Wednesday, September 14, 2016

Nehat Jahiu - I pathyer Shpirtërisht mësuesi Qemal Jahiu



     Qemal Jahiu u lind më 10 shkurt të vitit 1926 në fshatin Llopat të komunës së Kumanovës. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në fshatin Opajë në gjuhën serbokroate. Kjo ishte koha e LDB-së. Më 21 maj të viti 1945 Ministria e Arsimit  e Maqedonisë Demokratike Federale e asaj kohe  lëshoi një vendim për organizimin e kursit pedagogjik tremujor për mësues në shkollat fillore që duhej të mbahej prej datës 10 korrikut e deri më 10 shtator të vitit 1945. Ky kurs i mësuesisë mbahet në Shkup ku Qemal Jahiu do të përcjellë dhe do ta kryejë me sukses dhe do të pajiset me çertifikatën që do i japë të drejtë që të emërohet si mësues i përkohshëm në shkollat fillore. Në këtë kohë ai nuk ishte më shumë  se nëntëmbëdhjetëvjeçar .


Me vendim të Këshillit Popullor të Rrethit të Kumanovës, sektori për arsim më datë 17 tetor të vitit 1945 e emëron si mësues i parë në fshatin Vaksicë të komunës së Likovës.  Në vazhdimësi ai përcjell kurset pedagogjike që orgonizoheshin në atë kohë nga Ministria e Arsimit të atëhershëm. Shpirtërisht dhe fizikisht iu kishte përkushtuar kësaj detyre dhe këtij profesioni që me angazhimin e tij të palodhshëm të zhdukë analfabetizmin në mesin e popullatës shqiptare. Qemal Jahiu që nga data e 1 korrikut e deri më datë 30 shtator të vitit 1946 kryen kursin e parë, ndërsa një vit më vonë  kryen edhe kursin e dytë veror për përgatitjen e profesionit të mësuesit për mësim fillor. Meqë ky kurs pedagogjik  vazhdoi të ndiqet deri më vitin 1950, mësuesi i ri dhe shumë i zellshëm Qemal Jahiu  përcjell katër kurse verore dhe pastaj do të arrijë të diplomohej në shkollën e mësuesisë “ Nikolla Karav” në Shkup.
 Gjatë punës së tij si mësues në vitin 1950 kryen edhe shtatëvjeçaren në shkollën fillore “ Bajram Shabani” në Kumanovë. Në shtator të vitit 1953 mësuesi Qemal Jahiu i nënështrohet provimit të gjysëmmaturës që e kryen me sukses te shkëlqyer. Mësuesi Qemal në fshatin Vaksicë punon tre vjet dhe pastaj nga ky fshat emërohet në fshatin Mateç. Më  30 gusht të vitit 1951 nga fshati Mateç do të transferohet për të vazhduar punën e tij si mësues në shkollën katërvjeçare “ Shaban Beqiri” të fshatit Sllupçan. Mësuesi Qemal në këtë shkollë të këtij fshati  punon gjatë viteve 1951-52, 1952- 53, 1953/ 54, 1954/55.



                                                            MËSUESI QEMAL JAHIU

 Në fund të muajit nëntor të vitit 1955 u diplomua dhe u bë  njëri ndër intelektualët më të ngritur të kësaj ane me shkollë të mesme të kryer dhe arsimtar i diplomuar me shkollë të Lartë Pedagogjike të Degës së Gjuhës Shqipe në Shkup. Ndjekjet e pishtarëve të arsimit shqip nuk kishin të ndalur. Pushteti ishte gjithnjë në gjah ndaj tyre duke i përcjellë në çdo hap dhe në çdo kohë duke ju hapur dosje dhe duke i shpallur armiq të shtetit.
Në çdo cep përgjoheshin. Për ta inskenoheshin proçese të montuara gjyqësore, dënoheshin, torturoheshin me metodat më çnjerëzore, burgoseshin dhe vuanin dënimet nëpër kazamatë dhe nëpër qelitë më të vështira vetëm e vetëm për t’i thyer shpirtërisht dhe fizikisht. Këta pishtarë të arsimit shqip po zhduknin analfabetizmin tek populli shqiptar dhe po mbillnin farën e diturisë tek brezat e ri në gjuhën e tyre amtare. Me këtë dhunë të paparë  donin që ta shkallmonin duke u dëmtuar edhe shëndetin e tyre deri në vdekje,. Tek ata mësues të devotshëm, nuk arritën asnjëherë të thyejnë idealin e tyre kombëtar dhe dashurinë që kishin mbjellë thellë në shpirtin e tyre për hapjen e shkollave shqipe, për kontributin që jepnin për përhapjen e arsimit shqip tek popullata e tyre shqiptare dhe ate në gjuhën e tyre. I tillë ishte edhe mësuesi Qemal Jahiu, i cili nuk u thye dhe nuk u mposht asnjëherë nga ideali i tij atdhetar i çështjes së arsimit shqip. UDB-ja si alibi shfrytëzoi nëpërmjet informbyrosë inskemimin që kishte përgatitur më parë e që tani më e kishte të gatshëm për ta burgosur mësuesin, intelektualin dhe atdhetarin mësuesin Qemal Jahiun. Më tej  dhe  ta burgosnin. Qëndron tre muaj në qelitë e burgut të Kumanovës duke e torturuar dhe maltretuar me metodat më çnjerëzore dhe duke mos e lejuar asnjë anëtar të familjes për ta parë dhe për të ditur se ku gjendet. Nuk e lejonin për të komunikuar me djalin, vëllain, bashkëshortin, babain e tyre Mësuesin e Popullit Qemal Jahiun. Edhe pse ishte i mbajtur tre muaj në qelitë e burgut duke e shkatërruar tërësisht shëndetin e tij, por duke mos mundur aspak për ta mposhtur dhe thyer shpirtërisht. Qemali mbetet ai që ishte si më parë me idealet e tij të pathyera në aspektin e çështjes së arsimit shqip dhe çështjes kombëtare në tërësi. Pushtetarët e mbajtën tre muaj në burg, por asnjëherë nuk e nxorrëm para gjyqit, sepse nuk kishin asnjë argument fajësie për të dëshmuar pos asaj se ishte një pishtar i arsimit, ishte një intelektual i ngritur që mbillte farën e diturisë tek nxënësit e popullatës shqiptare, të cilës i takonte edhe vetë ai. Ai ishte njëri ndër intelektualët më të ngritur të kësaj ane dhe gëzonte një respekt të veçant tek shokët e tij të punës, tek nxënësit dhe tek popullata. Kështu që pas tre muaj mbajtjeje në qelitë e këtij burgu famëkeq të shkatërruar tërësisht shëndetin e tij, por të pathyer shpirtërisht, e lëshojnë nga burgu si të pafajshëm. Për të dashur kinse për ta mbuluar krimin e tyre që kishin bërë ndaj mësuesit dhe intelektualit Qemal Jahiut pas daljes nga burgo e lejojnë të punojë edhe ate do e përcaktojnë në detyrën e ispektorit shkollor pranë sekretariatit për arsim dhe kulturë të Këshillit Populllor të Rrethi të Kumanovës më datë 6 nëntor të vitit 1955. Për t’u vërtetuar pse brenda atyre tre muajve që kishte qëndruar mësuesi Qemal Jahiu në qelitë e burgut dhe nuk kishin lejuar për ta parë askush nga anëtarët e familjes më të ngushtë të tij do të ishte ajo se nuk kishin se çfarë për të parë nga torturat që ia kishin bërë në ato qeli të kobshme. Kur kishte shkuar për ta marrë nga burgu në Kumanovë tani i ndjeri babai i tij Xhafer u çudit kur e pa. Ishte tepër i dobësuar. Nuk  e njohu se ishte ai djali i tij. Nga torturat më brutale dhe çnjerëzore që kishin përdorur ndaj tij në burg ai tani dukej vetëm një hije e një njeriu. Nga gjithë ai shëndet që kishte pasur, tani kishte mbetur me një peshë vetëm prej katërdhjetë kilogramësh. Jo vetëm babai, po dhe e tërë familja e tij  nuk u besonin syve të tyre se ky mund të ishte djali i tij. Qemal Jahiu pas daljes nga burgu do të ia filloj punës të punojë përsëri. Ai shpirtërisht përsëri do të jetë i pathyer , do të jetë po ai i njejti me idealin e tij dhe me atë dashuri dhe zellë ndaj profesionit të tij të mësuesit dhe të një intelektuli të mirëfilltë i arsimit shqip me libra, lapsa, fletore…, në dorë dhe në mesin e nxënësve, por tani si një këshilltar i arsimit ku do të kontribuonte edhe më shumë. … Dhe kështu UDB-ashët e atëhershëm që e kishin burgosur mësuesin Qemal do e mbajnë premtimin e tyre duke e caktuar në detyrën e ispektorit të arsimit shkollor , sepse me të vërtetë këtë detyrë mund ta kryente vetëm ai, sepse kishte aftësi të një intelektuali të përgatitur profesionalisht. Mësuesin Qemal e kishin caktuar në këtë detyrë ishte edhe se pushteti donte të mbulonte pafajësinë, për të cilën e kishte mbyllur ate në qelitë e burgut dhe për torturat që ia kishin bërë deri në shkatërrimin e tërësishëm të shëndetit të tij dhe përballë popullit. Donin të hidhnin hi syve, sepse ata e dinin nga shëndeti që ia kishin shkatërruar se mësuesi Qemal Jahiu nuk do të rronte gjatë.  Kështu siç kishin paraparë, ashtu edhe do të ndodhte një ditë me të. Ai filloi të dobësohet edhe më tepër nga shëndeti dhe nga sëmundja ai  të shtrohet në shtrat nga tuberkulozi që kishte fituar në qelitë e burgut. Kështu në vitin 1956 vdiq në një moshë të re 29 vjeçare në vendlindjen e ti në fshatin Llopat të komunës së Kumanovës. Vdes njëri ndër pishtarët dhe njëri ndër intelektualët më të ngritur shqiptarë. mësuesi Qemal Jahiu. Ai i mbylli sytë dhe u nda nga kjo jetë me shpirt të zhuritur për dashurinë që kishte për arsimin shqip, për të cilin kishte përjetuar të gjitha torturat më brutale deri në vdekjen e tij për të dhënë tërë qenien e tij shpirtërore dhe fizike. Për të ia falë jetën e tij në lulen e rinisë arsimt shqip. Vdiq atëherë kur kishte aq nevojë arsimi shqip për te.  Atëherë kur i duhej nxënësve dhe popullatës shqiptare të kësaj ane që ta kishin në mesin e tyre. Edhe pse tani më ai nuk ishte në mesin e të gjallëve mësuesi Qemal Jahiu gjthnjë mbetet i paharruar në mesin e popullatës, në mesin e kolegëve të tij, miqve dhe ayre me të dashurëve nxënësve të tij. Për ta përkujtuar me një pionierët e parë të arsimit shqip. Mësuesi Qemal Jahiu ishte i frymëzuar nga Ideologët e Rilindjes Kombëtare që ndër qëllimet e para të tyre ishte përhapja e arsimit shqip në popull, hapja e shkollave në gjuhën amtare. Parimi i Rilidasëve ishte se, pa gjuhë të shkruar dhe pa kulturë, një komb as mund të çlirohet, as mund të shkojë përpara. Shkollat shqipe me hapjen e tyre u bënë djepi i ndjenjave kombëtare. Shkollat hapeshin dhe mbaheshin me sakrifica të mëdha dhe me luftë heroike të pandërprerë shekuj me radhë , kundër qeverive që pengonin hapjen dhe zhvillimin e tyre, dhe terrorizonin mësuesit e patriotët. Sa herë që të përkujtojmë dhe kremtojmë 7 marsin e vitit 1887 dhe hapjen e shkollës shqipe në Korçë duhet përkujtuar të gjithë arsimdashësit e arsimit shqip që flijuan jetën e tyre për arsimin shqip. Hapja, mbyllja e shkollave shqipe vazhdoi në epokat historike, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan patriotët shqiptarë edhe pse nën kërcnime, internime, burgosje, vrasje, helmime , likuidime… nëpër kazamatet e ndryshme
. Mësuesit e parë që hapnin ( shpërndanin) rrezet e para të dritës në trojet e tyre, në gjuhën amtare dhe që nuk kursenin asgjë nga vetja për t’i arsimuar gjeneratat e reja, u akuzuan si inforbiroistë, nacionalistë, irredentistë… e shumëçka tjetër për t’i burgosur e dënuar deri në likuidimin e tyre fizik. Pra kësaj golgote sllavokomuniste dhe shoviniste nuk mundi t’i shpëtojë edhe intelektuali dhe mësuesi i devotshëm mësuesi Qemal Jahiu, i cili mu në lulen e rinisë sakrifikoi gjthëçka duke ia falur edhe jetën arsimit shqip.



LIGJËRIMI I VITEVE


(Mësues Qemal Jahiut që një jetë të tërë e ka sakrifikuar për arsimin shqip dhe kombin)

Ka mbetur e heshtur zilja, o mësues Qemali
Eja, bir, kaloje pragun e ligjërona sërish
Llopati rizgjohet e sytë i mrrolen nga loti e malli
Shkronjat bëhen Monument ku vëmë lule, filizë.


Pëllëmba bëhet grusht nga dhembja e burrit
Qielli bëhet jetim nga sytë e tu të bukur
Abetarja ende shkrumbohet nga zjarri i barutit,
Kënga merr flatra për të prekur plagën e purpur.


Ecim në brigje me flutura shqiponja e dëborë
Ende hekurat e qelive na e prangosin zemrën
Nga dritaret e burgjeve pëllumbat fluturojnë
Pa u vrarë nga kamxhiku i ftohtë dhe i egër.


Ike kur të deshëm më shumë se dritën e Odës
Të deshëm të na zgjoje pafund vullkane shpirti
Pa ty dimri i zbardh më shpejt pragjet shqiptare
Pa ty vyshket më shpejt jargavani dhe  lisi.



Ylberi i Mirënjohjes na ribashkon zemrat
Ike kur djepi kishte nevojë për ninulla shqipe.
Hesht, o Kuçedër e Harresës  sot e në breza
Kurrë nuk do  thahen dasmat tona me tela çiftelie!









0 comments:

Post a Comment