Tuesday, July 25, 2017

Prend BUZHALA: EDHE NE JEMI KOMB KULTUROR



Kur para disa vjetësh thosha se Evropa i jep miliarda e miliarda euro dhe nuk e lëshon Greqinë të dalë nga Bashkimi Evropian; jo pak MIQ (dhe oponentë të natyrshëm të mendimit), më thoshin se Greqia do të dalë... se "kapitalizmi evropian gjendet në kalbje" e blofe të ngjashme ideologjike, akrepat e të cilëve kanë mbetur në shek. 19. Por ka diçka që qëndron përtej Bashkimit Monetar, Bankar a Bashkimit Financiar Evropian e që është BASHKIMI KULTUROR I EVROPËS. Dhe Evropa nuk bën pa Greqinë, pa traditën e trashëgiminë e saj historike e kulturore, pikërisht për shkak të Evropës Kulturore (Greqia është trashëgimtare e antikës, demokracisë athinase të Perikliut, Platonit, Aristotelit, Homerit, Eskilit, Safos, Akropolit, miteve...). Prandaj, ajo e shfrytëzoi këtë rrethanë në favor të sajin... ndërkohë që Italia është ama e trashëgimisë së tri shtyllave tjera...
1.
2.
A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë, janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë te këto shtylla...

3.
Nëse ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?! Me çka "i imponohemi" Evropës?! Me cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?! Ne kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka "ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar!? As vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët... Por shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh, shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë Perandorisë Otomane (si ledh kundër sheriatizimit të shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej... në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.
Është ai MODEL që kushtetutat moderne e njohin si LIRI BESIMI. Te kjo LIRI EUROPERËNDIMORE BESIMI, shqiptarët e ndiejnë veten mirë, ndryshe, bie fjala, nga ato zona ku myslimanët nuk e ndiejnë veten mirë (problemet që kanë me religjionet bahai, hebre, të krishterë, shintos, me ateistët, dhe ndërmjet veti, si në Gaza, Egjipt, Libi, Marok, Iran, Irak, Jemen, Afganistan, Pakistan, Siri, Liban, Nigeria, kenia, Sudan...). Por e ndiejnë veten mirë "jashtë botës islamike" në Evropë, Australi e Amerikë, por edhe në Indi)... Ndryshe, shqiptarët nuk janë ata që imponojnë a themelojnë organizata terroriste kundër këtyre vendeve “joislamike”, "për t'i akuzuar europerëndimorët dhe për t’ë luftuar kundër tyre” a për t'ua ndryshuar konfigurimin kulturor! Jo! Pikërisht, pse jemi pjesë e këtij IDENTITETI KULTUROR EUROPERËNIMOR, shqiptarët nuk janë pjesë e organizatave terroriste të Lindjes... dhe as i përkrahin ato kombëtarisht, kulturalisht, politikisht apo fetarisht... Prandaj edhe ne JEMI KOMB KULTUROR EUROPERËNDIMOR... dhe kemi se çka të shpalosim nga kjo trashëgimi, pikërisht ato thesare të hedhura, të mbuluara, të mënjanuara apo të përbuzura...

0 comments:

Post a Comment