Friday, December 9, 2016

Sinan Kerpaçi - Tre poezi

SA TA DEHIM

Ç`e kam këtë mall për “Kokrrën e Majës”,
për detin me Kokërrmajë
dhe për bregun që pret dallgë,
për picën “Katër stinët” pjekur me dru,
verën “Kokrra e Majës” servirur po në breg,
dhe për gjithçka.
Më ka marrë malli me përmasa të mëdha
mu te deti më të dalë
në bregun ku kemi qenë.
Në tokë dashurie do ta kthejmë atë djerrë,
do më gjeni si mbjell vargje
për mallin që ka një emër: Kokërrmaje.
Do ta gjejmë pas gjurmëve njëri-tjetrin,
do bëhemi në një mendje
deri sa ta dehim detin me një “BASHKË”
si tjetër gjë dhe një herë
në të shkelurën me këmbë që s`e lamë djerrë.

Dhjetor 2016.

Langston Hughes
DEMOKRACI
Demokracia s`do vijë sot,
As këtë vit,
As ndonjëherë
Me kompromis dhe frikë.
Kaq shumë kam të drejtë
Siç ka dhe shoku im
Të qëndroj
Mbi dy këmbë
zot në vendin tim.
Lodhem shumë kur flasin pa fre,
Gjërat le të marrin udhën e tyre.
E nesërmja është një ditë e re.
Kur të jem i vdekur s`më duhet liria,
S`mund të jetoj i mjerë ditët e mia.
Një farë e duruar
Është liria
E mbjellur në nevojë
Nga uria.
Këtu jetoj dhe unë, gjithashtu.
Lirinë e dua
Po kaq sa dhe ju.

TAVOLINA E NËNËS

M`u bë një jetë që ma shtron tavolinën,
kështu u ngrite mbi nëntëdhjetenjë vjet
edhe mbrëmë,
kur shekulli ndërroi vitet, por jo zakonin tënd.
Gota ime u mbush me lutje dhe bekim nëne mbrëmë
e unë thashë shumë herë: Gëzuar, o nënë!
Ta thashë te tavolina që rri në duart e tua
dhe jo mbi katër këmbë.
Në ka brenda birit diçka që quhet dhimbje,
që deri në ndërrimin e viteve pret
është krijuar pas modelit tënd
në nëntëdhjetenjë vjet e çdo ditë.
Pse s`të ngjaj në të gjitha në shekullin e lig,
pse urrej unë, o nënë dhe s`jam modeli yt?!
2014

0 comments:

Post a Comment