Monday, December 19, 2016

Prend Buzhala - Poemë


(Ripublikim: Vërejtje: kjo tërësi poetike apo poemë është shkruar në dy kohë të ndryshme:(1980, 2006; e rimarrë nga autori në shenjë të 440-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit). Ripublikohet në shenjë të 450-vjetorit të lindjes së tij

LIBRI I BOTËS SANË TË DASHTUN, I
Unë, Pjetër Budi, i lemë në Guri të bardhë të Matit
buzë Malësisë,
Unë, tue kujtuom se ka pak gjëra të shkruara
për botën tonë, vendosa të shkruaj,
Unë, vendosa, aty ku flitet gjuha jonë fjalëvigmë,
jetën ta bëj Libër të Botës Sanë të Dashtun
aty ku shtrohet në tryezë
Buka
(e mblidhe trohat e shpirtit në Kryqin e Bartur
në pirgjet e përndritshme të jetës së brendshme
aty ku Ujit e Gjellës i jep shije Krypa,
(e bëhesh njeri i Uratës së Flijimit
për të ndritur në Dhé
si në mikpritjen vllaznore të Lazrit)
aty ku kohët e rrugët i drejton Zemra,
të shkruhet Libri i Botës Sanë të Dashtun.
Libër që nuk mund të lexohet vetëm me shkronja
le të jetë,
Libër që Polemi e lexon në rrugën e tij të Flakës
le të bëhet
Libër që vizaton me bardhësi plisi
hartën e shqiptimit të fjalëve,
le të nyjëtohet.
LETËR KARDINAL GOCADINIT, I
Imzot, kardinal Gocadini, pot a nis këtë Letër
me besim të madh
se do të na ndihmoni.
Po ta nis këtë Letër më 15 shtator 1621.
Duhen tridhjetë vjet për të dhënë
Projektin e një Kryengritjeje,
për t’i mbaruar kikat e lirisë.
Fjalën e Thirrjes e presin tridhjetëmijë luftëtarë
e ta shqiptojnë në Sheshin e Nderit
përfalshëm atë fjalën e përjetshme: At Dhé.
Po ta nis këtë Letër,
Unë,
misionari, vjershëtori i vobtë, përkthyesi
e luftëtari me litar rreth zhguni
nga caqet e Botës Sanë rrethuar me fise besëpakë
të dyndur këndej nga ferri i rruzullimit
në Tokën e Shenjtë të Ilionit nga Dardania,
tani të lidhur kambë e duer në botën vuajtjepasosur
e ankthpritjesh
në botën shtigjehumbur
e litarvarjesh. Në shpatulla i rri
Kryqi I Shenjëdëshpërimit të thellë
si një fatkeqësi që përhapet në Fletët e Jetës
e të rrëmben në thellësi të errëta gjeratoresh:
e ta shkëput Fletëshpatoren: Idealin
(në krah shqiponje),
i cili, si shkulm gjaku,
të zbërthehet
në Fletën e Zhgënjimit.
E ta rrëmben Fletën e Vatrës:
bota t’i merr në të katër anët trimat, të lënguarit,
t’i rrëmben të gjallët të vdesin hijshëm,
t’i rrëmben të vdekurit të gjallojnë bukur.
Udhët duhet t’i kenë takimet e kryqëzimet e tyre
në bjeshkë. Fiset e shkelura e ruajnë një gjak.
I kam miq e vllazën pa dallim feje.
Shamia me lule duhet të valojë,
bari i shkelur nga kamba e turkut le të gufojë.
Malësorët në Kuç e në Lezhë, në Çermenikë e në Dibër
deri aty ku shqiptohen fjalët
Bukë, Krypë e Zemër
i donë afër vetes Vdekjen dhe Kangën.
Eh, këta malësorët e mi,
një shpatë e mbajnë
edhe kur ëndërrojnë në pranga e zindane ,
edhe kur ringjallen mbas një jetëthyerjeje,
edhe kur zhyten thellë në ndajnatën e robnisë,
kur gjithçka përkulet në gjumin e jetës, -
ata bëhen yje dhe shpallin kryengritje të panumërta
kundër errësirës.
Si populli fatprerë
që i zgjohet mëria
dhe i sulmon perënditë e blasfemuara.
E shpallin Thirrjen e Jetës:
Humbjen e Madhe
që nuk është kurrë disfatë
- është rast i volitshëm, Imzot,
se Turku lufton me të tjerët.

LIBRI I BOTËS SANË TË DASHTUN, II
Prandaj
më lexo,
Ti malësor, në konakun tënd me hir hyjnie
kur mikun e pret me kuleç
dhe kur në mbrëmje nipave u rrëfen histori,
më lëçit,
Ti, Njeri i Bukës, Krypës dhe Zemrës,
ndez strallin shkrepëtimçar e përvëlues
të dashurisë arbnore,
zemrën e bën flamur miqësie mes popujsh,
më këndo,
Ti, Legjendë e Besës që krijon një Konstandin
dhe Ti, Legjendë e Tokës së Premtuar
e krijon
Moisiun e arratisjeve, shpresave dhe kalvareve.
Shqip të mundënj me rrëfyem
ndonjë kankë të re e pëlqyer nga vetë Zoti,
Të mos e lëmë gjuha të vdaret e të bdruhet.
E ky ligjërim është te Dritë e Hyjit,
e ka zinë brenda vetes,
zinë e Shekullit të Zi
jeta nuk shkohet pa vepruom gja
kundër Djallit të mallëkuom
që na zhbëri e vdari qenien
që shtiu leqtë nd’Arbënë.
Sikur vrapojnë për ta parë Atin
në maje të malit nd’Arbënë a në Galile
mbas Ringjalljes së Jezusit,
ashtu Zemëra më gjet të lirë
për ta rikënduar Librin e Shenjtë
me gjëmat e jetës së Arbënit,
me shenjtërinë e vuajtjes,
me mundimet e mia
nga fundi i shpirtit
te Kangë e moçme e vjershërisë
këtë Libër me mbaruom.
Vetëm jeta të mos na shuhet kurrë te Diell i Ri.

SHEMBËLLA E PËRSHPIRTSHME
E le Gurin e Bardhë
në andrrat e Kohës që gjëmon
dhe shkove të shpërndash therorshëm
frymën e Librit të Botës Sanë të Dashtun
në Shkup e Tivar e Ulpianë e Arbëni.
Shembëllën e Përshpirtshme e kishe
në rrugën e shenjtëruar për Liri,
në mjeshtërinë e shkrimit të librave.
E rruga kishte aq leqe,
aq hone,
aq kryqe.
Ku janë rrugët, kush i fshiu
prej faqes së Dheut?
I vetëm me peshën e Arbënit në shpirt
e shpirti ish aq i sfilitur.
Sikur e bart peshën e kryqit në Golgotë
nën britmat armike,
nën fyerjet e akuzat
e farisenjve me shenja kryqi.
Po as mëkati as armiku sikur nuk kanë pushtet aty.
I vetmi pushtet që e nënshtron
është dashuria ndaj Hyjit, ndaj Arbënit.
I vetmi pushtet mbi të mbaztët e jetës,
mbi mortjen që rrëzon djemtë e ri,
pleqtë bujarë dhe trimat sqimatarë,
letërorët, perandorët, gratë dhe vashat.

ÇELJA E SYRIT
T’u nçelënë syytë të shumëve, Tinëzot,
po i shkruaj këta libra,
me Sibilën për dore (po thonë):
T’pagoiëvet me folë
E t’shurdhëvet me ndëgjuom.
A nuk është kjo dëshira e Bariut të Mirë?
A nuk është ky popull delja e humbur?
Po ku mbetën
të nëntëdhjetenëntë delet tjera?
Unë nuk po i shoh delet tjera.
Delen time të humbur e njoh mirë.
Shih si është kjo grigjë e bardhë
plisëbardhësh, grash të veshura në të bardha,
fëmijësh si flutura të bardha.
Oh, jo! Grigja bredh nëpër pyje të errët,
bredh nëpër natë duke kërkuar shtegun, dritën.
E ka humbur vetveten
dhe tash vetveten kërkon.
A ka kërkim më të rëndë,
më të vështirë?
A ka bredhje më të dhembshme?
E zënë nga mallkimet, grigja s’ka çka të hajë:
ha terrin, ha gur e dru, ha ëndrrat e veta,
ka humbur në natën e kalvareve, në terrin e vuajtjeve.
Më ndje, Imzot, humba mbas grigjës, nëpër natë,
po kërkoj pak dritë me letrat e mia, me këta libra,
me uratat, hymnet, poezitë, homilitë dhe ritualet.
Po i shkruaj librat rrethuar me armiq,
Rrethuar nga nata e errët në Golgotë.
Zemra thamë e përthamë, zemra si dru
sytë akull i ngritë të padenjë ta shohin Qiellin,
këtu askush askënd nuk e njeh.

UJËT DHE GJAKU I SAKRAMENTEVE
A thua Hyji qenka i dashuruar vetëm në lutje,
paska prirje vetëm të fshihet nga Njeriu?
A mos je edhe ti i vetëm,
posi teologët që e braktisën Jezusin?
A nuk të shesin edhe ty për 30 aspra?
Janë pesë udhëtarë që të rrethojnë në barkë,
Ndër ta edhe famullitari Nikollë Leka,
oh Zot!
Pesë vetë me emrin e Judës.
Ishte ditë Krishtlindjesh e vitit 1622.
A nuk është hyjnore kjo?
Shih: të bukurën që shtrihet kudo përreth Arbënisë,
preke, ta ndjesh dhe merr frymë thellë:
shih malet
e shtigjet e errëta,
ku e ruajnë grigjën e humbur.
Andej janë kelmendasit, natë e ditë
me armë në dorë. Andej janë Krujë e Dukagjin
që i dolën turkut prej dore.
Janë viset e Skënderbeut: Matia, Benda, Kurbini,
Tamadheja e Çermenika,
janë Ohri, Elbasani dhe Vlora,
krahina t’Epirit.
Më duhet të shpejtoj
nëpër krahinat t’Arbënit,
në Ulpianë e Shkup e Ohër,
ku u vduer besimi
për ta çuar edhe andej një uratë kushtrimi
nga Kuvendi i Shën Mërisë së Matit.
Nga Kuvendi i Zadrimes
e nga Kuvendi i Madh i Dukagjinit, u morëm vesh
t’ ia heqim Turkut nga dora Arbërinë.
Këndej është
parrizi i tokës
që quhet Arbëni:
me lumenj, peshq, gjah, kafshë,
grurë e voj.
O Hyji im, më duhet të shpejtoj,
ta kaloj edhe këtë vâ,
edhe këtë lumë, këtë ditë terri nëpër Golgotë.
Koha nuk pret:
kush e duron tiraninë e Turkut,
Herodin me pamje sultanësh?
Imzot Pjetri e shikon Arbëninë
si Zoti kur e vështron botën.
E ku ka vështrim më të plotë?
Ku u zhduk Abeli?
Lëreni Abelin e drejtë të vijë tek Pjetri.
Hiqu Jezusit, këtij blasfemuesi,
trazuesi e mashtruesi -
thanë ajo turmë teologësh dhe e gozhduan në kryqin e kriminelit.
Dhe pamjet e tij në kryq udhëtojnë nëpër kohë
i drejtojnë kahet e historisë.
Kryeshenjtit ndë gjak trupnë ia qëndisnë
Vjen edhe ndë tokë t’Arbënit.
Shikoji turmat: a s'e dënojnë në çdo kohë e në çdo epokë
Trazuesin e revolucionarin Jezus
që shqetëson shpirtra,
a nuk e dërgojnë në burg,
në pranga, në gijotinë?
A nuk iu zënë pritë në rrugë
a në Dri të Bardhë?
Gjërpij të famakuom
e kjo zogori largohet me furi.
Aty vjen Maria Shenjte,
zemëra iu akulluo:
Aty ky në prag ndahen jeta e Vdekja.
Drini i Bardhë: Ujë dhe Gjak
për ta kunguar
edhe tradhëtorin e mallkuom,
me emrin Judë a Turqi,
a Venedik a Nikollë
a cubat që i dalin në pritë. Abeli ikën, vjen Kaini.
Ka vetëm Ujë arbëror të Drinit
dhe Gjak arbëror të Pjetrit -
ndryshe nuk do të kryhej vepra e sakramenteve
nd’Arbënë të pagëzuom:
andej kah parakalojnë plaga e Jezusit,
engjëjt dhe shenjtërit.

PONS PILATI NË GJYQIN E KALLMETIT
E Pilati i helmuom vjen nga kohët tjera, i lan duart
për t’u shfajësuar posi qeni i pëgamë
tani në Gjyqin e Kallmetit.
E mandej ai shkoi drejt mjerimit të vet
kah laku e kah thika.
Nata në Golgotë duhet të zgjasë edhe disa shekuj,
me ulërimat e ujqve e të djajve.
I dënuar në të gjitha gjyqet
e të gjitha kohëve -
ku mbet Urdhri i Tenzot:
mos bëj dëshmi të rreme?
Kufomat arbërore mbesin të pavarrosura,
të vrarë në të gjitha luftërat
e në të gjitha vendet,
të humbur në të gjitha betejat e në pax dei,
të kryqëzuar në të gjitha kryqëzatat.

0 comments:

Post a Comment