Sunday, September 4, 2016

Frrok Kritaj -Bijtë e "Rilindjes" Janë Bijtë e Mi

Dramca jete kushtuar NËNËS TEREZE

Më 27 maj të vitit 1980 nga Vashington i SHBA-ve kishte lajmëruar korrespodenti i të përditshmës “Rilindja”, Maksut Shehu, se në atë mbrëmje në aeroponitr e Prishtinës arrin Nëna Tereze. Me të arritur të teleksit në redaksinë “Rilindja” në Prishtinë, Fadil Bujari, kryeredaktor, dhe Rexhep Zogaj, drejtor, ftojnë tre gazetarë për ta pritur Nënën Tereze në aeroport dhe për ta zhvilluar një intervistë për gazetë. Me atë rast nga udhëheqësitë e gazetës është ftuar Avni Spahiu, Binak Kelmendi dhe Frrok Kristaj. Ata pasi i përgatitën pyetjet për Nënën Terezen, me vozitësin e veturës së drejtorit, Nikollë Palokaj, shkojnë në aeroport diku rreth orës 23. Atje takojnë shumë priftërijnë dhe motra nderi. E lusin don Anton Ceremotiqin, vikar i atëhershëm i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, për t’ua mundësuar një intervistë me Nënën Terezen, e ai u thotë se nuk bënë. Për bisedë duhet të vini nesër në Shkup.
Me insistimin e Frrok Kristajt përsëri nuk u munësohet biseda. Me atë rast Frrok Kristaj e lut dr. Don Lush Gjergjin, kurse ky u thotë se do të bëjë krejt çka është e mundur. Dhe, me të vërtetë, me arritjen e Nënës Tereze, aty rreth orës 23 e 10 minuta, del dr. Don Lush Gjergji dhe e lut Nënën Tereze për një bisedë me gazetarët e “Rilindjes” e ajo premton se pas përshëndetjes me priftërinjë e motra nderi do të bisedojë edhe me gazetarë.
Përshëndetet Nëna Tereze me priftërinjë e motra nderi dhe pastaj i drejtohet don Lushit:
- Ku janë gazetarët? Bijtë e “Rilindjes” janë bijtë e mi, thotë Nëna Tereze.
- Gazetarët ofrohen, ia puthin dorën dhe ulën për të biseduar për gazetë.
- Si dëshironi të flasim Nënë e dashur, i drejtohet Avniu.
- Në gjuhën tonë, bijë e mi, përgjigjet ajo.
Biseda për të cilën ishim marrë vesh që të zgjas pesë minuta, zgjati 27 minuta. Të nesërmën në faqet e “Rilindjes” ishte botuar intervista me Nënën Tereze, që e kishte nënshkruar sipas marrëveshjes së gazetarëve, Avni Spahiu, kurse fotografinë e kishte punuar Frrok Kristaj. Ndërkaq, pas disa ditësh Frrok Kristaj e botoi një intervistë tjetër nga ajo bisedë, kryesisht me gjëra që nuk ishin përfshirë në intervistën e botuar në gazetën “Rilindja”, në revistën “Kosoravja”.
Këto edhe ishin intervistat e para që dha Nëna Tereze për gazetën, përkatësisht revistën në gjuhën shqipe në Kosovë. Kjo edhe ishte vizita e parë e Nënës Tereze pas lauerimit me Çmimin Nobel për Paqe në Osllo të Norvegjisë (10 dhjetor 1979).
“Tribuna”, Prishtinë, numër 3-4, 1997, faqe 131

NËNA TEREZE: TË PASURIT RRALLË E KANË ZEMREN MAL

Nënë Tereza e njohur në mbarë botën si nënë e varfanjakëve dhe bonjakëve, këto ditë vizitoi Prishtinë, e cila me aeroplan special arriti nga Zagrebi, me ç’rast për lexueset e “Kosovares” zhvilluam këtë bisedë. Nënë Tereza këto ditë u shpall qytetare e merituar e Shkupit, qe mysafire e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, e Kuvendit të Komunës së Vitisë e të tjera. “Sëmundja më e vështirë e botës në të cilën jetojmë është urrejtja midis njerëzve të kombeve të ndryshme dhe mungesa e dashurisë”, kështu e filloi bisedën Nëna Tereze
Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Tereze
Fëmija i tretë i Nikollë dhe Drane Bojaxhiut ishte Gonxhja, e cila u lind më 27 gusht 1910 në Shkup. Familja Bojaxhiu mori emrin sipas gjyshit e stërgjyshit të Gonxhes, të cilët në Prizren, nga ishin me origjinë, merreshin me zejen e bojaxhisë. Nga Prizreni kjo familje u shpërgul në Shkup kah fundi i shekullit të kaluar (XIX).
Gëzimi i parë i kësaj familjeje qe Agëja dhe më vonë, më 1908 Lazri, motër e vëlla të Gonxhes. Pas vdekjes së babait Agëja së bashku me nënën dhe të vëllanë, më 1928, shkuan në Shqipëri, ngase Lazri e kishte marrë bursën e qeverisë së Shqipërisë dhe ishte regjistruar në Akademinë Ushtarake të Tiranës (tash jeton në Palermo), Itali, motra - Agëja më vonë u bë spikerja më e spikatur e Radio - Tiranës.
Kjo (Agëja) dhe nëna Drane vdiqën brenda një kohe relativisht të shkurtër në vitin 1974.
Gonxhe Bojaxhiu, sot nëna Tëreze, pasi pat kryer shkollën fillore u regjistrua në gjimnazin në gjuhën serbe në Shkup. Ishte femra e parë shqiptare në këtë gjimnaz, ku i vijonte mësimet së bashku me Lorenc Antonin.
Më 26 shtator 1928, familja Bojaxhiu braktisi vendlindjen - Shkupin. Gonxhja, së bashku me Naste Mihillin (shqiptare) nga Shkupi, shkuan në Zagreb, e prej andej në Loreto Opatia në Dablin, Irlandë, ku bëhet motër e ashtuquajtur “Maria Tereza”. Më vonë vazhdon rrugën e vet të gjatë të jetës...
Kjo ardhje e Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës në vendlindje ishte e treta me radhë, sepse ajo pas vitit 1928, në Shkup kishte ardhur në vitin 1971 dhe për herë të dytë më 1973.
Gonxhe Bojaxhiu prej bankave të shkollës fillore ishte dashamire e këngës.
Ajo qe anëtare e rregullt e korit të qytetit. Më 4 prill 1926, në koncertin e organizuar për qëllime humanitare (mjetet e fituara i ishin besuar fondit për të varfër) së bashku me Lorenc Antonin, Viktorie Jakën e të tjerë kënduan kompozimin “Këtë çast” dhe “Vend i dashur” të autorëve gjermanë. Po në këtë vjet ajo këndoi edhe në korin e kishës këngët “Allojz, më lejo të dashuroj” dhe “Forca e fatit”. Më 25 mars 1928 ajo mori pjesë në një akademi të organizuar po ashtu për qëllime humanitare, ku së bashku me shokët e shoqet e saja interpretoi kompozimin e Lorenc Antonit, atëbotë ende gjimnazist, “Në breg të liqenit”, shkruar sipas vargjeve të Hil Mosit.
Që në rininë e vet Gonxhe Bojaxhiu angazhohej me tërë qenien e vet në aksionet humanitare, sidomos në ato për grumbullimin e rrobave dhe të ndihmës tjetër për të varfër.
Kjo, pra, është laureatja e Çmimit Nobel për Paqe (1979).
Statistikanët kanë llogaritur se Ju, Nënë Terezë apo shoqe Gongje Bojaxhiu, deri tash jeni përkujdesur për më shumë se një milion njerëz të sëmurë, kryesisht fëmijë.
Çka thoni për këtë?
- Fëmijët e braktisur, bonjakë apo varfanjakë, gjithmonë i konsideroj si fëmijë të mij (edhe pse unë s’kam). Në spitalet ku punoj gjithmonë gjendet nga një shtrat më shumë.
Ai e pret të sëmurin që ndoshta nuk vie. Jetën time ua kam kushtuar varfanjakëve, të uriturve, të sëmurëve bonjakëve të braktisur, të shtypurve. Për zbrapje nuk di… (Nënë Tereza deri tash ka kryer misionin e vet nëpër shumë vende, në të gjitha kontinentet e botës në Indi, Bangladesh, Shrilankë, Australi, Meksikë, Jemen, Romë, Harlem të Nju-Jorkut e të tjera. Kudo ajo ka qenë ngushëllim për të uritur dhe ndihmesë për të zgjebosurit e të braktisurit).
Fëmijët e mi, këtyre që ua kushtova jetën, më njohin për nënë të madhe, siç më quajnë ata. Fëmijët si fëmijë, nuk dinë për kombe e shtete - për kufij, por ata duan ngrohtësi e dashuri shpirtërore. E kam shëtitur e parë botën dhe në të kam vërejtur se në ditët tona ata që janë të pasur rrallë e kanë zemrën “mal”, pak ndjejnë dashuri, ndërsa ata që janë të varfër kanë më shumë zemër bujare.
Nënë Tereze, kemi dëgjuar shumë për Ju, për të sëmurët tuaj, a mund të na tregoni çka e si punojnë motrat tuaja?
- Kujdesemi për ta, u japim ushqim, banesë, shkurt jetojmë për ta. Nëse vijnë ose i gjejmë me kohë shërimi është i sigurtë se na kemi medikamente të forta dhe i dijmë qindra e qindra që janë shëruar plotësisht.
Kemi shkolla fillore për fëmijë të varfër. Kemi fëmijë prej moshës njëditëshe deri katër vjetësh (afro 5.000 vetë), për të cilët kujdesen motrat.
Ne, të gjitha pothuajse, tërë ditën jëmi nëpër rrugë. Ky lloj veprimi është sipas rregullave, tona. Kur dalin motrat në rrugë, i gjejnë fëmijët e lënë pasdore. Në tjetrën anë njerëzit vendas e dinë se ne e kemi këtë shtëpi dhe na ndihmojnë që të marrim sa më shumë fëmijë të tillë. Edhe shteti na ndihmon që të veprojmë kështu. India i çmon motrat shumë dhe u ndihmon në çdo hap.
Gjatë misionit tuaj keni pasur suksese të mëdha e natyrisht puna çfarë është juaja ka edhe vështirësi specifike. Na thoni cila ka qenë dita më e vështirë në jetën tuaj?
- Nuk kam pasur ditë të tilla asnjëherë që të mund të jetojmë kështu së bashku me motrat tona, duhet të çojmë një jetë krejtësisht shpirtërore, se pa lutje, pa sakrifikim total ne nuk do të mund të punonim për të varfërit.
Motrat çdo ditë zgjohen në orën 4.30 pastaj bëjnë lutjet dhe ceremonitë fetare. Ndërkaq në orën 6 fillon mesha me kungim, e pas meshës çdokush shkon në punën e vet të përditshme. Në orën 7.30 është koha kur të gjitha motrat dalin jashtë shtëpisë, sepse në shtëpi s’kanë se çka të kërkojnë pas meshës, ushqimit dhe fjetjes. E tërë puna zhvillohet nëpër rrugët e vendit, duke u ndihmuar njerëzve - atyre që kanë nevojë. Ky është misioni ynë.
Çka do të thotë së pari për Ju - motrat tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobël për paqe?
- Për motrat asgjë e posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në mesi tonë. Kjo dhuratë si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfërit tanë. Është ndie nevoja që këtë vit të bëjmë diçka për të varfërit dhe familjen. Ne për këtë qëllim jemi të lutur shumë, sepse siç e dini ky vit i kushtohet familjes. Sot njerëzit në botë vuajnë shumë. Dhurata apo ndihma erdhi në kohën dhe momentin më të volitshëm. Këtë e di mbarë bota. Kjo ndihmë është një kontribut i madh i paqes, sepse tekefundit sot bota e ka kuptuar se veprat humane janë çështje më të rëndësishme për paqe dhe jetë të lumtur të njerëzve.
(Është takuar ajo me shumë burra shtetesh dhe si një nënë e mirë gjithmonë me ta ka biseduar për dashurinë ndaj paqes dhe mirëqenies, e cila duhet të mbretërojë në gjithë botën e kohës sonë)
Shqiptare e parë, fituese e Çmimit Nobël, dy herë doktor nderi e shumë shpërblime të tjera fituat brenda pak më shumë se dhjetë vjetësh. Ç’do të thotë kjo?
- Po. Në vitin 1971 fitova çmimin e posakonstituuar për paqe “Gjovani XXIII”, pastaj çmimin ndërkombëtar “Kenedi” dhe titullin e doktorit të nderit në Universitetin Katolik të Uashingtonit. Në vitin 1972 në Indi m’u dorëzua çmimi më i lartë i Nehrus për paqe, ndërsa në Universitetin e Kembrixhit - titulli i dytë i doktorit të nderit. Në vitin 1973 në Los Angjelos mora çmimin “St. Louis of Marillas”. Një vjet më vonë më shpallën “Nënë universale”. Vjet mora çmimin më të lartë për paqe - Çmimin Nobel dhe 192 mijë dollarë amerikanë, sa eshte fondi i çmimit të cilën shumë e kam shfrytëzuar për zgjerimin e Shanti Ngarit (qytetit të paqes) afër Kalkutës, qytet me më shumë se 47 mijë të sëmurë nga zgjebja.
Me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel, më 10 dhjetor të vitit të kaluar në Osllo, Nënë Tereza, me ftesën e Xhon Shirokës, ambasador yni në Norvegji, pat vizituar Ambasadën e RSFJ-së. Me këtë rast ajo qe takuar me kolektivin e ambasadës dhe me përfaqësuesit e klubeve të Jugosllavisë në Norvegji ku asaj iu dorëzua kambiali me pesë mijë korona norvegjeze të tubuara ndër qytetarët tanë që gjenden të punësuar përkohësisht në këtë shtet.
“Kosovarja”, Prishtinë, viti IX, nr. 8, Gusht 1980, faqe 10-11
Bisedën e zhvilluan: Frrok KRISTAJ e Dhurata KABA. Kështu shkruan në numrin e përmendur të revistës “Kosovarja”, por e vërteta është se intervista me Nënën Tereze është zhvilluar nga Avni Spahiu, unë (Frrok Kristaj) dhe Binak Kelmendi. Në fakt, pjesa kryesore e intervistës është botuar në “Rilindja”, kurse pjesët që nuk janë përmendur në atë intervistë, janë marrë për këtë intervistë. Megjithatë se si doli që intervista ime u nënshkrua edhe nga Dhurata Kaba do të duhej ta di redaksia e “Kosovares”, sepse unë as sot e kësaj dite nuk e di se si kjo intervistë u nënshkrua edhe nga Dhurata Kaba

VITORE NINO MË KËRKOI FOTOGRAFI TË NËNËS TEREZE

Në nëntor të vitit 1980 Bashkësia Vetqeverisëse e Interesit të Arsimit të Krahinës së Kosovës kishte ftuar arsimtarët nga Shqipëria që dikur kishin shërbyer në Kosovë, e të cilët në vitet e dyzeta të shekullit kaluar i kishte dërguar për të hapur shkolla shqipe në Kosovë ministri i arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi. Në mesin e tyre kishte ardhur edhe mësuesja e dikurshme Vitorer Nino, nga Shkodra, e cila pas shërbimit në Kosovë, tanimë punonte aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.
Atëbotë unë isha gazetar i sektorit të arsimit në gazetën e përditshme “Rilindja”. Natyrisht unë e përcjellja për gazetë grupin e mësuesëve nga Shqipëria, për të cilët çdo ditë e shkruaja në gazetë nga një artikull për vizitën e tyre.
Dhe, në ditën kur po vizitonim Suharekën mu ofrua Vitore Nino dhe në besim, siç më tha ajo, më pyeti:
- A mund të gjendet këtu ndonjë fotografi e Nënës Tereze?
- Natyrisht se po, - i thash.
Të nesërmën derisa po vizitonim Prizrenin paksa e ndava Vitoren nga grupi dhe ia dhash disa foto të Nënës Tereze e në mesin e tyre edhe foton ku unë isha fotografuar me rastin e takimit tim me Nënën Tereze, më 27 maj 1980 në Aeroportin e Prishtinës.
Vitorja plikon me fotografi e futi në çantë dhe kur u kthyem në hotel, ajo kishte shkuar në dhomë dhe i kishte shikuar fotot.
Me t’u kthyer ajo në shoqëri më ndau pak anash dhe m’u falenderua me lot për faqe. Me atë rast më tha:
- Vëllai im kur të pashë në foto se ti ishe takuar me Nënën Tereze, më tha:
- Të lutem m’i jep duart që t’i preku që ta ndjej edhe unë prepjen me duar të Nënës së Madhe.
Vitore Nino mbi të gjitha e kishte frikën se si t’i fuste në Shqipëri fotot e Nënës Tereze. Me atë rast e porosita që nëse arrin t’i fus fotot në Shqipëri të ma dërgoj një kartolinë postare në të cilën e luta që të më shkruan se në Shkodër e kishte gjetur familjen shëndosh e mirë. Dhe pas nja tri javës mua më arrin kartolina nga Shkodra ku shkruante se Vitorja kishte mbërri në Shkodër dhe se e kishte gjetur familjen shëndosh e mirë. Me atë e kuptova se ajo ia kishte arritur qëllimit që t’i fus fotot e Nënës Tereze në Shkodër.

0 comments:

Post a Comment