Sunday, July 16, 2017

Namik Selmani: Jonit Monolog i një poeteje


Të kam folur shpesh
E nuk di a ma ka dëgjuar, zërin, këngën, ofshamën.
Ke hedhur dallgë
E me hyjnorin Posejdon shpesh ditënetëve je rebeluar.
Të tregova gjoksin mëmësor
E në vite të përqafova palën e valës
E kurorën e vargjeve
Për ty si poete, si nënë e si Penelopë në vite kam thuruar
Kam mbetur në breg
Si Vajzë e Valëve në kërkim të anijes pa liman
Jam bërë
pëllumb postjer për të përcjellë dhe në botë dashuritë
E ty
të kam patur herë bajloz e herë si zanë a pulëbardhë
Me pengje fjalësh
që mbeten të mistershme në skutat e shpirtit tim.
Tek ti
u bëra gardiane pa çelësa, pa qeli të ftohta
Jam bërë vogëlushe
këmbëzbathur dhe sa e sa kala rëre kam ngritur.
Jam bërë çapkëne
që kam vjedhur shikime, një lumë me fjalë të ngrohta
Jam bërë Kolombe
duke kërkuar të tjera brigje jete të ndritur.
E sërish
Kam ardhur tek ti si lozonjare e përjetshme
Këtu
Kam shfletuar libra e kam zgjuar pelikanët e bardhë
Në zemër
kam trokitur e drojtur në portat e rënda me sekrete
E me hapat e hedhur
më duket se kam marrë në trupin vajzëror me mijëra flatra
Me trill poeteje
kam dashur ta pi këtu kafenë në palë dallge
Në tryezën shkumore
të ftoj poetët e kombit në Garën Mençurore të Fjalës
Aty
do thëras zogjtë, delfinët e bëmat e detarëve
Me Çelësat e Shpirtit
Të hap labirintin e të prekshmes e të përrallës
Oh, det, o i dashuri im
me ëndrra që më lidhin gjer në amëshim!

0 comments:

Post a Comment