Wednesday, July 19, 2017

Sabit avdyli: KURNACI


“Lavdin e ka rritur e ëma me shumë mundime. Lavd, kurdoherë Lavd e ka thirrur e ëma, se ai Lavdërim e ka pasur emrin”. – i thoshte Ardi bashkudhëtarit të tij bullafiq, ndërsa pjesëmarrësit e funeralit kokulur tërhiqnin këmbët duke ecur mërzitshëm rrugës me gropa pas arkivolit të Lavdërimit. “ Ne shokët e tij - vazhdoi ai, emrit ia shtuam edhe epitetin Kurnaci, se vërtet kurnac ishte. U shkollua... arriti goxha shumë, bile do të thosha më shumë se të gjithë ne, shokët e tij. Prej një dinari i bënte dy. Kishte zakon të fliste me përbuzje të thellë për njerëzit dhe për çdo gjë tjetër që nuk i pëlqente. Me inate i ngjante së ëmës: kokëshkëmb, kurse nga pamja babait: muskuloz, fytyrë buçkane, trup mesatar të ngjeshur e shikim të ftoftë. Në ndeja, në ambiente publike ishte i lezetshëm, me humor e elegant, por vetëm atëherë, kur nuk kish nevojë, ta fuste dorën në xhep. Punonte shumë... Mbrëmjeve mbyllej dhe sapo sigurohej se nuk e shihte njeri, Llapushin, qenushin e tij besnik e nxirrte jashtë, duke e mashtruar me një kore buke të mbetur në sepete dhe lëshohej në dy gjunjë, me gojën vesh më vesh; numëronte e rinumëronte kursimet. Si frikacak e tinëzar, kursimet i ndante në disa vende: në bankë, brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Kursimet në bankë i përlau “Jugokbanka”, ato brenda shtëpisë, të fshehura në një çorape të vjetër, pas një kohe ia gjejnë minjtë dhe çorapen bashkë me kursimet i bluajnë, grimcojnë, i bartin, i fusin në vrimat e tyre, kurse një pjesë tjetër të bankënotave të mbetura era i shpërndan gjithandej nëpër tavanin e shtëpisë prej ku sorrat i kanë bartur e kanë ndërtuar çerdhe me to. Kam dëgjuar se ai buzaçi i mëhallës së Rrahishtave, duke krasitur plepat te mulliri i Nezës, në degët e tyre gjen bankënota të padëmtuara dhe me ato ka bërë qejf tërë asaj vere në Durrës, Sarandë e Vlorë. Ato jashtë shtëpisë i kishte futur tre tehe lopate llagëmi në tokë. Kur deshi t’i shihte se mos ndoshta i ka kapur lagështia, edhe pse ishte i sigurt se i kishte izoluar mirë në kavanoz, nuk i gjeti dot. Tre vjet rresht e rrëmihu kopshtin tre tehe lopate thellë, tre vjet gërmoi me bel e kazmë, vende – vende edhe një bojë njeriu thellë, por kot, nuk i gjeti dhe nuk i gjeti. Shkoi te fallxhesha me shpresë se mos po e ndihmon. Sa e pa fallxhesha, ia hapi derën, Lavdi u pushtua nga vështrimi i saj i ngrohtë, nga gjinjtë e fryrë, krelat e flokëve ngjyrosur me kanë, që ia mbulonin ballin deri te sytë dhe linjat e trupit ende të mbajtura mirë. Shkoi për hall e fall e mbeti për darkë. Kaloi natën gjithë qejf. Në dalje, kah dera e prapme e shtëpisë, zonja e përcolli me dashamirësi: “Kur ke mërzi, kur nuk të ecin punët, kthehu te unë!”. Që të nesërmen - vazhdoi Ardi - Lavdi filloi një jetë ndryshe, vishej me elegancë të tepruar, stolisej me unaza të mëdha, embleme, medaljone, kravata flutur e shalle me ngjyra të ndezura, që nuk përputheshin me moshën e tij. U dha pas pijes, pas qejfeve. Fliste shumë, qeshte për hiçasgjë. Kthehej gjithnjë e më shpesh te fallxhesha me qerpikë të zi. Veturën e ngiste shpejt. Krejt qyteza fliste se Lavdit paratë e groposura ia gjeti fallxhesha me magji, me magji e robëroi, ia ndërroi mendjen dhe bënte me të çka i tekej asaj, kurse vetë pushoi së ushtruari zanatin. Mjaft qemë robër të parasë! Mjaft punuam, kursyem, numëruam, rinumëruam, groposëm para, i paska thënë Lavdit, na ka lodhur beqaria si ty edhe mua, në këtë moshë që jemi, s’na ka mbetur edhe shumë jetë për të jetuar. Ja, edhe kursimet e mia, merri, t’i bëjmë rrush e kumbulla se s’kemi kujt t’ia lëmë. Kjo jetë “ndryshe” ishte ekstreme si ajo e para. Dhe, derisa po e ngiste veturën me shpejtësi...” “-Me atë veturën që e ka pas blerë në ankand”, - ndërhyri Bullafiqi. -“Jo, jo me këtë të renë”,- u përgjigj Ardi dhe po bëhej gati për t’i vazhduar llafet, kur krejt afër dëgjoi një qortim të pezmatuar të njërit me çehre të zymtë: - “Lëreni të ndjerin të qetë, bile tash, kur po e varrosim!”

0 comments:

Post a Comment