Sunday, April 23, 2017

Grigor Jovani:MEDALJA

Mos të lëntë Zoti pa miq, pa kolegë të tillë si të mitë. Hall kisha unë për dekoratat? Tani, me demek, që ikëm nga stani dhe nuk kemi fatin e deleve brenda tij, që vazhdojnë të gëzojnë këto privilegje - dje biles Kryebariu organizoi një ceremoni të tillë në sallën parlamentare të staneve shqiptare në Athinë, ku dekoroi veten dy herë, në prani të gjallesave të mbetura brenda gardhit. Aty për aty improvizuan dje një votim të hapur miqtë e mi të grigjës separatiste, pa mbërritur unë tek Qendra Kulturoro- Ushqimore "Qoftet e Musait" dhe me t'u ulur u organizua ceremonia e rastit.
U bëra dhe unë me dekoratë.
"MEDALJE
Kryepuçistit më të mirë të vitit 2016.
(Portreti im në vijim, i bastarduar nga skicografi Ilir Mborja, anëtar i shtabit puçist, por i poshtër shumë, se skicat e dikurshme të Kryebariut i bënte më të mira, për të stimuluar artificialisht sukseset e tij erotike me delet vartëse, të cilave ua kërkonte copë devotshmërinë, me autoritetin e dashit të parë).
Nënshkruesit:
N/Kryebariu
MURAT ALIAJ
(dv - firma)
Sekretari
ILIR MBORJA
(dv - firma)
Athinë, më 22 prill, 2017"
Shënim:
për Dekoratën u përdor letër bakalli, siç shihet, nga Blloku i Musait, nga ai defter i poshtër ku shënon llogaritë e tij gjithmonë të pasakta, shkëputur në mënyrë rrethanore nga puçistët organizatorë. U bënë edhe fotografitë e rastit, të cilat nuk u pa e udhës të publikoheshin, me pretekstin: "Ne nuk do të bëhemi si delet brenda stanit, që i përdor Kryebariu për propagandë..." Pordhë me rigon! Nuk donin publicitetin tim. Edhe midis puçistëve mund të ekzistojnë diferenca...

0 comments:

Post a Comment