Wednesday, July 26, 2017

Prend BUZHALA: SHPEJTËSIA E PLUMBIT OSE DASHURIA NDAJ FLURUDHËS



(Tregim me pak fjalë në tri partitura të dhimbjes), 26 

I pëlqenin fluturimet e mendjes. Mendjen e krahasonte me fluturimin e plumbit, me flurudhën. Në këso çastesh, i kujtohej Mira, e dashura e tij. Mendja fluturonte më shpejt se plumbi... Mandej mendimi i zhvendosej kah urrejtja që kishte për armikun, që po i bëhej gjithnjë e më i padukshëm. Lëshonte një sharje. Një sharje që i dukej se ishte plumb. Mendimi dhe sharja, plumbi dhe fluturimi i tij... Mendime, plumba, fjalë-sharje, flurudha... vajza, armiku i padukshëm.
1.
I dukej se ende dëgjonte britmën e vajzës, të dashurës së tij, kur e kishin dhunuar paramilitarët. Kur e kishin gjetur Mirën të vdekur, afër kishte pasur një thikë: nuk dihej, në pamundësi që ta godiste paramilitarin, kishte prerë venat e dorës së saj të djathtë...
Në ato çaste ai, nga zemërimi i papërmbajtur, kishte shkrepur plumba, kishte mësyrë krejt i hallakatur drejt pozicioneve armike... E kishin ndaluar shokët...
Që në vegjëli merrej me armët. Tashmë, në moshën e luftëtarit, i interesonte shpejtësia e plumbit. Po i studion plumbat që kanë shpejtësinë mbi 1200 metra në sekondë. Por assesi ta largojë vëmendjen nga plumbi magjik... Kishte lexuar histori për trima që kanë vrarë burra të tjerë me një plumb. Kishte dëgjuar këngë për shkrepjen e armës kundër gjakësit; këngë për djalin që mori gjakun e babës së vet, duke vrarë kriminelin e një shteti të huaj në hotel. Kishte parë mjaft filma se si agjentët vrasin gjakftohtë kundërshtarin e tyre. Plumba që vrasin armiq, por edhe plumba që prodhonin armiq të rinj.
Në pauzat midis dy betejash, edhe ai ndjente qetësim e kënaqësi kur vidhte çaste meditimi. I pëlqente sidomos ai meditimi midis asaj minipauzës milisekondare a sekondare: çka ndodh në distancën kohore e hapësinore midis shpërthimit të plumbit nga arma e deri kur qëllon cakun: mishin njerëzor, kokën e ndonjë njeriu apo diçka tjetër. E shtëna dëgjohet, zëri mbetet prapa, plumbi fluturon më shumë se zëri... shikimi normal nuk mund ta zë atë çast... Flurudha, ajo rruga që bën plumbi... Kjo gjakftohtësi, si në filmat me agjentë, i pëlqente, sidomos kur futej natën në kampin armik, plumbin nuk e lejonte të shkonte huç dhe përvidhej sjhtegut që e kishte studiuar me gjakftohtësi...

2.
Por atë armikun, të vërtetin, ende nuk po e gjente as në kohë paqeje...
Prapë mendimi i zhvendosej nga urrejtja që kishte për armikun e djeshëm, që po i bëhej gjithnjë e më i padukshëm, gjithnjë e më i largët, më i mjegullt, më i vagullt.. Tashmë ai po shumëzohej... Mendimet e sharjet po shumëzoheshin. Në heshtje. Prapë sharjet, si plumba. Prapë mendime e sharje, plumba dhe fluturimet e tyre, flurudha të panumërta, të padukshme... fjalë-sharje, flurudha... vajza, armiku i padukshëm, armiqtë e padukshëm... Nuk po e hetonte se një plumb bredhacak, një plumb që vret shpirtin, po e godet gjithnjë e më shumë.

3.
Mira po shndërrohej në flurudhë. Po e dashuronte flurudhën. Për herë të parë në jetën e tij arrinte ta kontrollonte flurudhën. Flurudha po i ligjëronte: "Kufomë e pavarrosur është armiku yt e imi. Ai endet si kufomë nëpër botë..." Mirën zuri ta quante Flurudhë. Kjo dashuri flurudhe, ishte shpëtimtare, që shmangte plumbin bredhacak...
E kishte gjetur Plumbin Magjik.

0 comments:

Post a Comment