Thursday, December 8, 2016

Prend Buzhala - KALLËPET POST-KLANORE, NJERIU KALLËP


(STUDIUESIT DHE KRIJUESIT E SHTAMPOSUR) 

(Çaste shkrimi: karakteret), 7
Janë një soj i gjeneratës së re (studiuesish letrarë e krijuesish) që pranojnë të rreshtohen në dy mega-klane (prishtinase) që e kanë vazhdën e tyre që nga vitet '70 të shekullit të kaluar e këndej. Dhe, të tillët, nuk janë as studiues të mirëfilltë e aq më pak krijues që shquhen për vlera artistike.
1.
Nëse dikur taborret kulturore e krijuese ndaheshin në atë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga njëra anë, dhe në atë të (ish) "Rilindjes" e Fakultetit Filologjik, nga ana tjetër; përse u dashka që edhe sot të mendohet, të krijohet e të veprohet asisoj?!
Kë duan të mbrojnë e kë duan ta sulmojnë soji i tillë?
Shihni çka studiojnë, çka shkruajnë, çka sulmojnë e çka mbrojnë soji i tillë.
Thuajse janë krijesa mutante e jo krijesa që mendojnë me kokë të veten...
Njerëzit e tillë mund të quhen Njerëz Të Një Mendimi (si në monizëm), por jo edhe njerëz të bashkëbisedimit.
2.
Pra, soji i tillë janë recidivistë që i takojnë regresit krijues e studimor:
nuk thonë asgjë të re dhe as nuk krijojnë diçka të re,
nuk sjellin asgjë të re, e nuk dalin nga taborri ku (vetë)izolohen,
nuk arrijnë të kenë potencë krijuese, sepse kallëpi ideologjik e artistik, ku janë formuar, nuk i lejon të kenë potencë të tillë.
Ndodh kësisoj, sepse tashmë kanë lejuar të shndërrohen në krijesa kallëpesh.
Ndodh kësisoj, sepse ata vetëm i shfrytëzojnë MEKANIKISHT ato që të tjerët i kanë përdorur apo i kanë shfrytëzuar. Pra, janë njerëz-kallëp dhe studiues-kallëp, dhe krijues-kallëp.
Pranojnë gjithçka çka vjen nga MODELUESI, Koka, Ideologu, (Kryepari i Klanit), pa ia nënshtruar kritikës, vlerësimit a studimit.
Ndodh kësisoj, sepse nuk janë të lirë të mendojnë lirshëm, dmth, nuk nxiten të kenë kreativitet në të menduar. Dikush e ka thënë: "Të drejtën për kreativitet dhe të drejtën për të menduar, sunduesit që qëndrojnë në hije, e mbajnë për vete, si të drejtë ekskluzive..."
3.
Domethënë: mega-klanet e tilla janë përkujdesur që të rekrutojnë vazhdimisht njerëz të rinj, "largpamës"; janë kujdesur që të krijojnë tipa të tillë njerëzish (studiues e krijues), ku shkrimet, studimet e krijimet e të cilëve nuk do të dalin përtej kornizave që i vënë Kryeparët. Kanë prodhuar kallëpin e rekrutimit të tillë (me tituj profesurash, magjistraturash e doktoranturash), ku, për sojin e tillë, sigurohen katedrat, privilegjet, sektorët shkecorë; ku u sigurohet balli i vendit për sesionet shkencore, për ta përcjellë tek të tjerët "të vërtetën shkencore" nën frymën e dirigjimin e Të Parit, Kryeparit; ku u dashka të sigurohen sa më shumë teza doktoranturash për Shkrimet e Kryeparit (duke injektuar procedime letrare që as në mendje nuk i ka pasur jo vetëm autori, po as koha kur shkroi e krijoi).
Njerëziti e këtij soji e kanë edhe një detyrë tjetër të rëndë: për të krijuar studentë-kallëp, nxënës-kallëp, që të krijojnë e zgjerojnë rrethiin e bashkëmendimtarëve. Shkrimatri, gazetari dhe komentatori i famsjëm amerikan, Walter Lippman, do të thoshte: "Kur të gjithë mendojnë njësoj, kjo do të tjhotë se askush nuk mendon majftueshëm.
Publikut i jepen vetëm përgjgjet e gatshme, kurse të tjerët janë të lirë t'i bëjnë pyetje vetes.
Po qe se nuk je Njeri i Dëgjueshëm, dmth, po qe se nuk përputhesh me kallëpin, me klanin-kallëp, po se nuk je Njeriu-Kallëp, atëherë si Qenie e Lirë ti as nuk duhet të ekzistosh. Mbetesh i vermuar.
Për fat të mirë, të gjirhë njerëzit, krijuesit, studiuesit etj, nuk mund të futen në një kallëp.
Prandaj i japin edhe kuptim lirisë.
4.
Ç'është e vërteta, në jetën e përditshme takohemi me bashkëbisedues, me të cilën e gjejmë gjuhë të përbashkët, pa u cënuar personaliteti i askujt. Te e fundit, bashkëbiseduesi (a mbështetësi i mendimit tënd), është shenjë që ti nuk je vetëm në shoqërinë ku frymon liria.
Nuk është e mundshme, pra, që krejt njerëzit të kallëposen, të shtamposen në mendime e në veprime.
Në traditën evropiane ekziston dhe TË MENDUARIT NDRYSHE. Madje, të menduarit ndryshe, si thuhet, ka nisur në historinë e mendimit juridik; edhe sot tipi i tillë i mendimit është pjesë e procedurës gjyqësore në kontekstet mes njerëzve: këndshikimi i të njëjtës ngjarje ndryshe (gjyqtari, avokatët, prokuroria, palët në kontekst...faktet, institucionet).
Dhe nga këndshikimi i tillë përfiton drejtësia.
Kësisoj, edhe në jetën shoqërore, edhe në jetën letrare e studimore: ata që mendojnë ndryshe, na ndihmojnë që gjërat të sqarohen më mirë. Është Bashkëbiseduesi Ynë ai që na bën a shohim dallimin nga njëri-tjetri. Prandaj, bashkëbiseduesi është ai që përnjëmend mendon me kokën e vet. Në bashkëbisedim askush nuk është i tepërt: secili dhuron diçka nga vetja, secili jep ndihmesën e tij në temën që debatohet. Nga bashkëbisedimi i tillë e begatohet secili. E ndryshmja qëndron tek përvojat personale, te këndshikimet vetjake dhe te frymimi personal. "E bukura qëndron te ndryshesat, dallimet", thotë një estet, kurse personazhi i Antoine de Saint-Exupéry shton: "Më bën më të pasur, kur mendon ndryshe nga unë."
Dhe këtu qëndron edhe dhuntia e komunikimit.

0 comments:

Post a Comment