Friday, April 21, 2017

Ymer Nurka:MASKARADA


E kërrusët ju "liderë", këtë popull të lodhur krejt,
Juve që misionin nisët, porsi mjeshtra, veç tu rrejt..?!
Bëtë ligje, shpikët norma, kushtetuta dhe platforma,
Brohoritët dhe buçitët e na ngritët gjer në qiejt.
Ishit bijtë e kësaj toke, trumbetuat rrugë të drejt…

Ju besuam, kur ju shatë vetë sistemin, diktaturën,
Ngulët kthetrat tokës ngratë , popullit i latë faturën,
Gjoja qënka vetë liria, pa kufij, si dhen pa vathë
Çek të bardhë na vërtitët ndër fytyra,oh ç’gafë!
Para jush qëndronte vendi, porsi mali me pilaf…

Edhe ju s’iu mjaftoi luga, për të vjedhur djersën tonë,
Jo më pjata ,as lopata, po fadroma dhe vagonë,
Nga errësira porsi trima, sikur hijet dalë nga vrima;
Shitët vendin si xhambazë, pesë qindarka ndër gjitonë,
Edhe prapë pa pikë turpi, të pa cipë s’e lini fronë…

Sapo Shqipja zuri honet, menjëherë ju ngritët tonet,
Veshur me lëkurë qingji, shpirt si ujku nga zakonet,
Bëtë tender me pushtetin, kapital ngritur mbi dokrra,
Shembët Kudhrën proletare, në vend të saj vendosët mokra,
Peng morën pemën e mëmëdheut, jo më shumë se dyqind kokrra.

Dhe pastaj përmbi viktimën brohoritët: “ Bingo! Bingo!”
Pa iu ngjitët dhe s’u shqitët mbi kufomë, si qentë dingo…
Këtej hanit, andej dhisnit, ulërisnit edhe flisnit...
Veç premtime të begata, natyrisht të reja fringo.
Gjithë mjeranëve ndër fushata , ju u shisnit, porsi gringo.

Ndër grabitje, bëtë gara të papara, ç’maratonë!
Ja e desh një "kokë turku", bëma juaj, halli jonë,
Dhe në çast mëndjen e mblodhët, fap e zgjodhët,
Një kurban, nga i mjeri popull, prej vet gjakut nga ku rrodhët,
Një fatkeq, për fatkeqësitë, për fajtor ndër këmbë i hodhët

Ikën motet, kështu vodhët tërë thesaret, monopolet,
Domosdo me këtë popull të pa ditur tallët bolet,
E ndërroni sa herë doni, vjen në ndihmë korrupsioni,
Të pacipë na tregoni, xhepat bosh dhe protofolet,
Dhe shqiptari i uritur, s’ka fuqi më as të kollet…

Qafë dhjamur, shumë të kamur, mbushët arkat ju në Zvicër
Do bëjmë shtet pastaj kujtohi dhe ndërseni veç policër,
Për njeriun e mashtruar zgjatet, zgjatet errësira..
Ligji kap keca e gjorë dhe fal ujqërit-egërsira,
Rrojmë oh në kohë të liga, duke pritur të vijë e mira...

Me këtë popull ja u tallët, dhe e kthyet në veshgjatë,
E në gjuhë të tija pallët, na shurdhuat, me shamatë!
Mbahi ju për baballarë, pleq të urtë, dhe analista,
Me ju gjoja-patriotë, shumë e gjatë do bëhej lista,
Fjalë-bukur ndër ekrane, autorë veprash të pista

Kur të ndodhë prej vetiu, mbi mjerim të brofë gjeniu,
Ku do shkoni ku do futi, "pesëqind groshë" një vrimë miu,
Se ah rrotë e Historisë, rrotullohet e vërtitet,
Kush lakmoi majat e saja dhe s'ka më se ku të ngjitet,
Do bjerë poshtë, do thyejë qafën, ditë e tillë për juve pritet

Shkoi dhe brezi ynë tutje, si gjithë brezat shkuan, vanë,
As dhe zoti s’pranon lutje, me kaq fjalë sa veten shamë,
Na dha tokën më të mirë, të pasur si askund në botë,
Por na mbushi me qafirë, me hajdutë e me idiotë
Domosdo është e vështirë, të bëjmë shtet edhe epokë,
Jemi vallë njerëz të lirë, apo rob të mbetur trokë?!

0 comments:

Post a Comment