Tuesday, September 6, 2016

Prend Buzhala - Nëna Terezë e Shenjtëruar në Rolin e Antiheroit


(Fragment eseistik personal, nga viti 2005, i botuar në mediet shqipe të Kosovës)
"Për 50 vjet ikëm nga ajo 'grue e panjohun'; e lamë vetëm, me Besimin e me Jezusin e saj. E ajo shkonte pa Kryeparët e Fesë, të Ushtrisë a të Politikës pa kurrfarë mbrotjeje në mesin e të sëmurëve. Kryeparët e Fesë, të Ushtrisë a të Politikës, të rrethuar me luksin e me shkëlqimet e bollëkut ceremonial, nuk kishin 'kohë' të shkonin pas saj. Mbase, për një moment do ta kenë përbuzur veprën e saj aspak heroike. Kurse Nëna Terezë shkonte aty ku vallëzonte vdekja në mesin e lebrozëve, të uriturve, kancerozëve, të gërbulurve, në mesin asaj shoqërie aspak të dinjitetshme për ‘vlerat njerëzore’, në mesin e kësaj bashkësie të braktisur njerëzore që po vallëzonte me vdekjen. Nëna Tereze ishte aty, tek futej në pellgjet e infeksioneve vdekjeprurëse, me një gusht motrash: pa retorikë fetare e politike, pa komandime ushtarake. Çfarë heroine është kjo, pash nderën! Madje, ajo është një antiheroinë. Heronjtë shkojnë në betejë me armë, të rrethuar nga komandarët e nga suita diplomatike e politike. Kurse kjo Nanë nuk i ik vdekjes nëpër ato pellgje infeksionesh vdekjeprurëse e duke u përleshur me vdekjen, ka shkuar pa armë! Pa platforma politike, pa ushtarë të armatosur dhe pa krerë fetarë për t’ua bërë ceremoninë e fundit fetare a vojimin për amshim në çastin fundor të agonisë. Një betejë tereziane larg pranisë sonë e syrit tonë njerëzor.
E tani, duam të identifikohemi në shumë anë me Nënën Tereze: Shqiptarja e botës. Nëna e Botës. Në Bibël ekziston fjala “mana” për bukën a ushqimin enigmatik, me të cilin Hyji bënte mrekullinë e tij, duke i ushqyer popullin e tij të zgjedhur, hebrenjtë, gjatë shtegtimeve nëpër shkretëtirë, nëpër Sinaj, pas largimit nga Egjipti. E disa autorë shqiptarë thanë: na erdhi si një “mana” kjo Nanë. Domethënë: na erdh si një dhuratë pa investuar gjë në të e pa derdhë kurrfarë mundi për të, në mos pastë qenë diçka tjetër: kundërinvestimi ynë. E tani duam identifikime “nacionale”, “krenari nacionale” përmes emrit të saj e çka jo tjetër. Por harruam kryesoren: identifikimin me Bamirësinë e Saj, me Njeriun e Saj. Duke “u identifikuar” me Të nëpërmes shkëlqimeve kulturore, politike a diplomatike, e harruam Njeriun. E duam Nënën Tereze, po jo humanizmin e bamirësinë e saj."


MESAZHI I MADH SHQIPTAR I AFRIMIT

(Kundrime: në shenjtërimin e Nënës Tereze III)), 65
1. 
A ka ditur të urrejë Nëna Tereze e shenjtëruar?
Ajo ka ditur vetëm ME DASHTË.
Ajo ka ditur vetëm të afrohet me njerëzit.
Mu si ai postulati jezusian-biblik: “Duaje armikun tënd.” E pra, ajo vuri lule te varri një armiku të saj familjar...
Edhe kur e kanë rrejtur, edhe kur kanë shpifur barbarisht kundër saj, ajo ka ligjëruar dhe na mëson të lutemi:
“Njeriu është i paarsyeshëm,
i palogjikshëm, egocentrik-
S’ka rëndësi, duaje”.
2.
Në esetë e librit tim "Res publica e shkrimtarit" (2008), ndër të tjera, është shtjelluar dhe një nëntemë: "Harta e Kosovës, në Evropë." Historia e Kosovës, “sui generis”, është historia e Evropës. Ideja e intelektualëve dhe shkrimtarëve për pavarësinë evropiane të Kosovës, që para disa dekadash, mblodhi rreth vetes shkrimtarë dhe politikanë, idealistë, profesorë universiteti dhe teologë, kulturologë dhe publicistë.
3.
Kësisoj ishte edhe gjatë këtyre ditëve: me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze, bota shqiptare rrezatoi një Mesazh të Madh Historik: harta jonë gjendet në Evropë. Patëm çka t'i japim botës (emra të shquar që nga kohët ilrike, si Shën Jeronimin, Niketë Dardanin etj, deri te Skënderbeu e Barleti... deri te koha jonë e Nënës Tereze të Shenjtëruar). Kaq shumë u dhamë të tjerëve emra të shquar. Arbërorët e epokës së Skënderbeut, sakrifikuan gjithçka nga vetja për ta mbrojtur një Evropë të tërë.
Mirëpo, kohët ndërruan. Vitet '90 sollën diçka tjetër, ndër të cilat, edhe lëvizjen e madhe të solidarësisë e bamirësisë nën firmën Shoqata Humanitare Bamirëse "Nëna Tereze", për t'iu gjendur afër një kombi të braktisur, të përndjekur e të vrarë. Erdhën e u bënë historike formulat e kohës me emrin e saj: bamirësia, engjëlli i të varfërve, shenjtëria,...deri te formulat politike të ndërhyrjes ndërkombëtare, nën firmën "ndërhyrje humanitare".
Kësaj, radhe, me rastin e shenjtërimit të saj, ishte dhe një MOMENT I MADH HSITORIK për shpalosjen universale të vlerave shqiptare: në Bazilikën e Shën Palit në Vatikan, dolën në skenën botërore muzikantët elitarë shqiptarë që lirisht përqasen me ato të elitës europerëndimore-botërore. U tha: Nëna Tereze, edhe nga përjetësia, ku pushon e amshon, po ia hap dyert secilën herë e më shumë kombit shqiptar.
Mesazhi shqiptar mbështolli planetin: jemi komb europerëndimor, këtu e kemi investimin tonë të madh historik, këtu e kemi hisen tonë.

0 comments:

Post a Comment