Wednesday, April 26, 2017

Grigor Jovani: Cikël Poetik

DASHURITE

Për tridhjetë vjet, këtë rrefren
dëgjoj kur e vetme shkon dhe flen:
“Do shkruash më? Lëre atë...
Eja, sa gjumi s’më ka marrë.
Se bën kaq ftohtë, dua të ngrohem...”
Por unë, me dashurinë e parë,
si ndodh gjithmonë edhe harrohem?!

RAST I HUMBUR

Shumë gjëra nuk di t’iu them për Franin,
këto të paktat mësova dhe
po ua them: lindi në Kthellë të Epërme
të Mirditës, punoi disa vjet në Athinë
kamarier. I pëlqente teatri. Luajti
në lëvizjen amatore. “Toka Jonë”,
“Familja e Peshkatarit”... Tërhoqi
vëmëndjen e një regjisori,
në një çast...
Veçse mbahet mend për diçka tjetër,
kaloi me not lumin e Fanit,
gjatë dimrit,
për një bast.
Mbrëmë e sollën të vdekur në fshat, nga
emigracioni. Mund të luante edhe
“Romeo dhe Zhuljeta”, por
nuk pati rast.

ANIJE TE MBYTURA

Do të gjesh anije të mbytura
nëpër rrëpirat e ca lumenjve të frikshëm,
damarëve të mi.
Janë dashuritë e mia të kahershme!
I shikon dhe ndihesh i trishtuar. O zot!
Ç’varrezë e tmerrshme!
Aty-këtu mbeturina të kalbura,
sy të dëshpëruara,
buzë të kafshuara,
kofshë të përvëluara,
si mollë që lundrojnë - dy gjinj.
Anije të braktisura në mëshirën e fatit.
Ndjenja që dezertuan,
si minj.

DET I HESHTUR

Ky breg si shumë u qetësua...
Pa dallgët ngjan i shurdhët deti.
Kujton si qe dikur, moj grua?
Nuk ngjan me tonin, ky që mbeti.
Ngjan sikur flen ky det i shkretë,
ndërsa një fllad i fshin çdo shkumë.
Ne tjetër det njohëm, moj grua,
ky i tanishmi nuk bën zhurmë.

TOGA E PUSHKATIMIT
Këta ushtarë,
kopsitur gjer në grykë,
që presin nën komandën “Gatitu!”,
s’kanë qenë gjithmonë në anën tjetër,
gati për zjarr, ashtu…
I pari nga e majta: ish mësues,
ia kishte qepur dijet me karficë.
I dyti në vijim: komshi i vjetër,
i ndante një oborr dhe një rrugicë.
I treti: kishin bërë një udhëtim,
dikur me shkollën,
ishin bashkë një vit.
I katërti në radhë: një i panjohur.
I pesti: një ish prift.
Pra, domethënë… mundej të shpresonte,
vetëm t’u thosh:
“Jam unë! S’më mbani mend?!”,
kur hyn në radhë dhe ushtari i fundit:
ishte vetvetja - krejt indiferent.
Nuk e mendonte kurrë ta kish përballë,
në atë togë armkike,
heshtur si për mort.
Shëtiste sytë krejt gjakftohtë vërdallë,
vetëm në sy nuk e shikonte dot.
Atëhere ish, kur “Zjarr!”
tha gojëplot.

DUKE PËRGJUAR ERERAT

Vura një guackë në vesh. Sirenat
thoshin emrin tënd,
mes lukunisë së erës.
Renda si i marrë në breg. Nga varka
s’kishte mbetur gjë. Veç
ca dru të kalbur
sipër rërës.
Enda pëlhurë të re. Ndoqa
drejtime të reja erërash. Pashë
të tjera vënde.
Askund më s’të gjeta.
Duke përgjuar erërat,
i lidhur në direkë si Odiseu,
as edhe një natë nuk fjeta.

0 comments:

Post a Comment