Wednesday, April 5, 2017

Prend BUZHALA: ALKIMIA E IMAGJINATËS POETIKE


(Çaste eseistike, rishkrime, IMAGINARIUM) 5
1.
E Bukura, si kategori estetike, në kohë të përparshme, identifikohej me Imagjinatën në letërsi; se e bukura është trajtë e imagjinatës, që identifikohet (a mishërohet) me krijimin artistik... Shtegtimi për këto vlera poetike, vjen deri te kundrimi frojdian, që e vështron imagjinatën si ndërveprim të vetëdijes me pavetëdijen... aty ku poeti, me anë të saj, e njeh botën e tij të brendshme, të ndërdijshme, e (ri)zbulon realitetin. Poetët modernë, sa herë përqendrohen tek jeta personale, intime, ata e vetëdramatizojnë unin e tyre të brendshëm, me shenjat e botës reale, konkrete, me treguesit e realitetit të jashtëm. Figura poetike mishërohet si "energji psikike", kurse përfytyrimet, imazhet artistike, identifikohen si kuvendim (a ligjërim) i natyrshëm i imagjinatës. Si Imagjinatë e Bukur, që përmbledh pamje nga përvoja e kujtesa, në njërën anë; dhe nga ndijimet perceptuese.
2.
Nuk mund ta përfytyrojmë poetin pa imagjinatën e tij krijuese, pa imazhet poetike - aty ku nyjëtohen ndijimet, ndjeshmëria, gjakimet, pasionet... në figura poetike, në strukturën e një krijimi arttik; dukee bërë dallimin e përfytyrimeve të tilla artistike nga kujtesa, nga memoria e përvojës. Ndërthurja e imagjinatës me shpirtin, me botën shpirtërore, përbën njërën ndër veçoritë e letërsisë. Sulzer do të thoshte se shpirti i poetit/ artistit, është e vetmja hapësirë, në të cilën fantazia krijuese arin të krijojë vepra kulmore. Nuk është e habitshme, prandaj, pse ka lindur dikotomia mendje-shpirt. Por imagjinata "banon" në tjetër mbretëri. E ka vatrën e saj gjetiu... tek sferat e mistershme të qenies krijuese, ... që shfaqet në mishërimet e të madhërishmes, të së bukurës në art e në poezi: "Bukuri! tmerisht e dashur, llahtari! tmerisht e bukur!" - do të këndonte Lasgushi ynë, ngjashëm me simbolistët tjerë, si "Lulet e së ligës" tek Bodleri, bie fjala. "Bukuri e zezë" e rikrijonte figurën e tij Beqir Musliu, duke nxjerrë Zinë e Të Bukurës, si spastrim shqetësimesh krijuese; apo “Dhimbje e bukur" si e thur tekstin e tij poetik Ali Podrimja. Si thurje a ndërtim i një realiteti të ri, i një realiteti poetik. Qoftë dhe me elemente kontradiktore, paradoksale, duke krijuar një sintezë të re, në një diskurs meditimesh në hapësirat e imagjinatës... Poezia e tillë na vjen si një mbirealitet...
(Rishkrim, 4 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment