Tuesday, April 4, 2017

Sadbere Gagica Spahija: Cikël Poetik


PO VDES
Kjo ëndërr në pritje
Si lulet pa ujë
Pranverat pa riga shiu
E zbrazur dhoma e fjalëve
Si një këngë pa melodi
Po ringjallet malli
Me shushurimë dashurie.

NESËR
S'di a do të bie shi mbi xhama
Kam harruar ta shoh diellin me sy
Duart e mia të vogla shtrirë i kam
Për ta ulur hënën në vargje
Çdo gjë më duket si fluskë sapuni
Që tretet nëpër qiellin pa emër
Kam një lumë të gjatë për kalim
Një urë pa dritë në mesnatë
Bie zgjohem me këto ëndrra përplasur
Rrjedh koha ime nëpër stinë
Fjala më digjet nëpër net pagjumë
Pranvera e ëndrrave më troket në derë.
PO BIE SHI
Në dhomën time të heshtur
Strukur jam në varg vetmie
Shiu m'i lag flokët
Brenda meje një qiell me fjalë shiu
Nga dritarja e shtatë deteve
Sodis lulet në ballkon
Pika dhimbjesh nëpër fjalë
Po bie shi nëpër udhët e mërgimit tim
Shi që s'di të ndalet kurrë.

FLOKARTA KOHË
Mos m'i merr ëndrrat e natës
Pa zogun tim shtegtar nëpër kujtime
T'ia ledhatoj krahët e butë si mendafshi
Oh ti zog pranvera ime.

0 comments:

Post a Comment