Friday, September 30, 2016

Nikollë Loka


RINGRITJA SHPIRTËRORE NË ROMANIN “RROKULLISJE” TË SHKRIMTARIT NDUE LLESHAJ
Në romanin "Rrokullisje" të prozatorit të njohur Ndue Lleshaj pasqyrohet jeta e një vajze, që ndryshon në mënyrë tragjike pas një aksidenti. Autori e vendos personazhin kryesor në vështirësi që lexuesi i gjykon të pakapërcyeshme: vajzë fshati me bukuri fizike, me shumë dhunti dhe ëndërra, që i ndërpriten tragjikisht. Ngjarjet zhvillohen në një mjedis verior me konceptim tradicional për jetën dhe rolin e femrës në shoqëri. Gonxhja në përpjekje për t’i mbijetuar së keqes, përpiqet të vazhdojë projektet e veta jetësore që më parë i kishin dhënë kuptim jetës së saj. E gjymtuar fizikisht, ajo ruan po atë delikatesë dhe forcë shpirtërore, po atë dëshirë për të qenë e vlefshme, po atë krenari femërore për të qenë e pavarur në jetë, pse jo dhe e dashuruar dhe e suksesshme. Përmes vështirësive të jashtëzakonëshme që vijnë prej gjymtimit fizik Gonxhja ia del të realizonte një pjesë të madhe të ëndërrave të veta. Që të krijonte imazhin e një femre të tillë, Ndoit i është dashur të ndërtonte tipe dhe personazhe të ndryshme. Përmes Gonxhes vepra shtjellon çështje të mëdha të ekzistencës.
Së pari, raporti i njeriut me jetën. Përmes romanit jepet jeta e njeriut, ku ndërhyjnë forca të padukëshme. Në jetën e tij, njeriu e sheh pjesërisht rrugën; ka vetëm pjesërisht mundësi për të parandaluar të papritura dhe fatkeqësi, por ka një mundësi të madhe që nuk ndryshon asnjëherë, aftësinë për të zgjedhur brenda rrethanave në të cilat ndodhet.
Së dyti, Personazhi si model shoqëror. Për të vazhduar misionin e vet jetësor, Gonxhia duhet të luftojë jo vetëm me pafuqinë fizike, por edhe me dashakeqësinë dhe egoizmin, me të cilat përballet ne jetën e re si qytetare e një qyteti të vogël, ku njerëzit njihen dhe njohin shhumëçka për njëri-tjetrin. Në përballjen midis të mirës dhe të keqes që realizohet në këtë libër, e keqja vjen si pjesë e natyrëshme e jetës. Nganjëherë e keqja trajtohet në kohë, duke na dhënë dhe veçoritë etnopsikologjike të kohës si keqdashjen, shpirtin hakmarrës, etj.
Së treti, përmes këtij libri jepet një mesazh i madh humanist. Pavarësisht, nëse i besojnë paracaktimit të fatit, apo i shmangen fatalitetit në gjykimet e tyre, njerëzit mund të humbin në një ngjarje aksidentale, apo një projekti të zgjedhur prej tyre, por ata për aq kohë sa jetojnë kanë mundësi të ndikojnë mbi jetën e tyre.
Përmes romanit “Rrokullisje” jepet artistikisht se edhe pas ngjarjeve dramatike, njeriu mund të bëjë një zgjedhje për jetën e vet, që në llogari të fundit i jep kujtim jetës. Në fund të librit ne kemi një Gonxhe të realizuar si personazh, të suksesshme, sociale, të dobishme, plot ide dhe projekte në shërbim të njerëzve të tjerë. Romani përshkohet nga humanzimi i thellë se njeriu mund dhe duhet të jetë i vlefshëm. Se kur krijon vepra të mira në shërbim të shoqërisë, njeriu përtrihet fizikisht dhe shpirtërisht. Personazhin tonë e kemi parë të gjithë në mijëra pamje dhe ajo që të bën të reflektosh në të gjitha rastet është forca e tyre shpirtërore dhe optimizmi për t’ia dalë në mënyrën e tyre. Gonxhia na vjen si tipizim i njeriut të tillë.
Së katërti, në libër jepen deri në hollësi pasuria shpirtërore e personazhit, ndjenjat e holla, pasionet, ëndërrat, etj, të cilat vazhdojnë udhëtimin e tyre, sepse jeta vazhdon…
Një roman i mirë duket që në filliminin e tij, Gonxhja e këtij romani vjen përmes dilemash dhe dyshimesh shumë më tepër se ajo fillimisht beson dhe lexuesit presin prej saj. Ajo detyrohet të shprehë aftësi që nuk ia njihte vetes së saj. Në roman ka skena alternative të veprimit dhe dialogje që shoqërohen me të papritura dhe ngarkesa të mëdha emocionale, që e mbajnë lexuesin pezull.
Personazhi i Gonxhes, është njeriu që i jep shoqërisë dhe nderohet prej saj, prandaj i imponohet lexuesit që e kërkon një tip të tillë social në jetë. Me këtë roman, shkrimtari Ndue Lleshi na ka përshkruar artistikisht jetën njerëzore që devijon tragjikisht nga rrjedha normale dhe pas rrokullisjes, me përpjekje të jashtëzakonëshme ia del të ngrihet dhe të ecë vetë në jetë.

0 comments:

Post a Comment