Wednesday, April 26, 2017

Prend BUZHALA: E VËRTETA DHE RRËFIMI, E VËRTETA DHE GËNJESHTRA


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 26
E duam të vërtetën apo e duam rrëfimin?
Njerëzit nganjëherë nuk e parapëlqejnë të vërtetën për një ngjarje, prandaj ndërtojnë rrëfimin e tyre, versionin e tyre për të. Kësisoj, gjatë mileniumeve, ai ka krijuar të vërtetën që mund të ndodhë, të vërtetën e mundshme- e që quhet art, letërsi, rrëfim. Poeticienët, a teoricienët e letërsisë, e shtrojnë problemin në raportet e ndërsjella: e vërteta dhe rrëfimi autentik, E vërteta artistike, e vërteta narrative etj etj.
1.
Në këso përjetim-raportesh, njeriu u ngjet të vegjëlve: të gjithë fëmijët thurin mite rreth lindjes së tyre...posa t'u luteni fëmijëve ta thonë të vërtetën, nga ata do të dëgjoni rrëfimin (Diane Setterfield). Ne mund ta shohim një film homazh për njerëzit e sakrificës (të tilla rrëfime ka në gjithë kombet e botës).
Letërsia, që nga “Poetika” e Aristotelit, ka gjurmuar të vërtetën e mundshme a të vërtetën që mund të ndodhë. Kësisoj, edhe letërsia postmoderne, me procedimorin e saj, me botën e saj të fiksionit, pikësynon të vërtetën e tillë, “lakuriqe”, sa më të besueshme. Herën tjetër na pëlqen si një shkrimtar vë në gërshet të vërtetën, mitin dhe fiksionin në prozën e tij; ose parapëlqejmë diskursin utopik, mitologjik dhe historik nga një tjetër autor. Mandej, strukturat e fantashkencës romanore, strukturat e rrëfimit përrallor...mandej, struktura e ndërliqshme e botës së ideve etj.
2.
Por, brenda një rrëfimi kërkojmë një mesazh a mësim jete.
ja një i tillë, te një tregim (përkthim i lirë imi nga gjuhë të huaja):
E VËRTETA DHE GËNJESHTRA
(Rrëfim)
- O Atë, a mund të qëndrojë e vërteta brenda gënjeshtrës dhe e vërteta të ketë rrenë? -pyeti plakun një i ri.
Plaku u përgjigj:
- Pyetni kalin, le ta thotë ai vetë.
Djali hutiohet dhei vjen siklet:
- Nuk poe kuptoj ... për çfarë u dashka të përzihet këtu një kalë?!
- Si mund të mos e kuptosh? E pra, kjo dihet, se kali nuk do të pijë ujë të papastër, të turbullta - tha plaku.
- Po, dhe ...?!
- Dhe kështu qëndron puna edhe me të vërtetën dhe gënjeshtrën. Një gënjeshtër mund ta fsheh te vetvetrja të vërtetën, por çka vlen kjo, kur është uji aq i ndyrë dhe jo i pijshëm. E vërteta, megjithatë, brenda vetes nuk e pranon gënjeshtrën, dhe ujlt nga burimet e së vërtetës është i mirë për pije, sespe është i pastër. Qe pra, ky është mësimi që mora nga kali.
I riu buzëqeshi dhe falënderoi plakun për mësimin e tij.
3.
Shpesh nga rrëfimet anekdotike, përmendim shprehje, se si e vërteta vishet me rrobat e saj, kurse rrena me të vetat. Porse shpesh ndodh që Gënjeshtra t’i vjedhë a rrëmbejë rrobat e së vërtetës. E vërteta mbetet pa rroba: afër vetes i kishte rrobat e gënjeshtrës, por nuk deshi t’i merrte ato; e vërteta ec lakuriq nëpër njerëz, të cilët tashmë po i besonin gënjeshtrës së veshur me rrobat e së vërtetës. E kotë përpjekja e të vërtetës t’ia sqaronte popullit. Populli ikte nga e vërteta. I çuditshëm populli: nuk e pranona s të vërtetën lakuriqe, por gënjeshtrën e veshur me rrobat e së vërtetës.
Përnjëmend: e ku ta dijë populli për dikë se a do të jetë një njeri i mirë apo do të shndërrohet në përbindësh?
Por nganjëherë ndodh ashtu si na thotë Anuj Somany: "Gënjeshtrat që fliten për dobinë e një njeriu të shtypur, janë shumë më të mira se e vërteta e thënë për dobinë e popullit të dëshpëruar dhe egoist".
A nuk kemi provuar këso situatash?!
( 25 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment