Saturday, December 3, 2016

Prend Buzhala - FIGURA E PELEGRINIT MODERN


(Çaste të leximit letrar: 

poezia "PELEGRIN" e Dritëro Agollit), 2

Te libri i fundit poetik “Fletorka e mesnatës”, ai bisedon me miqtë, me aleatët dhe kundërshtarët, me njeriun ashtu siç është. Është një bashkëbisedim i prekshëm e i trishtë, ndryshe nga fazat e mëhershme të lirikës së tij, këtë komunikim të ngrysur ai e nis që nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”. Shtylla të poetikës së tij janë thjeshtësia e ligjërimit poetik, idetë e porositë sa shqiptare aq edhe botërore, dhe shprehja e hapur. E tërë krijimtaria e tij mund të thuhet se përbën Poetikën e Shmangies, do të thotë poetikën e risive letrare.
1.
Në poezinë “Pelegrin” Dritëro Agolli shfaq këtë poetikë të pelegrinazhit a shtegtimit jetësor e kombëtar (tema aq e dashur e udhëtimit, shtegtimit gjatë gjithë gjysmës së dytë të shk XX te ky shkrimtar).
Figura e pelegrinit, ngjet në rendjen e marathonomakut të Fan Nolit nëpër shekuj, kurse ky pelegrin agollian lëviz nëpër mijëvjeçarë e nëpër hapësira historike gjithmonshëm (“Unë jam prej kohësh pelegrin/ shtegtar i karvanit të humbur”). Ndarja “nga karvani” ishte e prekshme dhe rikthimi edhe më i dhimbshëm:
dhe bart në kurriz një premtim
të dhënë gjyshërve të mundur.
Mbasi në dekadën e fundit të mijëvjeçarit që e lamë pas (1990-2000), plasën e u bënë copë e grimë ekzorcizmat totalitare, pushtuese e ideologjike, ishte Letërsia ajo që triumfoi mbi to, me proceset e reja letrare, së bashku me motrën e saj të përjetshme, me Demokracinë. Këto procese, sikundër dihet, karshi mësimit të dhunshëm zyrtar të kulturës, të letërsisë dhe të historisë, nxorën në pah një Letërsi Tjetër, dhe, si rrjedhojë, edhe një Kulturë Tjetër e një Histori Tjetër. Janë dy hapësira që karakterizojnë botën shpirtërore të shkrimtarëve (në dy kohë të ndryshme...)
2.
Mirëpo, Dritëro Agolli ndoqi rrugën e jetës. Dhe pushton hapësira gjithnjë e më të gjera të lirisë, të lirisë së shprehjes, formësimit e formimit, të veprimtarive të tij të pakufishme njerëzore e shoqërore dhe të manifestimeve tejet të pasura psikologjike e shpirtërore, me enigmat e fatit dhe përplasjet dramatike në thellësinë e qenies së personazhit lirik midis shpresës dhe zhgënjimit:
Unë jam prej kohësh pelegrin
udhëtar në vendin e shpresës së thyer
jam ndarë pa dashur nga karvani im
mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer.
Prandaj, nuk është e habitshme pse paraqitet qoftë tema e folësit lirik në këtë tranzicion dramatik të shoqërisë shqiptare; qoftë lufta e Kosovës si njëra ndër përbërëset kryesore stilistike-tematike; qoftë ajo e rezistencës nacionale apo pikëzimi refleksiv i botës së brendshme të individit kundruall shoqërisë shtypëse a pushtuese (cikli i poezive për Kosovën i Agollit)... duke krijuar dhe ndërtuar shijen e re të lexuesit. Ashtu sikundër që begatohet përvoja njerëzore në qenien e tij shoqërore, historike e shpirtërore; po ashtu pasurohet dhe zgjerohet e thellohet edhe struktura poetike ...
Ai lëviz në hapësirën tonë letrare qe gjashtë decenie, tek zbulon e rizbulon hapësirat dhe “copëzat” e gjeografisë sonë të jetës e të paqes, të Atdheut e të Trojeve Etnike, pakënaqësitë, shqetësimet e gjurmët e pashlyeshme të Universit Shqiptar.
Edhe njëherë: është Poetika e Bardit.

(Tetor 2016)

Dritëro AGOLLI:

PELEGRIN
Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer
kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë
Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Më duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Capitur mes vapës, mes shiut e të fothtit
Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.

 2 dhjetor 2016)

0 comments:

Post a Comment