Wednesday, December 28, 2016

Sergej Esenin - Rrëfimi i Huliganit

Gjithkush të këndojë s’di,
As gjithkujt i takon, si mollë,
Ndër këmbë të tjerësh të bjerë.
Rrëfim më të madh se ky,
Huligani s’ka bërë asnjëherë.

Shpupurisur kështu, dua vetë,
Me kokën, si llampë vajguri mbi sup, të bredh:
Vjeshtës së shpirtrave tuaj, vjeshtë pa fletë,
Dritë në terr t’i hedh.
Më pëlqen kur të shara dëgjoj,
Dhe kur gurët më vinë si breshër,
Vetëm ngre duart
Dhe flakën e flokëve mbroj.

Sa mirë më vjen n’atë çast, kur tek mbrohem ashtu,
Kujtohem se ka dhe një pellg mes blerimesh mbi
tokë,
Se kam edhe unë një mëmë e një babë dikur,
Që për vjershat e mia vërtet s’çajnë kokë,
Veç të shtrenjtë më kanë, si fushën e si bereqetin,
Si shiun, që jetën gjallon në pranverë;
Për çdo të bërtitur ndaj meje, do suleshin rreptas
Si cfurqe mbi ju, njëherësh!

Të varfrit e mij katundarë!
Tani u rrëgjuat e rroni
Me frikën e zotit dhe fundit të zi të kënetës;
Oh, po si nuk kuptoni
Që sot në Rusi biri juaj
Çmohet mbi gjithë poetët?
Mbani mend? Ju pikonte në zemër,
Kur zbathur dikur pllaquritej nëpër baltovina,
Kurse sot mban cilindër
Dhe këpucë llustrina.
Po huqet e hershme të fshatit,
Kur bridhte pa fre, s’i harron;
Çdo lope, nga çengeli i dyqanit të kasapit,
Të fala që larg i dërgon.
Papo kur shesheve sheh karrocierë,
Erë e plehut ndër mend i bie,
Dhe bishtin e çdo kali gati është aherë
Ta mbajë si bisht fustani nusërie.

E dua atdhenë,
E dua fort atdhenë,
Sidoqë ka një ndryshk të shelgtë brenge.
Dhe derrat feçkëndotur më pëlqejnë,
Dhe zhurma e bretkosave ndër pellgje.
Sa mall kam për vitet fëminore,
Për ato mbrëmje prilli, që s’më shqiten nga kujtimet:
Gulaç sikur qëndronte panja jonë mes oborrit
Dhe ngrohej në zjarr të perëndimit.
Sa herë nëpër degët e saj jam kacavjerrur,
Sa vezë sorrash kam vjedhur ndër fole!
A thua e ka blerimin e atëhershëm
Dhe koren e lëmuar ende?
Po ti, o qeni im,
Besniku im i shkretë?!
E di, je plakur mjaft e je verbuar
Dhe angullin oborrit bishtpërpjetë,
Se dyer e haure ke harruar.
Oh, e mbaj mend dhe sot e kësaj dite,
Si copn’e bukës kapnim ne së toku
Nga dorë e nënës, e si e kollofitnim,
Në pjesë pa i hyrë shoku-shokut.
Njëlloj edhe sot kam mbetur!
Sytë më lulojnë po njëlloj,
Si lule kokoçelesh nëpër thekër;
Të shpreh atë ç’ka ndjej në shpirt më tepër.

Natën e mirë!
Të gjithëve natën e mirë!
Kosorja e muzgut po tringëllin mes barit...
Nuk di pse paskam sonte dëshirë
Hënën të shoh nga dritarja,
Oh, sa dritëz e kaltër! Në kaq kaltërsi,
S’të vjen keq as të zbresësh në varr.
Dhe cinik s’ka pse dukem aspak, që tani
Te menderja llampën po var.
O Pegasi i mirë e i lodhur,
Trokun tënd aq të butë a ia vlen këtë çast ta kërkoj?
Unë mjeshtër i egër kam ndodhur,
Për minjtë lavde këndoj.
Ç’po më zien radakja, furrë e trazirë.
Verë flokët çaprazë kullojnë.
Një velëz e verdhë të jem, kam dëshirë,
Te ky vend, ku sot lundrojmë.

0 comments:

Post a Comment