Tuesday, July 4, 2017

Prend BUZHALA: FËMIJËT E SHËN ANËS


(Tregim me pak fjalë), 4
Kur po shihte në TV se si një baba po vallëzonte në sheshin Shën Ana, me vajzën e tij të plagosur, pas sulmit terrorist; u pa edhe një vajzë e mërguar shqiptare, e cila hoqi shaminë dhe e blatoi si shenjë përkujtimi e solidarizimi me viktimat. Viktimat shumica ishin fëmijë, e të rinj, që u vranë pas një koncerti festiv me këngë të pëlqyeshme.
Diku kishte lexuar për Kishën e Shën Anës në vendlindje... tashmë e braktisur.
Për deri sa të tjerët mbushnin sheshin me lule në shenjë homazhi për të vrarët, linin kartolina me mesazhe, ajo la shaminë me një tekst që lexohej në shqipe: e la shaminë afër një cifle bombe, që nuk ishte hequr së andejmi. Ku dihet se jetën e cilit njeri a cilit fëmijë e kishte goditur ajo cifël e mbetur, e skuqur nga gjaku. Afër lules, ku e la shaminë, gjeti emrin e shoqes së saj të vrarë, që e kishte njohur në studime dhe e cila e kishte strehuar.
Në vegim i doli pamja e një djaloshi të ri nga Lindja që i kishte buzëqeshur, për deri sa po vraponte me bombat në sqetull... E mbante në mend se edhe atë e kishte strehuar shoqja e saj!
Shaminë e la peng... Ia kishte blerë mikja tashmë e vrarë, mikja e Gjuhës së Huaj, e Gjuhë Mikpritëse dhe e Gjuhës së Strehimit ...
Më nuk e vuri në kokë.
Një lot i pikoi. Ndezi një qiri.
“Edhe unë quhem Ana”, i tha gazetarit që e po e pyeste.
Edhe shikuesi i TV në Kosovë, mori një qiri, shkoi deri te Kisha e Braktisur e Shën Anës dhe ndezi një qiri. Në vetmi.

0 comments:

Post a Comment