Thursday, December 8, 2016

Grigor Jovani - Një tufë lulesh në dhjetor

Cikel poetik

ENIGME DJALOSHARE

Cila prej të dyjave qe Dashuria,
nuk më thua:
ajo, apo llahtara djaloshare
për një grua?!

VARREZA ANIJESH

Do të gjesh anije të mbytura
nëpër rrëpirat e ca lumenjve të frikshëm,
damarët e mi.
Janë dashuritë e mia të kahershme!
I shikon dhe ndihesh i trishtuar.
O zot! Ç’varrezë e tmerrshme!

Aty-këtu nëpër brigje mbeturina të kalbura,
sy të dëshpëruara,
buzë të kafshuara,
kofshë të përvëluara,
si mollë që lundrojnë -
dy gjinj.
Anije të braktisura në mëshirën e fatit.
Ndjenja që dezertuan nga frika,
si minj.

GABIM

Ç’m’u desh të të ballsamosja buzëqeshjet
brenda shpirtit,
si në një mauzoleum me mermere
në ngjyrën e gjakut.
Tani jeta ime ngjan kabinet zoologjie,
ku të mbyt era e amonjakut.

DESHIRA E FUNDIT

Pyllit tim të viteve të serta,
më në fund,
poi vjen fundi.
Mandej fillojnë ca livadhe të blerta,
ku unë s’do të jem
asgjëkundi.

Do të bëj një vizitë të fundit tek Zoti.
Do më pyesë: “Të pëlqejnë?”
Do t’i them: “Domosdo!
Por kam një lutje, Imzot, prej idioti:
hiqmë mua nga lista,
që të hyjë Ajo!

Ah, mos e kërko tek qitapët e vjetër!
Nuk është! E ke fshirë,
kur kërkoi zemër tjetër!”

DEBORA E RE

Si ta shijoj dëborën e re,
në pistat alpine, ku tani,
në prag Krishtlindjesh,
përfundova?
Nuk jam këtu! Me mendje
kam mbetur,
tek pranvera e parvjetshme,
që aq shumë dashurova!

PULEBARDHAT

Nuk është e lodhur kjo pulëbardhë,
se u ul majë një shkëmbi,
si të jetë pikë e zhegut.
Deshifron mesazhet e të mbyturve,
tek shkëmbinjtë e thepisur,
anës bregut.
(Pista dimërore,

Kalavrita, dhjetor 2016)

0 comments:

Post a Comment