Saturday, December 10, 2016

Ajet Shala - Xixëllima poetike

MERR GUXIMIN, ZGJOJE FJALËN


Më vjen pranë kur bie nata
Hyn në kopsht pa trokitur
O sa ëmbëltohet plaga
Sa shumë zemra paska pritur.

Fjala jote, gurrë bjeshke
Nëpër deje flakë ndezi
Më bën trim nëpër orteqe
Gjer kur ndrin ai yll mëngjesi.

Vjen në gjumë e puth qepalla
Më dërmon, si një tërmet
Sikur bëhem trim të vallja
Më vlon gjaku venë më venë.

Merr guximin e zgjoje fjalën
Kam kaq kohë që pres në gjumë
Jam anije që mund dallgën
Jam një urë që rri mbi lumë.



PËR TY O FISNIKE E KOSOVËS
Atdhetares Mevlyde Mezini Saraçi


Koha ikën e Kosova mbetet në sytë e dritës
Na do forcën, djersën dhe urtinë e gjyshërve.
Ti më vjen mes rrëfimit të jetës të sfidës
Më tregon se si të eci në hapat e shtigjeve.

Vitet ikin e ne si kalorës futemi në rrjedhat e kohës
E presim një çast kur dita të na bëhet më e lumtur.
O fjalëmençura, o trime, o fisnike e Kosovës
Ti më dhe burimin e vargut dhe urimin e bukur.

Atdheu më bëhet me ty krua, zjarr a mollë
Më bëhet si një tokë me brazdën e  mbjellë
Ah, lamë pas krime, ëndrra të vrara dhe shumë lotë
Po morëm me ty shumë kreni, o fisnikja e shtrenjtë.

Ti më bën të skuqem për pengjet që i lamë Kosovës
Tek më rrëfen historinë që na e gjakosën
Me ty vargu bëhet ortek a lule që lulëzon mes odës
Me ty dashuria për lirinë bëhet udhë e pasosur.

Ti je gur i rëndë në Kullën e bukur të vendlindjes
Je Porta ku hyn vetëm begatia, ngrohtësia e mirësia.
Të falem, o fisnike, o fitimtare e pagabur e çdo sfide
Tek ti merr dritë engjëllore e ardhmja, shqiptaria

DIKUR TË PATA THËNË


Dikur të pata thënë jeni e vetmja e shpirtit të nxehtë
Kudo që jam busulla e dashurisë tek ti me sjell.

Të dua më shumë se veten të pata thënë dikur
E mbajta fjalën e fatin e vare në një tjetër mur.

E të pata thënë se jeta s’ka kuptim kur ti mungon
Unë të fala jetën e ti vetën e deshe përgjithmonë.

Vite të tëra humba pas teje në shteg të dështuar
Tani pas vitesh e di se sa rëndë kam gabuar.


ASHTI I FJALËS


Mund të humbas në jetë çdo gjë që më rrethon.
Atë që me mund e djersë e fitova dikur
Mund të më mbetet vetëm qielli çati mbi kokë
Por shpresën e fundit nuk do e lë të më vdesë kurrë.

Mund t’i ndërroj ditët e diellta mes ngricash suferine
Mund të më ikë shkëlqimin i hënës që tokën ndriçon.
Po asnjëherë s`do ta lë fjalën të vetme, si jetime
Në brazdën e hapur mençurinë do kërkoj.

Më trishton toka thatake që shiun kërkon
Mund të pres si fushat shiun dhe dritën sublime
Do e kërkoj fjalën gjithkund në qiell e në nëntokë
Që të më dalë nga zemra përherë me vezullime.


                                         DO TË DUA GJER NË VARR


Sa të rrjedhë gjaku ndër vena
Sa gjallon në trup qeliza
Thellë zemrës të mbaj brenda
ma ndez zjarrin dashuria.

Pëshpëris një fjalë magjike
ty të dua, fort të dua
me ty varri nëpër brigje
bëhet mjaltë i dëshiruar.

Mbaj një ëndërr ku zgjoj shpresën
Trupat tanë si lis të digjen
Kur dëshira pushton zemrën
Në palcë bjeshke merr rilindje.




BALADË KURBETI


Ma mori kurbeti gojën, atdheu im.
Ku janë shkurret e lisat që preka
Më bëhet muzg çdo agim
Del loti im që mbushka detra.

O kurbet, bjeshkë e mallkuar
Ah, të isha sot nënë një ortek bore
Në dorë e në këmbë i vetëpranguar
Amanetet pa fund vë në peshore.

Nga nostalgjia shpirti rënkon
Mbledh thërrime te sofra e nënës
Oh, e hidhur buka që dhëmbi kafshon
Pa dritë është shkëlqimi i hënës.

Lot i burrit gjoksin ma lag
Për ty në lahutë këndoj me mall
E prapë për ty ndihem krenar
Ti qëndron mbi plagën e patharë.

Dua ta puth flamurin pa pushim
Të them Shqiptari t’u ngjatë jeta!
Të pushoj atje ku kam lindë
Ta kem një varr tek pragu e Besa.


HAMBARI I KUJTIMEVE


Nga palca e hambarit nxora kujtimet e vjetra
Faqet e arkivit mendor i hapa me nostalgji.
I kishte ikur shkëlqimi e i kishte marrë harresa
Qëndronin të mbyllura si murgu në manastir.

Kur shkruaj për ty, kthehem në shtigjet e ëmbla
Hëna e vetmuar më sheh çdo natë me çudi!
Netët në kalendar mbajnë gjumin me ëndrra
Kur dimrat me acar i mundnim ne të dy.

MË JENI PERLË NË GUASKËN E SHPIRTIT


Ju mbaj në guaskën e shpirtit të mbushur
Si një thesar i gjallë  që ka shumë vlerë
Aty prej vitesh në një strofkë jeni strukur
Qëndroni si një margaritar a si një perlë.

Aty është një vullkan që nuk shuhet në vite
Që gjithherë nxjerr gur flakë e llavë
Kemi një mal të lartë me ngjarje kujtime
Ku të dy zemrat u ndezën si zjarri në mal.

Pse të vuajmë kur ne nuk bëmë asnjë faj
Perënditë s’i gjuajtëm me baltë dhe me gur
Trarët e doganave ëndrrat fluturake na i vranë
E zemrave  mbi plagë i vunë ferra dhe mur

DALLGËT E ERËRAVE ALPINE


Përplaseshin mes malesh dallgët e erërave alpine
Vinin plot zhurmë e rrëmujë në ballkonin tim
Sillnin aromën e bjeshkëve të larta helvetike
E në kopsht gjethet vjeshtake binin butësisht.

Ah, kjo  erë ç’më kujton ëndrra të dikurshme rinie
Më hedh petalet e vyshkura në supe e në ballë
Janë  vyshkur puthjet si gjethet e asaj dashurie
Mbulohen me  petale në një shtrat të rral.


ZËRI I KUJTESËS


Në arkën e trurit e gjeta magnetofonin tonë rinor
E kishte mbuluar të terin pluhuri i harresës
Po dëgjoja prapë shiritin e gjatë mendor
Në veshë ende dëgjoja zërin e kujtesës.

E dashur të thirra me një eho të gjatë bjeshke
Seç m’u kujtuan çastet e ëmbla që jetova dikur
Për çudi ti s`m’u përgjigje fare, si kripë u trete
Mendova mos vallë nga kjo botë ke shkuar që kur.

Kaluan dhjetëra vit të gjata si litari i druvarit
Kujtimet akoma koha s’i tret e kurrë s’i humb
S`dëgjova më zërin që zgjonte dhe majën e malit
Ti u struke diku u vare në një mur tjetër diku.

Thirra dhe zëri më kishte humbur në kroje
Askush s`më dëgjonte se ç’thosha një ditë
Mbeste si gjurmë në udhë të largëta toke
Më lanë si lypës që dora i mbetet e shtrirë.


87 QIRINJËT


Në folenë e gjoksit t’i mbaj qirinjtë të tanë
Në vitet që jetove ato shtohen një nga një
Me mallin për ty fitilat ua ndezi flakë
Tetëdhjetë e shtatë gjerdanë në supe mban.

Në dritën e kandilave ju shkëlqen si kurorë plisi
Rrudhat si brazda ugari duken si farë hyjnore
Më atë lumë djerse që ju doli si burimi nga balli
U rritën  dhjetë fëmijët që me ty krenohen.

Nga të dy luftërat dole si dëshmitar i besuar
O, sa bukur që të jesh mik me një bastun të thatë
Shumë lindje e morte u skalitën pa pushuar baba
Liria dhe familja u gdhendën në to bash si thesar.


KROI I GJELBËSINAVE


Është një krua në Kopiliqin e historive
Nën hijen e shkozës gurët në agime lëkund
Ka emrin e çuditshëm Kroni i Gjelbsinave
Rrjedhë kroi kristal, dora e mjeshtrit askund .

Pyeta gjithë fshatin edhe zogjtë në mal
Kush e ndërtoi vallë në vite këtë burim?
Emrin Kroi i Gjelbsinave kush ja dha?
Nga askush përgjigje s`mora për çudi.

Pranë tij gjarpëron si fjongo lumi në zbritje
Në dy brigjet e tij shtrihet një lëndinë
Ajo bashkë me pusin thirren të gjelbsinës
Psenë  e mistershme askush nuk ma thotë, ore miq.

Kujtimet e vjetra më kthejnë papritur në gjelbsinë
Me trastën e mbushur me pak bukë, djathë e qepë
Në atë pus me fëmijët u lava e preka magjinë
Por si  mbeti ky emër askush s’ma tha në vesh.

Poshtë rrjedhës së lumit thellë në Kopiliq
Na ishte një mulli i vjetër, i Hyskut i thojnë
Ndërsa lart rrjedhës ja aty, si ushtar i mirë
Akoma trokashka e Mullirit të Malës vallëzon.

Është ai krua, dhe pusi  që luan si fëmijë në lëndinë
Të tria  një zëri “Te Gjelbësina” thirrën një ditë
Minierë e kripës askund s`gjendet pranë si dëshmi
Për emrin as vetë, as fshati as zogjtë s’e dinë.








0 comments:

Post a Comment