Enver Bytyçi: Një kujtesë për Kimete Berishën!
E nderueme zonja gazetare,
I lexoj shkrimet e tua. Janë të guximshme e kumbojnë deri n’kup t’ qiellit! Në shkrimin e fundit pashë se je zhgënjye keq nga fyemja që shqiptart e Shqypnisë i bajnë shqiptarëve të Kosovës. E shkrimet e tua të bajnë me mendue, me kujtue, me kqyr mbas!
Ktheva kryet mbrapa e u ndala që prej fillimit të viteve ’90-ta. Në çdo stacion ku u ndala pashë se këta që ju fyejnë dhe ju marrin ju nëpër kambë i keni prodhue, financue, mbështet, ngrit, reklamue e i keni ba me emen ju në Prishtinë. Për ni ditë ja keni dhanë n’dorë njenit prej tyne 250 mijë dollar, n’fillim me jua thanë do fjalë t’mira e ma vonë me jua kajt nanën. Nuk po i numroj sa e sa raste tjera, kur keni marrë strajcën e pareve e ua keni pru në Rogner e vilave tjera në Tiranë e në Durrës! Për çka? Me u pasunue me paret e tre përqindshit a të Vendlindja Thrret! Tash ti po thue si u bane këta të pasun?! Po më çudit Kimete! Ti je aty ku gjanat kanë rrjedhë kësisoj.
Kur Kosova u çlirue, erdha menjëherë në Prishtinë. E çfarë pashë? E kishin pushtue Grandin gjithë sigurimsat e atij xhaxhit që ti e përmendë në shkrimin tand! Vuna durt n’krye e thashë me veti: “Kosova nuk asht çlirue”! Ata që thojshin “Kosova ka për kryeqytet Beogradin”, kur u krye puna u turrën me e placket sa t’mujshin. E me ndihmën tuej!
Njanin prej ktyne e kam ndigjue në dhjetorin e atij viti në panairin e parë të librit që u hap në Prishtinë, aty ku hala atëher i thojshin “Boro e Ramiz”, (ish pa u djegë) t’ju thojke ju se “A mos u çliruat nga një pushtues e ratë në një pushtim tjetër”?! E ky pushtimi tjetër për atë ishte prezenca amerikane n’Kosovë, KFOR-i e NATO! Nuk ishin ata të Grandit! Eh çka bajke vaki?! Ky që amerikanin e quajke “pushtues” rrike në ballë të oxhakut, krejt ju që e kishit emnin botues, gazetarë, punonjës televizioni, intelektualë i bajshit temena nji njeriu që u ba deputet, por nuk u ba kurrë intelektual n’Shqipni!
Po ta jap edhe nji rast tjetër: - Në vitin 2012 patën ardhë nja katër-pesë shkrimtarë prej Shqipnije me u nderue në panairin e librit të atij viti. Ishin disa, nuk po i shkruj emnat. Po kush u respektue prej jush, nja dy që kurrë nuk kanë shkrue për Kosovën. E nja dy tjerë që kanë shkrue dhjetë e dymbdhjetë libra për Kosovën i lanë menjianë. Ata dy që s’kishin dhanë asnji kontribut për Kosovën i zunë krejt ekranet e televioneve. Këta dy tjert gjetën ndonji mik tyne, ndonji kushri a dajë e kaluen ato tri ditë me ta. Krejt gazetart e TV Kosovës e medies n’prehen të atyne “idhujve” tuej u ulën. E këta s’paku janë miqtë e atyne që sot e lëndojnë Kosovën. Nuk ju lanë nder pa ju ba.
Ma përpara më pat rastis të vij me delegacion n’Kosovë! E çka ndodhi? Kryeministri e priti vetëm njenin prej anëtarve të delegacionit që në vitet ’90-ta pat udhëheq fushatën kundër kosovarëve n’Tiranë! Tjerve nuk na begenisi!
Janë edhe dhjetra e qindra shembuj tjerë, por unë nuk jam i landuem për këto që kanë ndodhë. Se nuk m’ka ndodh mue personalisht asnji gja! Po duhet ju me nxjerrë mësim e me qenë ma mirënjohës për ata shqiptarë të Shqipnisë që me gjithë zemër kanë punue për Kosovën e ju respektojnë ju, pavarësisht mosrespektit tuej. Duhet me ditë ju se kend po e ndihmoni n’Shqipni. Mos ndihmoni ata që ju dhunojnë, ju rrejnë, ju poshtnojnë, ju injorojnë, ju bajnë qejfin nër sy e ju fusin thikën mbas shpine, njësoj si shkijet!
Thjesht Kimete për me t’kujtue t’i shkrova këto rrjeshta! Se ju e dini vetë çka bani!
Me respekt,
0 comments:
Post a Comment