Monday, April 17, 2017

Prend BUZHALA: LËVIZJA E NJË VARRI, RINGJALLJA


(Çaste eseistike: si krijohen institucionet
dhe lëvizjet e mëdha në histori: IMAGINARIUM), 17
Lëvizja e një varri krijoi një lëvizje të madhe botërore në religjion që quhet krishterim, dhe me KËTË LËVIZJE, nis Epoka e Re: vitet maten para e pas Jezuit, para e Pas Epokës së Re. Por Lëvizja e Një Varri ka krijuar dhe Legjendën e Besës Shqiptare (ringritjen a ringjalljen e Kostantinit nga varri). Përpara i kemi dy vepra që kanë bërë emër botëror: librin e gazetarit të njohur hetues Lee Strobel me titullin "Çështja e Krishtit" (botimi shqip, Tiranë 2007) , si dhe romanin e Ismail Kadaresë "Kush e solli Doruntinën" (1979) të Ismail Kadaresë. Që të dy veprat përshkohen nga skepsa, mendjehollësia, zbërthimi interesant,libri i parë për ta krijuar të vërtetën e Jezusit historik, e dyta për të krijuar të vërtetën (artistike) për Besën Shqiptare.
1.
Lee Strobel, sikundër thuhet në komentimet për të si autor, gjurmon Tregimin Më të Madh në Histori. Lee Strobel ishte ateist ( ai paraqet rrugën e tij shpirtërore deri te besimi), interviston trembëdhjetë studiues e autoritete të njohura me doktoratura nga universitetet e njohura evropiane e amerikane. "Strobel sfidon me pyetjet: "Sa e besueshme është Besëlidhja e Re (Dhjata e Re)? A ka prova për Jezusin jashtë Biblës? A ka arsye për të besuar se ringjallja ka ndodhur me të vërtetë". Prova e Dëshmitarëve Okularë (dhe vënia e tyre në provë), Prova Dokumentare, Prova Mbështetëse, Prova Shkencore, Kundërprova, Prova e Identitetit, Prova Psikologjike, Prova e Profilit, Prova e Gjurmëve të Gishtërinjve, Prova Mjekësore, Prova e Trupit Që Mungonte Prova e Dukjeve, Prova Rrethanore, Përfundim: Vendimi i Historisë - janë kapitujt që e strukturojnë këtë libër tejet të rrallë. Në të gjithë kapitujt jepen rrëfime paralele dokumentare të kohës së sotme dhe të Kohës së Jezusit (duket sikur po e lexon një roman),, me intervistimet e dijetarëve më të shquar evropianë.
2.
Por Lëvizen e Një Varri e trajton edhe romani "Kush e solli Doruntinën" (i botuar më 1979). Kjo vepër zhytet së thelli në histori me ndihmën e okumentit artistik gojor, për të paraqitur shtyllat e ekzistimit tonë si bashkësi. Përpara i kemi pamjet e ndryshme të legjendës... Dihet mirëfilli se besa në jetën e popullit shqiptar që nga thellësia e shekujve, përbën një normë etike dhe një mendësi etnopsikologjike, tek është ngritur në një institucion që ka rregulluar dhe rregullon ende mënyrën e sjelljes e të veprimeve në marrëdhëniet familjare e deri te ato mes katundesh, fisesh e krahinash. Si mendësi e tillë, ajo merr rëndësinë e veçantë, jo vetëm në jetën e individit, po edhe në atë shoqërore, botëkuptimore e estetike. Besa është një detyrim etik që duhet të përmbushet doemos: është i vetmi qëllim i ekzistencës.
Mesazhi filozofik i veprës (vepra u shkrua në vitet ’80, në kohën e diktaturës) është sugjestiv: kundërshtimi politik i ideve të vjetra, pra i ideve të Lindjes, i kishës bizantine; parapëlqimi i lidhjes me Evropën!
Shkrimtari e ka vendosur ngjarjen në mesjetë dhe e ka përzgjedhur për trajtim baladën arbëreshe, si dëshmi e kohës së fisnikëve arbërorë. Interesa paraqesin mendimet për një botë me besë, një si rindërtim në krejt jetën e Arbrit, para stuhive që priteshin të vinin me dervishë leckamanë, me ca rapsodë e incidente në kufi. Romansieri na dëfton se përplasja e interesave mes fuqive të mëdha, ideologjive etj, është e hershme. Në këtë vorbull përplasjesh, besa merr përmasa mrekullibërëse, kurse Stresi shpall para gjindes se Doruntinën e ka sjellë Konstandini: “Secili prej nesh ka pjesë në këtë rrugëtim…”
Duke i ngritur një monument besës, atëherë kur në sfondin historik do të bëhet edhe Kanuni a Kushtetuta e Lekës për Besën, përligj faktin se nuk janë gjyqet apo forcat e mbrojtjes ato që e ruajnë ligjësinë, po është Besa, e përcjellë si trashëgimi brez pas brezi, si mbrojtëse e këtij identiteti, si ideal drejt përsosmërisë njerëzore e shoqërore. Si shenjtëri jona.
( 16 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment