Thursday, July 27, 2017

Prend BUZHALA: JEHONA E DYERVE


(Tregim me pak fjalë, për një fabul moderne), 27
E hetoi: kur hynte nëpër dyer të mëdha, ato kërcëllinin. Dëgjonte zhurmën e thatë, dyert lëshonin një krismë sikur do të thyhej ndonjë xham. Në të vërtetë, ai përpiqej të hynte a të dilte diku, pikërisht aty ku kishte dyer të mëdha. I therte në ijë, kur ai nuk shihej fare nga të tjerët, nuk vërehej fare. Ai e përfytyronte hyrjen a daljen nëpër to, sikur zhurma do të ngrihej kastile për parakalimin e tij triumfal; se ushtima e buçima do të dëgjohen për shëmbëlltyrën e tij. E përfytyronte veten sikur po kalonte nëpër ato dyer ku kishin kaluar, bie fjala, perandorët ilirë, apo Aristoteli, Skënderbeu apo Napoleoni, Gëte apo Jeronim de Rada.
Dhe kudo e kahdo që shkonte nëpër botë, hynte e dilte nëpër dyer. Dyer nëpër ndërtesa, rrugë, udhëkryqe, autobusë, vetura, aeroplanë; nëpër oborre shtëpish, kopshte dhe portikë; nëpër kështjella, muze dhe shtëpi me rëndësi të veçantë muzeore; nëpër shkolla, universitete e akademi ... deri te panteonët antikë e modernë.
Kur ia rrëfeu shqetësimin vetjak një të afërmi të tij (për kërcitjen e dyerve, dhe pse në hyrje-daljet e tij ishte i pavërejtur); dhe kur ia përmendi emrat e mësipërm të historisë, i njohuri i tij i tha:
- O mik i dashur, gjithë ata njerëz kanë hyrë së pari nëpër dyer tejet të ngushta, ku unë e ti nuk mund të depërtojmë. Ato dyer, gjatë jetës së tyre, i kanë zgjeruar e bërë të mëdha. Prandaj, kur kanë shkuar në amshim, ata kanë kapërcyer nëpër dyer të mëdha.
Kur u ndanë, vetëm personazhi i këtij tregimi e dëgjoi përsëri një kërcëllimë therëse të derës...

0 comments:

Post a Comment