Friday, September 16, 2016

Prend Buzhala - Kundërrime

LIMONADË-MENDËSIA DHE MENDËSIA E HAJNISË, E NGRITUR NË SISTEM

(Kundrime III), 75
1. 
Ekziston dhe limonadë-mendësia, mendësia e gjeturisë, e gjeturisë për gjithçka e për çdo gjë: pa u mbështetur nl sistem vlerash. Kjo limonadë-mendësi kërkon gjëra të lehta, lexim-limonadë, jo lexim vlerash, a lexim "të rëndë". Menëdia e tillë është ngritur në sistem: që nga nxënësi i fillores e deri te studenti, që nga biçim-gazetarët e deri te ministrat e krerët e shtetit.
2.
Çka do të thotë kjo?

Shiheni nxënësin dhe studentitn në testim: nuk harxhon kohë si të përgatitet për testim a provim, sepse SISTEMI ia mundëson që të mos lexojë, por të kalojë lehtë, pra: si të vjedhë! Kurse nxënësi i përkushtuar a studenti i përkushtuar, nuk është e habitshme pse do të mbesë "prapa" shtresës së të papërkushtuarve në pika a në poena testimi! Shpërblehet hajnia!
Kjo mendësi e HAJNISË (si edukimi më i keq i mundshëm), shkon tutje deri te krerët institcuonalë, universitarë (pa mund të pasurohesh, pa dije të doktorosh...).
Njësoj është edhe me pranimet në punë: nuk fitojnë më të përkushtuarit në të ashtuquajturat intervista, por ai që di të gjendet në mënyra të ndryshme: me nepotizëm, me korruptim, me partiakizëm... sepse SISTEMI nuk e do vlerën, nuk e do dijen e as përkushtimin!
Kurse të përkushtuarit veprojnë edhe këtu, ose gjejnë mundësi ikjesh nga ky realitet i trishtë e i pistë...


NGA MANIA E LIKE-ut E DERI TE TEKSTO-LLURBA 

(Kundrime III), 76
1. 
Interesant: KARAKTEROLOGJIA (postmoderne) nxori në shesh edhe karakterin e llajkomanit a të llajkomanisë (like-o-mania)... në rrjetet sociale, si kjo e facebook-ut, apo në klikimet që përfundojnë në kliko-llurbë...
Llajkisti (ai që bën LIKE) ka dëshirë të identifikohet me bindjet, ideologjitë, po edhe me llumpen-tekstet e facenbook-ut. 

(LLUMPEN-i shënon mendësinë e përulësisë, është sinonim i ndyrësisë, i vartësisë, i njeriut të degraduar, të pagdhendur, mendjetrashë, të paemancipaur nga pikëpamja intelektuale, ... me një fjalë, tregues për llumin e një shtrese shoqërore, fundërrinën etike të një mjedisi social,
2.
Nuk është vështirë ta vëresh të njëjtin njeri (llajkist - ai që bën LIKE), të pëlqejë në të njëjtën kohë dy vetë, armiq të përbetuar... dy tekste kontradiktore. Tjetrin LLAJKIST e sheh duke mbështetur e përkrahur hiç-tekste, llumpen-tekste, pisllëk-tekste, ata që shkruajnë tekste-llurbë). Besoj që e kuptoni fjalës shqipe LLURBË.
Ndërkaq, facebook në pjesën më të madhe, po e luan rolin e një opiumi të ri: atë të fjejtes së ndërgjegjes... të njeriut të dëshpëruar, që nuk gjen zgjidhje, përpos në limonadë-tekste a pamje-llurbat e realitetit. Mashtruesit që paguhen shtrenjtë për këso mashtrimesh (mediatike, ideologjike, fetare, politike etj), janë të shumëzuar si rrjete merimangash...
3.
E pra, edhe në Epokën Elektronike gjërat i kanë dy anë të medaljes, mu si paraja: e fitove me djersë e përkushtim dhe e përdore për të mirë, edhe veprat janë të tilla, dobiprurëse, frytdhënëse, ... me veprat e mira njeriu fiton bekime; por po qe se dëshiron ta posedojë paranë si egoist, atëherë ndodh braktisja dhe theqafja. Në përpëlitje me ferrin brenda vetes, me tundimet e jashtme që e cytin a joshin njeriun në krime a gabime të rënda, për lakmitë e tij, ndodh edhe ana tjetër e medaljes… ku Paraja e merr një rol tjetër. Nuk është thënë më kot se Paraja është Zot në Tokë. Se Paraja e prish njeriun. E merr rolin e Perëndisë!
Në vend që Njeriu të jetë ai që e luan Rolin e Humanistit, Drejtësisë, Vlerave... Edhe rrjeti social i facebook i ka dy anë të medaljes: zgjidh e merr!

0 comments:

Post a Comment