Wednesday, July 5, 2017

Prend BUZHALA: KJO POEZI U NDIHMON SI TA SHANI SHTETIN


(Çaste: poezia që i vjedh shënimet 
nga ngjarjet në rrugë)
Kësaj radhe, kur shkova në treg,
e lashë poezinë buzë rruge.
Iku e u fut në lojë me një fëmijë.
Fëmija u përgjak,
Poezia e mori për dore
për ta dërguar te babai
(nënën, tha se e kishte në punë).
"Më duhet t'ia blej tri birra babait
e një top letrash për tualet".
"Po përse ia blen ti", e pyeti poezia.
"Sa herë i dëgjon lajmet, ai ia nis e pi birrë
sa herë e shan shtetin në nanë e babë,
e gjuan taketuken e duhanit
në drejtim të derës,
e bën copë e grimë
mandej atij i duhet të shkojë në tualet
dhe ia kris pordhave të forta.”
"E ti, ç'bën?!"
"I ndihmoj ta shajë shtetin,
bërtas të madhe, i bie topit nëpër kuzhinë,
i thyej nja dy a tri gota,
e thyej lusterin
dhe me zhurmë nga buzët
riprodhoj pordhët e kënaqem duke qeshë."
Mandej qeshim së bashku unë e babai.
Shtetin e dërgojmë në rrotë të samës."
“E mandej?”
“Mandej edhe unë dal te dyqani më i afërt,
E blej një armë plastike,
Gjuaj me të bam-bam-bam,
Dhe mësoj si ta vras shtetin që ma nervozon babanë.”
Dhe kur kreva punë në shitore
poezia tashmë ma dhuroi
këtë shënim pa vlerë e me fjalë të pista.
Nuk di: në e tregoi të vërtetën
apo mos e lexoi diku.

0 comments:

Post a Comment