Prend BUZHALA: GRINDJE ME LIRINË
(Çast antilirik)
Liri, ç'na bëre, gati të gjallë po na ha.
Liri, gojën e paske krejt si të Ujkut, më të madhe se të orangutanit.
Liri, ti kënaqesh kur ndërton tempuj-varr, që varrosin vetveten
për t'u vetë-harruar përgjithmonshëm.
Oh, kjo harresë, aq gjatë e shikuam greminën
e në greminë u shndërruam ne.
Aty gjen vetëm Humbjen e Shpirtit Tënd.
Liri, Leximi yt më hyjnor qenka Libri-bombë, Libri-greminë.
E ç'të shohësh në greminë, pos asgjasimit të vetvetes,
Bëju ti pengesa, hyr thellë në humnerën vetjake,
aty do të ndeshesh me Minotaurin tënd, me vetasgjasimin.
Ky është Guximi më i Madh, Kryevepra jote e kohës.
0 comments:
Post a Comment