Saturday, April 22, 2017

Ramiz Kuqi: PËRPËLITJE


Jashtë bën ftohtë. Mbi lëkurë dridhen mornicat e stinës.Lulet janë ngrirë në ballkon. Zogjtë e mërdhirë puplojnë nëpër degë. Sytë i kanë drejtuar nga lind dielli. E dielli është fshehur pas shtatë kodrave . Në shtatë kulla ka rënë heshtje.Zëra imagjinativ ringjallin ëndrrat e romantikëve shqiptarë. Por e kanë me hile !
.Kohë krizash . Shpirti dhemb. Në hapësirën e këtij qielli asgjë në horizont. Rrugët gumëzhijnë. Protestojnë vargjet, fjalët. Sillet koha në unazë gishtërinjsh.Përpëlitje?! Dallgëzuar janë këto valë jetë. Në cilin breg dallga është ngritur përtej vetes?
Përse Zotynë e ke dënuar Sizifin ? Pse deshti zjarrin ta ndez për t'i ngrohur këto gjymtyrë trupi mërdhirë nga ky dimër i egër? Dimër në sofër të thatë, dimër i skajshëm në horizont..Të paditurit endin anijen time nëpër det. (Po)pull...Në këmishën e zbërthyer ajri freskon gjoksin e lodhur nëpër labirinte të panjohura. Si nëpër dhomat e burgut errësuar. Pa dritë. Aty ku mund të të ngulfatin hije të padukshme. E të thonë: bëri vetëvrasje !
Po ç'faj kanë zogjtë, miqtë e fjalës? Ke faj ti njeri i Fjalës? Ndoshta ...Të kanë mbështetur për mur ...mjerimi t'i ka mbyllur shtigjet ...Mendimi të është topitur ?
Jashtë është ftohtë. E ftohtë dashuria, njerëzit janë mbyllur në kullën e vetmisë. Dialogojnë me veten !
..Përpëlitje, a ringjallje? Nëpër udhë si të Ferrit të Dantës. Dikush i bie këmbanës nëpër foltore. Fyellit ia kanë mbyllur vrimat për gishtërinj. Sa keq na ke ngulfatur KOHË !
Në cep të këtij bregut është një dorë.Dil nga kjo vorbullë sa nuk të ka rrëmbyer deti . Dil !
E jashtë është ftohtë... Edhe nëpër Fjalë germat janë rrudhur ! Si toka jonë. Në çdo përpëlitje ia copëtojnë nga një rrip shkëmbi ! Nëpër këto harta imagjinare !
Zotynë, m'i ruaj zogjtë e mi gjitandej !
21.4.2017

0 comments:

Post a Comment