Sunday, September 4, 2016

Grigor Jovani - Cikël Poetik

MARTIRET

Janë ca ura prej guri,
kalojnë ëndrrat përtej.
Ata që dëgjojnë daullet
e çdo kohe dhe i sjellin këtej.
Skllevër të ditës që rrojnë,
mbretër të natës ata.
Gjithë ditën si Krisht i mundojnë,
kur ngryset u bëjnë temena.
Janë engjëj që kanë dezertuar
nga qiejt dhe gjenden në zbritje.
Argatë në Punishtet e Ëndrrës,
hamallë të thjeshtë me mëditje.
Strehohen në Manastirët e Heshtjes,
që u ngritën kur yjet u fikën.
I qeshin kur shfaqen në rrugë,
kur zhduken i kërkojnë: “Ku ikën?!”
Të zbuar nga çdo vatër si zogjtë,
ngjejnë ngushëllim tek të vetët.
Profitër për dje dhe për nesër,
martirët e shpirtit: POETËT.

TINGUJ

Nuk më njohe që nuk më njohe kaq vjet!
Kujtoja se e kishe problemin tek sytë,
ti e kishe tek veshët. 
Mister njeriu!
Floriri, po ta gërvishtës, nxjerr tinguj e vet,
nuk ngjajnë me të llamarinës,
kur i bie shiu.

THAGMA E SHENJTE

Mua dhe mamanë tënde,
na detyroi halli një ditë:
të ngrohnim pak netët e dimrit,
bashkuam tok përkëdhelitë.
Mamaja jote edhe unë,
gjetëm një Kryq dhe e vumë mbi krye.
Ngaqë asnjë Dhjatë nuk mësuam,
bëmë lëmsh ca epshe dashurie.
Unë dhe mamaja jote,
s'do rronim dot një jetë mërzie.
Na ndodhi Thagma e Perëndisë:
e qara e shenjtë e një fëmije.
Mamasë tënde edhe mua,
Drita e Shenjtë jetën na ndriti.
Ndodhi Rilindja e të dyve,
nga ardhja jote, Afrodhiti!

ALI PODRIMJA

Më falni, nëse ndonjëherë nuk ju dëgjoj!
Kam mënyrën time.
Vazhdimisht udhëtoj...
Dëgjoj mbi llamarinë pikat e shiut,
trokun prej kali të një treni.
Kam ikur.
Nëse një mbrëmje nuk do të kthehem,
tek ndonjë stacion periferik do të më gjeni.
Një vjershë shkruar me dorë do kem në xhep.
Për Lumin tim dhe gjithë lumenjtë,
që iu bënë djep.

PUNE TE ZOTIT

Ai që më vodhi pasurinë,
i falur, një mijë herë!
Atij që më gënjeu sy ndër sy
i jap ndjesë, ishte i mjerrë.
Ai që imitoi zërin tim,
më kopjoi zemrën edhe mendjen,
fyu vetë Zotin, krejt pa trembje.
Nëse vetë Zoti, natyrisht,
më dha zemrën që kam
dhe këtë mendje.

DON KISHOTI

Bota rrotullohej rreth Rosinantit. Kishe veshur
parzmore të hekurt, të para ca shekujsh,
të mos të të njihnin. Ecje duke kërkuar një kohë
tjetër. Sillje nëpër mend doke të vdekura. Dashuroje
gra të ëndërruara. Përballoje në duel mullinjtë e erës,
diku të harruara. Bëje gjithshka,
që të thoshin të tjerët:
“Ja, një idiot!”
Ndërkohë, bota rrotullohej si e çmendur,
rreth Rosinantit tënd,
don Kishot!
Dhe të mendoje, që nuk ishe i tillë. Siç të tregojnë
rrëfenjat e librave. Kishe zemër të dlirë,
mendje të mprehtë. Por ishe krenar,
për të zbuar nga vetja
“të marrin”.
Nuk të kuptoi as shoqëruesi yt më besnik,
Sanço, që gjoja i zemërohej vasalit të vet,
gomarit:
“Përse mundohesh të kthesh botën së mbari,
kur i hypën kalit tënd së mbrapshti,
imzot?!”
Askush nuk e pa: ishte bota që shkonte së mbrapshti,
kurse ti,
doje me ushtë ta gozhdoje tek muri,
mbase e shpëtoje nga vrapi i marrë,
don Kishot.

PUTANA QE DASHURUAM

Atë putanë e dashurova dhe unë,
me pasionin djaloshar të fillestarit.
E ndiqja nga pas ku bënte pjacë,
në çdo rrugicë ku ligjëronte.
Kisha iluzionin e kotë të të marrit,
se ngaqë jepej ndonjëherë,
të donte.
Por ishte putanë si gjithë të tjerat Liria. Pastaj,
kur i ikte qejfi i parë,
të shkruante.
Kur ishe gati të digjeshe në zjarr për sytë e saj,
kapërcente ballkon më ballkon,
tek kush më mirë e paguante.
Liria, Liria!
E kush nga ne nuk e dashuroi një herë?
Na shuajti epshin e parë,
pastaj u bë erë.

SAHATI ME RERE

Jeta ime. Skena surealiste
në ikona pa zë. Ngatërruar
pa kuptim në montazh.
Ç’dreq filmi është ky!
Cili idiot e nxori?!
Duke matur kohën, mes një
sahati me rërë,
“Unë!” -
bërtet nga lart, 
regjisori.

NJE FEMIJE
TUND DOREN NGA LARG
- Ollgës,
për humbjen që përballuam bashkë... -
Një foshnjë përsillet në ëndrrat e mia,
çapitet duke u tundur nëpër dhoma,
zbret këmbadoras nëpër shkalla,
vidhet, si lepurush i bardhë në oborre,
një fëmijë i vogël, i pakapur për dore,
që çantë shkolle s’i kanë blerë akoma,
del jashtë, nëpër rrugë. Nuk flet asnjë fjalë, asgjë nuk dëgjon.
Portat e pragjeve e ftojnë të hyjë brenda. Shamibardhat nëna
e pyesin: “Ku shkon?”
Një adoleshent përsillet në ëndrrat e mia. E ndjek vetëm era.
Ai befas kthehet dhe ma bën me dorë. Më tund nga larg
një buzëqeshje fëmije. Pas kaq e kaq kohësh, thyen heshtjen:
“O ‘ba!”
Është biri im! Një tundje dore më la...


IKJA
E HAMZA KASTRIOTIT

Kishe në damarë gjak Kastrioti.
Mbase ishe trim. I zgjuar jo!
Nëse doje dëm t’i bëje shtetit,
s’është e thënë të ikje, domosdo.
Të kishe ca mend, atje do rrije.
Askush s’do të të quante tradhtar.
Mund ta shembje Krujën, brenda Krujës,
thjesht duke i qenë qeveritar.
Nuk do të lije gurë në themele,
do derdhje murtajën në hambarë.
Siç bëjnë sot në Krujë dhe në Tiranë,
ca biçim si ti qeveritarë.

KALI I ZI
Që bëj gabim, ke siguri?
Ky Kalë i Zi, ky Kalë i Zi,
kur e shaloj një zonjë gajaset,
e ndjen të zezën që më qaset.
Je e sigurt, që s’mund të vdes?
Do marrim detin një mëngjes,
mbi Kalë të Zi, mbi Kalë të Zi,
diku aty poshtë, në thellësi.
Veç ne të dy, unë dhe ai.

NESE ME DO

Nëse më do, më mos më do!
S'më mban foleja, domosdo,
se jam shtegtar i lindur.
Nëse më do, më mos më do!
Kot veten tënde mos mundo,
se pi kafe të hidhur.
Më mos më do, nëse më do!
Lëshoje zemrën me këdo,
por kurrë me një poet!
Më mos më do, nëse më do!
Jam shumë i vjetër për këto,
i fundmi gjyq më pret.
Nëse më do, më mos më do!
Por unë të dua mbi këdo!


ZAKON I FRIKSHEM

S’e kisha parë tim atë të qante,
e quante një zakon të frikshëm.
Kur ndodhi, aty nga fundi, të lotonte
ndjeu një lehtësim pak të çuditshëm.
Iu kthye mamasë, që hapi sytë,
si saç:
- Pse s’më ke thënë, moj dreq,
që loti është ilaç?!

VIZATIME

Numëroja miqtë që më kanë mbetur,
tani që mund ta bëj me mendje,
jo me zemër.
Shkruaj dhe shuaj, ne vite mendjetretur,
në fund... asnjë emër.
“Ku i ke miqtë?! - u habit gruaja ime, -
Thoshe ke shumë,
në listën e fundit s’t’i pashë...”
Hoqa këmishën.
Plagët në shpinë, si vizatime.
“Numëroji!”, i thashë.

HOTELI I PANJOHUR

U prenë dritat, kur askush nuk e priste,
në një hotel të largët, të panjohur.
Rrija shtrirë, poshtë shtresash i pangrohur.
Deshifroja i vetëm errësirën. Ngjante
sikur isha aty prej vitesh.
Atje përballë,
duhet të ishte komodina. Sipër saj
patjetër qe pasqyra. Pak më tej,
një banjo erëkeqe.
Në mes të dhomës,
një karrige druri. Hedhur përmbi të,
shkujdesur krejt, xhaketa....
Erdhën dritat, njoha dhomën time.
Më marrtë dreqi! Prapë i dehur fjeta?!

INSUITA FILMIKE

Kam akoma timbrin e zërit tënd nëpër veshë,
nuk është nevoja të ftoj zogj me cicërima.
Kam akoma në mendje ngrohtësinë e syve të tu,
del e tepron për ca dimra akoma.
Buzët e mia akoma freskohen,
me ujrat alpine të puthjeve të tua të kristalta.
Sytë e mi të lodhur vazhdojnë të relaksohen
nga skena pa zë,
si në filmat e parë, të ngadalta.
Sa mirë, që nuk më vure re tani, kur të kalova pranë,
mes njerëzve të tjerë,
unë i gjori...
Vjen një kohë kur filmi mbetet dhe...
harrohet regjisori.




0 comments:

Post a Comment