Thursday, September 29, 2016

Kujtim Stojku - Kur desha të vjedh Hënën

Poezi


Me dëshirat e çmendura fëminore m’shkrepi të vjedh hënën
Ajo m’habiste kur dilte n’qiell e plotë si buknorë
Shtojzavallet kur ma kuptuan dëshirën me t’madhe qeshën
Me ta shetisja n’çdo vend i kapur dorë për dorë.

Por çdo natë shihja se dikush n’qiell ëndrrën ma merrte
Këtë e dalloja se ajo nga pak humbte formën e saj t’plotë
Ndoshta kur mbi kroje e burime rrezet e saj derdhte
Vështrimin e saj ajo s’ma ndante nga qielli,poshtë n’tokë.

Ajo gjithçka ndriçonte me rrezet e saj t’florinjta
Zanat freskonin gjinjtë n’burimet me ujë t’kulluar
Cucat krihnin flokët n’mëngjez sa zbardhte dita
Për çudi n’darkë hënën ma kishin vjedhur
Kish mbetur vetëm si drapër i harkuar.







Bredhja t’ia kap rrezet nëpër livadhet me barë t’butë
Në zemrën time një lulkuqe petale çeli
Fjala që m’doli,gërxhet me rrezet e hënës u zunë
Duke shkruar si në ëndërr fjalët e sirenave t’detit.

Pasi një dorë e padukshme vodhi hënën rrugët m’u ngatërruan
Dhe as kroin me ujë kristali nuk munda ta gjej dot
Kujtoj se një nga një n’qiell të gjithë yjet u shuan
Kujtimet ndriçojnë si meteor,shndrohen n’hi e si harroj dot.

Cucave u rrezëllijnë gjerdanët nën gushë
Fëshfërijnë këmishat e bardha që i kanë pala pala
Midis zemrave tona dhe diellit, është vetëm një urë
Nën syrin e shkruar,mbuluar nën qerpik, aty ndala.

Kështu t’gjitha këto ishin pasione t’çmendura fëmije
N’mes legjendash dhe përrallash jam rritur e kam fjetur
Hajdutin e hënës nuk munda në dorë ta shtie
N’vështrimin engjëllor t’cucave,rrezet e hënës janë tretur...

Publikuar me 23 Tetot 1913

0 comments:

Post a Comment