Monday, April 10, 2017

Prend BUZHALA: POEZIA SI IMAGJINATË E EROSIT


(Çaste eseistike: IMAGINARIUM), 10
Poezia vjen si ngushëllim i bukur. Si një çlirim nga ngricat e barrët e jetës. Një shteg për të depërtuar në thellësitë e kuptimit të jetës, në ciklet kozmike të ekzistimit. Krijuesi letrar e sprovon dorëshkrimin e vet lirik si një mikrokozmos të qëndrimit personal në hapësirat e ngushta të vetmisë.
1.
Ovidi i moçëm do të nënvizonte: “Ti që e gjakon dashurinë në moshë të pjekur, duke e çuar më tutje atë ndjesi, do të fitosh një shpërblim të respektueshëm.” Krijuesit letrarë, gra e burra në moshë, e dinë, që, kur kjo ndjesi harxhohet a vilet nga koha a mosha, megjithatë një burim që e mban në këmbë, është imagjinata erotike, imagjinata e freskët dhe e virgjër e dashurisë... që shtegton deri te dashuria platonike... mbasi i ka (s)porvuar të gjitha "trajtat" e saj... Para bukurisë së këtij emocioni përkulen të gjithë me respekt. Të duket sikur personazhi lirik i dashurisë verbohet plotësisht nga kjo ndjenjë, së këndejmi, ai shndërrohet në një qenie vazhdimisht me etje të pashuar...
Kjo imagjinatë është mike e autoriale në letërsi, por edhe bashkëpunëtore në krijimin e kësaj ndenjeje; është frymëzuesja e burimit të vargjeve dhe ajo që mban në krah nëpër hapësirat e pafund të universit të erosit, me peizazhe krejtësisht të tjera, sa eternale aq edhe realiste. Asnjë tip tjetër shkrimi, më mirë se teksti lirik, nuk arrin t’i shqiptojë ndjesitë e dashurisë.
2.
E si do të mund ta përshkruanin a shqiptonin magjinë e saj, kur dashuria është e tëra ndjesi, përjetim, thellësi e pasuri emocionesh? E tëra është imagjinatë erosi... Nëse emocionet janë ato ndjesi a gjakime që nxisin kënaqësi apo dhimbje, nëse ato na e drejtojnë qenien tonë kah shtegu i një dëshire apo frike, atëherë nuk është e çuditshme pse shprehja lirike e pasuron hartën e këtyre përjetim-situatave në këtë vëllim poeti, herë me disponime të mahnitjes, mirësisë, zemërimit a dhembshurisë, herë si trazim dhe makth e herë si robërim erotik e rënkim përgjërues, apo si "pasion i shpirtit", si do të shprehej Dekarti.
Gjuha e ARSYES e ka të pamundshme t’i gjejë fjalët, mu ashtu si është edhe vetë lirika e dashurisë, e cila është shprehje e botës së brendshme, shpirtërore. Imagjinata atëherë merr rolin e të pashprehshmes... të fjalës që nuk mund të artikulohet...
(Rishkrime, 9 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment