Monday, July 10, 2017

Prend BUZHALA: NJERIU QË E BRAKTISËN ËNDRRA DHE ZHGJËNDRRA


(Tregim me pak fjalë), 9
Nuk e dija në isha rojtar apo një vëzhgues i rëndomtë i shesheve, rrugëve, parqeve e hapësirave të qytetit tim. Kujdesesha që disa pamje të mos shndërroheshin në pamje tejet të shtrembëruara. Për të qenë rojtar, duhej një armë me leje, kështu që mbeta vetëm vëzhgues i rëndomtë, pa asnjë fuqi të ndërhyja për çka do qoftë. Po ndodhte që disa pamje të mërgonin, të fluturonin a të shkërmoqeshin aty për aty: shpërndaheshin e bëheshin copë e grimë në të katër anët. Disa ngjyra, bie fjala, shpërndërroheshin aty për aty: e gjelbra këmbehej me të hirtën e shkretëtirës... Isha mësuar që nga fëmijëria të vëzhgoj.
Dhe ky vëzhgim sikur kaloi në detyrim: për ta ruajtur qytetin. Për t'i zbuluar sekretet përreth. Madje, sekretet, ndodhte, që gjendeshin pikërisht në ato vende, ku shëmtia lëshonte rrënjë. Më pëlqenin sekretet në vendet e lëna krejtësisht pas dore. Më dukej sikur në shoqëri më vinin demonë nga anë e anës. Këndoja së bashku me demonët këngën "Ruaje zemrën" që thoshte se nga zemra vijnë gjërat në jetë, të mira e të këqija.
Zemrën dhe qytetin e ruaja edhe në ëndërr...
Dhe duke i ruajtur ato, kisha harruar diçka tjetër: më kishin braktisur ëndrra dhe zhgjëndrra nga mungesa e një roje për to.

0 comments:

Post a Comment