Monday, April 17, 2017

Kujtim Stojku: YMER KOÇI - DOSJA Nr 263


(Nga libri në dorëshkrim)

Ishin ditët e para të muajt mars të vitit 1975,para dyerve të gjykatës së Rrethit Tiranës ishte mbledhur një grumbull njerzish që priste të hapej salla.Ky
 grup njerzish që në ato ditë të  ftohta të muajt mars sëbashku me rrokullisjet e dimrit,do të linte tek  ata gjurmët e ftohtësisë dhe të akullit që dukeshin se do të qëndronin më gjatë.Ata rrinin si të mpirë,burrat që nga larg dukeshin se po tymosnin duhan,shikonin njëri tjetrin,bisedonin pak,pastaj duke thithur cigaret fytyrat e tyre mbuloheshin nga nga një vel i kaltër.
Pas disa çastesh u hap dera dhe  njerzit u futën brenda në sallë.Në radhët e para u ul një grua e moshuar,rrudhat sikur i ishin shtuar në fytyrë,mbi kokë mbante një rize të bardhë,dhe në sytë e saj dukej një refleks i qelqtë.
Në anën e djathtë të sallës ishte një burrë 45 vjeçar i ulur në bankën e të akuzuarve,i cili qëndronte në mes dy policëve të cilët dukeshin sikur qëndronin indiferentë,por në fakt ata gjithçka përreth e shikonin me hollësi,që nga i pandehuri që kishin në mes dhe deri tek njerzit që po futeshin në sallë të heshtur.Sytë e njerzëve që u ulën në karriget e sallës u përqëndruan që të gjithë tek burri  që qëndronte në mes të dy policëve,disa ia bënë me dorë,por ai me atë vështrimin e tij të qetë dhe atë shtatin vigan dukej si një sklupturë e gdhendur në mermer dhe qëndronte pa lëvizur.Përshëndetjeve të njerzëve që kishin zënë vend në sallën e gjykatës ai ua kthente vetëm me një buzqeshje të lehtë në buzë.Pastaj po nga ajo derë në të djathtë ku ishte ulur i akuzuari,hynë tre vetë,ishin dy burra dhe një grua.Ai i pari ishte rreth të pesdhjetave dhe u ul në mes,kurse dy të tjerët anash.Ky ishte trupi gjykues që do të gjykonte të pandehurin.Në një tryezë pak më tutje se ajo ku ishte vendosur trupi gjykues qëndronte sekretarja një grua tek të tridhjetat,dhe pak më tej në të kundërtën e sallës ishte ulur prokurorja që ishte aty tek dyzatat.Kur trupi gjykues u fut në sallë të gjithë u ngritën në këmbë.Pasi u ulën u bë prezantimi i antarëve të trupit gjykues i cili përbëhej nga:
Aleks Varfi: kryetar,
Violeta Laho:Nd gjyqtare,
Fatmir Tabaku: Nd gjyqtar.
Liza Haxhinasto: Prokurore.
Më pas filloi hetimi gjyqsor.U lexua me zë të lartë emri i të pandehurit:
YMER KOÇI,bir i Dalipit dhe i Fatimesë,me datlindje 1931,lindur në Lejçan të Peshkopisë dhe banues në Tiranë,Lagjia.Nr 1,Rr.Todi Shkurti,Nr.22… I dekoruar disa herë,si edhe njëkohësisht kishte marrë edhe dekoratën e 10 vjetorit të ushtrisë…këtu zëri i Aleks Varfit erdhi më i ashpër se në fillim,ai e dinte shumë mirë se ky i pandehur ishte propozuar përsëri për të marrë dekoratën e lartë,por..i hodhi një vështrim të pandehurit i cili qëndronte i qetë dhe mospërfillës nga ato që lexonte ai,prokurororja bënte sikur mbante shënim,por në fakt zhgarraviste kot mbi një fletë të bardhë duke bërë figura gjeometrike,pastaj u dëgjua të shqiptohej me zë të ashpër dhe ton të lartë neni 73/1 i kodit penal,ku ky i pandehur kishte zhvilluar veprimtari armiqsore dhe gjykohej si armik i partisë,popullit dhe atdheut…

(vazhdon)

0 comments:

Post a Comment