që iu falet e iu përkulet vlerave shpirtërore, mbas atij gjenocidi, tmerri e holokausti e jo të jepet mbas adhurimit të vlerave të rrejshme... Ndryshe, populli ynë, posi Jeziu, e pësoi deri në fund vuajtjen më të lartë, ashtu edhe Triumfin, që e zhduki vërtet skandalin millosheviqian “të një Zoti tiran.” Ata dëshirojnë të mos e shohin konfrontimin aty ku të tjerët e kërkojnë me çdo kusht këtë: “Lindja dhe Perëndimi – dy shpirtra plotësues”, sepse gjendemi në pikën gjeostrategjike midis tyre.
Së këndejmi ndodhi edhe ai shtresimi oriental: veçoritë e tij janë emocionaliteti, adhurimi i të kaluarës, me mitin e kultin e paprekshëm fetar a nacional.
Te Perëndimi: racionalizmi, mendësi pa emocione, e pamëshirshme, që të kaluarën e sheh si Mësuese të Jetës, për ta krijuar të ardhmen, por e jeton të tashmen. Pragmatizmi lëshon lozën e tij të shfrenuar (luksi, mobilet e kushtueshme, droga, erotika e sëmurë...), ... por kjo ka edhe anën tjetër të medaljes: të kënaqur me atë që kanë arritur.
Në këtë konflikt mendësish, shpallet dhe ftesa për mendësi shqiptare, jo duke ndërruar fenë me çdo ksuht a të qëndrosdh aty me çdo kusht (postulat është LIRIA E BESIMIT, ZGJEDHJA...), për të mos e ndërruar e këmbyer me diçka tjetër kulturën a doket tona, por për ta shkarkuar atë baltën shekullore, paragjykimet, egoizmat, klanet, postet...
Kurse të gjitha ato që na ndodhën, le të jenë kalitje, kthjellim, vetëdijesim..

0 comments:

Post a Comment