Wednesday, December 7, 2016

Prend Buzhala - MODELI I IDEALIT ANTIK PËR HEROIN TE HUMANISTËT ARBËRORË



(Çaste të leximit letrar), 4

KULTI I HEROIT në letërsinë tonë nis me shkrimtarët humanistë arbërorë, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Martin Segonin etj. Që të tre këta autorë arbërorë të epokës së Humanizimit e të Renesancës, kanë shkruar vepra për Epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut: Marin Barleti në ”Hitorinë e jetës dhe të veprave të Gjergj kastriotit – Skënderbeut” (1508-10 në Romë) dhe “Rrethimi i kodrës” (1504), Marin Beçikemi (1408-1531) shkroi ligjëratat me frymë të kronikës, frymë letrare e humaniste për dy rrethimet e Shkodrës, kurse Martin Segoni, që ishte nga Noua Bërda e Dardanisë (Kosovës së sotme), është biografi i parë i Skënderbeut.
1.
Mbi të gjitha, që nga Barleti e këndej, Skënderbeu është hero nacional i shqiptarëve, ashtu sikundër konsiderohet edhe edhe hero i Europës dhe i krishterimit. Kjo do të thotë që në kontekste të ndryshme kohore, modeli i heroit bart shenjën e epokës përkatëse. Kësisoj, Barleti si humanist me pikëpamjet e epokës së tij, shkruan për Skënderbeun si një perëndi e lirisë, mbrojtës të lirisë, profet të lirisë, trim mbi trima duke e epitetizuar kësisoj me apologjinë e njohur humaniste të kohës. Duke evokuar heronjtë e lashtësisë Lekën e Madh, Pirron etj, Barleti ka bindjen se edhe koha e tij mund të nxjerrë njerëz që janë të zotët për vepra trimërie (HLSH). Si krenaria për origjinën e lashtë mitologjike e për heroizmat me kallëzime mitologjike, ashtu edhe modelet e heroizmit antik, Barleti i gjen të mishëruara te Skënderbeu. Ndërsa panegjeriku i humanistit shkodran Marin Beçikemi, të botuar më 1503 (ose më 1504) dhe që i drejtohej dukës Loredan Loredanit dhe Senatit të Republikës së Shën Markut, ka po atë frymë të modelit të heroit humanist, në gërshetim me himnizimin e veprave heroike të Skënderbeut e të bashkëluftëtarëve të tij. Heroi i kësaj "Historie..." del një orator i madh, sa që lexuesit i kujtohet fjalimi antologjik për lirinë para banoërëve e luftëtarëve të Krujës.
2.
Humanisti shqiptar Dhimitër Frangu (l443-1525), i lindur në Drisht të Shkodrës, shkroi veprën e tij “Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut”. Sikundër dihet, kjo vepër ishte botuar fillimisht në gjuhën latine, në Venedik, më 1539. Libri është ribotuar shumë herë nëpër vende të ndryshme evropiane, por jo deri më tash edhe në Atdhe! Botuesi Petraq Risto sqaron se ky libër është ribotuar në Londër më 1562, brenda librit të fiorentinasit Andrea Kambini, në të cilin është mbështetur edhe shqipëruesi Hysen Hidri. Humanizmi shqiptar përbën një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të kulturës dhe të historisë së letërsisë sonë, periudhë që u zhvillua në shekullin e madh të Gjergj Kastriotit, apo në Motin e Madh, sikundër do të thoshin rilindësit arbëreshë. Edhe Dhimtër Frangu është po nga ato rrethe, prej nga ishin Martin Segoni (novobërdas që veproi në ato zona), Marin Beçikemi, Marin Barleti, Engjëllorët etj. Frangu i regjistron dhe i komenton jetën e bëmat e Skënderbeut, po edhe të luftërave të zhvilluara në një plan më të gjerë të aktualitetit, kur shkroi ai. Mbas jetëshkrimeve të shenjtorëve nga autorët klasikë e mesjetarë, vinte një periudhë tjetër, që merrte barrën të shkruante për njerëz të politikës e të luftës e për personalitete që shënonin kthesat e epokat historike, si kjo e Skënderbeut në historinë shqiptare dhe ajo e Humanizmit dhe Renesancës, që i pati, krahas atyre evropianë, edhe humanistët shqiptarë. Këta humanistë të Arbërit bënin emër nëpër Evropë si njerëz të dijes, të artit e të kulturës, gjithnjë duke e ruajtur krenarinë e ndërgjegjën për shqiptarësinë, e cila del e fuqishme dhe e afishuar shpesh te Frangu.
Sado që konfrontimet në librin “Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut” në sfondin e gjerë historik paraqiten si luftë në mes të krishterësh dhe muhamedanësh, apo si ballafaqim në mes qytetërimit evropian dhe barbarisë “turke”; megjithatë Dhimitër Frangu përgjatë tërë veprës, do ta shquajë këtë ndërgjegje të shqiptarësisë. Nëse në planin universal, kjo luftë paraqitet si ballafaqim religjionesh, kulturash, mënyrash të jetesës; atëherë, që në agun e kësaj ndeshjeje të madhe historike edhe Dhimitër Frangu do ta shquajë këtë ballafaqim si mbijetesë të një kodi tjetër etiko-juridik dhe si një mbijetesë të vetëdijes evropiane e kombëtare përballë akulturimit e tjetërsimit të shtresave shqiptare, përballë ndikimeve të huaja kulturore-fetare, duke e shquar, së këndejmi, modelin kulturor burimor përballë modelit të tjetërsimit.
Si rrjedhim, edhe ky libër nuk do të mund të dalë nga sfondi i historisë së përbashkët evropiane, as nga përcaktimi i identitetit evropian të shqiptarëve; sepse te ky identitet ngërthehen historia e përbashkët e këtyre popujve, kultura e përbashkët, gjuha e përbashkët indoevropiane, hapësira e përbashkët kontinentale, dhe, gjithsesi, edhe religjioni i përbashkët, sikundër ishte dhe është krishterimi. Pikërisht këtë nyje të identitetit tonë arbëror e kontinental Frangu e saktëson më se një herë, gjithnjë në frymën e mendësisë humaniste të kohës. E, nga ajo frymë, të duket se nuk ka asgjë të vjetëruar! Vlen të theksohet se edhe personaliteti i Skënderbeut del më autentik, në sfond krejt real, jo emfatik apo i përshkuar nga reminishenca klasike që nuk thonë asgjë. E vërteta thelbësore e ”Komentarit…” të tij del edhe me një varg të dhënash të tjera që nuk i njohim te Barleti apo te Beçikemi. Pra, kronisti shpesh ia lë vendin autorit realist, kurse prirjet fiksionale-narrative ia lënë vendin historianit me prirje klasike e postklasike. Sido që të jetë, kjo vepër, tek e pasuron kulturën e historinë tonë letrare me monumentalitetin e botimit; ajo e qorton edhe ndërgjegjen tonë: përse kaq vonë ky libër në mesin tonë?
3.
Nga Letërsia e vjetër shqipe kemi dhe veprën e Frang Bardhit “Apologjia për Skënderbeun”, e cila, si shprehet Bardhi, është shkruar për 15 ditë, kur po përgatitej të vinte në Atdhe, mbas shkollimit jashtë, për të marrë detyrën e tij në Atdhe. Në të ai polemizon me boshnjakun Tomko Marnaviçi, i cili, më 1631, e paraqiste Skënderbeun me origjinë boshnjake. Ai demaskon falsifikim e këtij autori, i përgjigjet flakë për flakë Tomkos, i cili mohonte kombësinë e “princit të pathyeshëm e trim mbi trima”, Skënderbeut e ky mohim prekte ndjenjat atdhetare jo vetëm të Frangut, po të të gjithë shqiptarëve. Përpos që del si vepra e parë polemiste në letërsinë tonë, ajo ka edhe vlera artistike-letrare si vlerëson Engjëll Sedaj,studiues i Bardhit. Një vepër tjetër e shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. I njohur është edhe humanisti Gjergj Merula, i cili botoi më 1474 një rrëfim prej 24 faqesh mbi zhvillimet politike dhe ushtarake në Shkodër gjatë rrethimit të parë. Studiuesi Behar Gjoka thekson se “në librat e letërsisë së hershme shqipe, tek Budi, si "Vise të Skënderbeut", çka përmendet tek letra e 15 shtatorit 1621, drejtuar Kardinal Gocadinos, ku edhe vihet re se për shqiptarët, "rreziku do të vijë edhe prej muhametizmës dhe skizmës... Po ashtu, në poezinë e Lukë Bogdanit, që gjendet tek libri "Çeta e Profetëve", i Pjetër Bogdanit, vjen "kujtim i Gjergj Kastriotit", por edhe nga vetë shkrimtari, ndërsa përmend treqind luftëtarët "maqedonas", siç shprehet ai.”

0 comments:

Post a Comment